Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Asgjë e re nga lindja

Më 1071, në Anadoll u përplas një hordhi e selgjukëve turq me ushtrinë bizantine. Këta të fundit pësuan disfatë. Perandori Romanos IV Diogenes u kap dhe autoriteti bizantin filloi të venitej, për t’i hapur rrugë kështu turqizimit të këtyre trevave.

Në vend të Bizantit u vendos një perandori po aq despotike—Sulltanati i Rumit—deri sa mbi të ra pushtimi mongol më shumë se një shekull më vonë. Ky pushtim e plasariti vendin në bejlerë të vegjël turk, para se tokat të bashkoheshin në shek. e 14-të në shtetin e themeluar nga Osmani I—në atë që historia e njeh si Perandoria Osmane.

Kjo perandori u shndërrua shpejt në fuqi botërore. Më 1354 mbërriti në Evropë; më 1453 e zhduku Bizantin tërësisht; kurse përgjatë shekujve 16-të dhe 17-të, nën udhëheqjen e Sylejmanit të Madhërishëm, e arriti shtrirjen e saj më të madhe. Modeli i saj politik ishte i njëjtë: despotizëm me sulltanin e plotfuqishëm në krye.

Pasi mbeti e fortë dhe me ndikim edhe për dy shekuj të tjerë, Perandoria filloi të tregojë shenja dobësimi. Ajo humbi territore strategjike dhe u vë në vështirësi ushtarake dhe monetare. Pas Luftës së Parë Botërore, në të cilën ajo u rreshtua krahas humbësve, Perandoria Osmane përfundimisht u shua duke u ndarë në shumë shtete të reja.

Në periudhën 1919-1922, një oficer ushtrie i quajtur Mustafa Kemal, udhëhoqi një luftë të suksesshme për pavarësi ndaj aleatëve që kishin pushtuar vendin. Ai i përkiste një grupi të “turqve të rinj” (xhonturqve), të cilët përpos mëvetësisë së Turqisë, kërkonin një riorientimin drastik të orientit. Jo më sulltanat; ai duhej shuar. Turqia tani do të bëhet republikë—moderne, sekulare dhe perëndimore.

Për herë të parë në historinë e këtij kombi të lashtë u bë një përpjekje e fuqishme që rendi shoqëror dhe politik të shkëputej nga despotizmi. Dhe kur të gjitha u thanë e u bënë, republika e atit të Turqisë erdhi nën petkun e vjetër. Republikë po, por përsëri me një despot.

Deri në vdekjen e tij në vitin 1938, për plotë 15 vite, Mustafa Kemali ishte president i caktuar e jo i zgjedhur i Republikës së Turqisë. Kurse partia e tij, Partia Republikane Popullore (CHP), sundoi e vetme pasi i ndaloi të tjerat.

U desh përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që Turqia të organizonte për herë të parë zgjedhje të lira dhe të rregullta. Në periudhën e demokracisë CHP i fitoi vetëm zgjedhjet e para, pasi pastaj pushtetin ia mori Partia Demokratike.

Por fryma e lirisë nuk zgjati shumë. Partia Demokratike u bë më autoritare në përfundimin e mandatit të saj dhe censurat u kthyen. Goditjen e fundit demokracisë ia dha ushtria, e cila organizoi grusht-shtetin e parë në Turqinë republikane në vitin 1960. Historia e autoritarizmit dhe despotizmit u përsërit. Dhe përsëri më 1971 e pastaj më 1980 kur ushtria rrëzoi edhe dy palë qeveri tjera të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Të tetëdhjetat sollën një rikthim të demokracisë. Qeveritë ndërroheshin por sistemi politik mbeti stabil. Dhe meqë stabiliteti u shoqërua me liberalizim ekonomik, Turqia filloi të zhvillohej. U krijua ndjenja që ajo më në fund do t’i qëndronte besnike rrugës së demokracisë. Por historia ka një prirje të fuqishme për t’u përsëritur. Aq më tepër në një vend si Turqia, e cila për pjesën më të madhe të historisë së saj ka qenë vend despotik dhe autoritar.

E këtu jemi tash. Kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, shpalli dhe fitoi një referendum për zgjerimin e fuqive të tij presidenciale. Vitet e fundit të tij u karakterizuan me një rritje të autoritarizmit, pasi përndoqi jo vetëm kundërshtaret e tij politikë por edhe gazetarët e akademikët të cilët e kritikonin me fjalën e lirë. Pas 15 viteve në pushtet si kryeministër dhe president, Erdoani tani mund të qëndrojë në fron deri në vitin 2029.

Referendumi u bë në rrethana kontraverse. Fushata kundër zgjerimit të fuqive të Erdoanit ishte pothuajse joekzistente, afishet e së cilës u hoqën nga militantët e pushtetit, kurse fushatës pro iu dhanë resurset shtetërore për të organizuar aktivitete. Bordi Suprem i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, mbi të cilin Erdoani tani do të ketë kontroll më të madh, i pranoi si të vlefshme rreth 1.5 milion fletëvotime që nuk përmbanin vula. Në fund, vetëm rreth 51% e votuesve ishin për ndryshimet kushtetuese, që tregon ndarjen e madhe të krijuar nga Erdoani në shoqërinë turke.

Fanatikët e Erdoanit kundërshtuan ashpër që një i zgjedhur me votën e popullit të quhet diktator, por kjo nuk është hera e parë në histori. Edhe Hitleri u zgjodh në mënyrë demokratike. Në fakt, rreziku që të zgjedhurit të bëhen tiranë posa të marrin aparatin shtetëror është e metë e madhe e demokracisë.

Kërkohet një studim gjithëpërfshirës filozofik, sociologjik dhe politik për të shpjeguar këtë prirje të fuqishme të Turqisë për të gravituar ndaj njerëzve si Erdoani dhe sistemeve me të cilat ata qeverisin. Me gjasë një pjesë e shpjegimit qëndron në kulturën lindore të kolektivizmit dhe autoritarizmit.

Turqia, Rusia, Kina dhe vendet tjera aziatike përherë e kanë shtypur individin si koncept në favor të një “të mire të përbashkët” mitike. Politikanët e kanë shfrytëzuar këtë dobësi të mendësisë lindore për t’i parashtruar kërkesat e tyre jo si përfitime personale por si përfitime të shtetit dhe shoqërisë.

Për shembull Erdoani në thirrjen e tij për të votuar pro asnjëherë nuk e përmend përfitimin personal nga pushteti, falë të cilit do të krijojë pasuri edhe më të madhe. Thirrja e tij është e përpiluar në mënyrë perfide për të krijuar gjithmonë përshtypjen se nga këto ndryshime kushtetuese do të forcohet shteti dhe shoqëria.

Është e pabesueshme sa shpesh i kanë realizuar politikanët agjendat e tyre personale nën petkun e shërbimit ndaj shoqërisë. E një mendësi kolektive është tokë pjellore për mbjelljen e këtyre mashtrimeve.

Atributi tjetër, autoritarizmi, nënkupton mospërfilljen për të drejtat individuale nëse ato shkelen në emër të “ligjit” apo “shoqërisë”. Trishtimi që ngjallë në kulturën perëndimore burgosja e një akademiku për fjalën e lirë nuk është e ngjashme me atë lindore. Toleranca është koncept më i dobët në vendet lindore; i pushtetshmi gjithmonë ka të drejtë. E kur njerëzit mendojnë kështu, politikanët despotë e kanë më të lehtë për ta përdorur dhunën dhe kërcënimin në forcimin e pushtetit të tyre.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.