Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi Rus si Premierë në Teatrin Serb

Serbia dhe Rusia vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera, mirëpo ky bashkëpunim nuk gjen zbatim në praktikë dhe amplifikohet në vazhdimësi duke tejkaluar përmasat e realitetit.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Rusia vazhdimisht ka përdorur Serbinë si epiqendër për shpërndarjen e propagandës së saj në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Në veçanti, fqinjët e Serbisë (duke përjashtuar vendet anëtare të BE-së) konsiderohen si më të prekurat nga ndikimi rus.

Mirëpo ky ndikim nuk është domosdoshmërisht efektiv. Ndikimi klasik rus, që përdor aspektet etnike dhe religjioze të identitetit sllav dhe krishtërimit ortodoks, ka kohë që po humb rëndësinë dhe peshën e tij. Rrjedhimisht, Federata Ruse ka parë të rrugës që të përdorë strategji të reja duke u fokusuar në fushën e ekonomisë.

Rusia nuk është shtet i zhvilluar industrial dhe nuk njihet për teknologji të avancuar, prandaj ndikimi i saj është i limituar. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Rusinë që të promovojë fuqinë e saj.

Bashkëpunimi komplementar ruso-serb

Anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO ishin goditje ndaj ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, prezenca e tyre në Serbi mbetet e lartë.

Serbia vazhdon të mbetet aleati kyç dhe i vetëm i Rusisë në rajon. Ndikimi rus në Serbi është komplementar. Në njërën anë, Rusia përdor Serbinë si platformë për propagandën e saj, ndërsa Serbia, në anën tjetër, përdor Rusinë si balancë ndaj Perëndimit.

Për vite me radhë, Serbia vazhdimisht ka udhëhequr një politikë të jashtme neutrale, duke tentuar të gjejë një balancë mes Perëndimit (BE dhe SHBA) dhe Lindjes (Rusisë dhe Kinës).

Serbia është shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe aspiron që të bëhet anëtare e plotë në një të ardhme të afërt. Me gjithë aspiratat evropiane, Serbia asnjëherë nuk është mjaftuar me kaq. Që nga viti 2016 ka pasur deklarime nga politikanë serbë për synimin e Serbisë që të anëtarësohet në Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), që përbëhet nga Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Rusia.

BE ka qenë kundër një lëvizje të tillë dhe i ka tërhequr vërejtjen Serbisë që të mos anëtarësohet në këtë union tregtar. Përkundër kundërshtimit të BE-së, më 25 tetor 2019, Serbia vendosi që t’i bashkëngjitet EAUE.

Statistikat tregojnë që partnerët kryesorë ekonomikë të Serbisë janë Gjermania, Italia, Rusia, Kina dhe shtetet fqinje të Ballkanit.

Ndër partnerët kyç të eksportit të Serbisë, Rusia zë vetëm vendin e pestë me rreth 5%. Marrëdhëniet tregtare me shtetet tjera anëtare të EAEU janë minimale. Kjo marrëveshje tregtare nuk ka sens ekonomik. Madje edhe analistët serb kanë argumentuar se nuk ka ndonjë benefit tregtar që Serbia t’i bashkohet këtij forumi.

Duke marrë për bazë marrëdhëniet tregtare të Serbisë, vendimi për t’iu bashkëngjitur EAEU nënkupton se ky ishte një vendim tipik politik dhe se Serbia nuk është e gatshme që të distancohet nga një shtet autoritar siç është Rusia.

Një “vëlla” si Putini

Vuçiq dhe Presidenti Rus Vladimir Putin nuk dallojnë shumë nga tiparet udhëheqëse. Sikurse homologu i tij, Vuçiq është shndërruar në një autokrat tipik, i cili ka kontroll pothuajse absolut mbi politikën serbe si dhe shumicën dërrmuese të mediave. Momentalisht, Serbia është efektivisht shtet një partiak, pa pluralizëm politik dhe opozitë.

Zgjedhjet parlamentare të organizuara muajin e kaluar nxorën fitues SNS-në. Kjo fitore nuk ishte e zakonshme, Vuçiq fitoi zgjedhjet parlamentare me rreth 63%, që e bën atë liderin me fuqinë më të madhe elektorale në Evropë.

Mbajtja e marrëdhënieve të mira me Rusinë i shërben më së shumti faktorizimit të Presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili shërbeu si Ministër i Informacionit nën regjimin fashist të Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj u shndërrua në demokrat duke themeluar Partinë Progresive në Serbi (SNS).

Të jesh fashist dhe progresiv janë dy pole diametralisht të kundërta dhe duket se Vuçiq ka gjetur “mesin e artë” e Aristotelit duke u shndërruar në autokrat tipik, i cili tenton të kontrollojë çdo cep të jetës brenda shtetit të tij dhe në të njëjtën kohë proklamon se është një lider demokrat dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut. Mirëpo realiteti është ndryshe.

According to raportit vjetor “Kombet në Tranzicion”, të zhvilluar nga Freedom House i cili mat shkallën e lirive dhe të drejtave të njeriut, Serbia ka pësuar rënie të konsiderueshme duke u klasifikuar nga një vend “i lirë” në “pjesërisht i lirë”. Raporti më tutje shton se Presidenti Vuçiq ka ndikuar në erozionin e demokracisë në vend duke ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e mediave.

Influenca ruse mbetet e limituar; megjithatë, Serbia vazhdon të mbetet teatri ideal ku shfaqen dramat ruse. Mirëpo, shfaqjet teatrale ruse në Serbi zakonisht bëhen më dramatike për të tërhequr shikueshmëri më të lartë dhe për të plotësuar dëshirat vetanake të një personi apo grupi të caktuar të personave.

Rrjedhimisht, ky ndikim amplifikohet dhe ndikon negativisht në diskursin publik të vendeve fqinje të Serbisë, përfshirë Kosovën.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.