Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova përballë rikthimit të politikave proteksioniste

Ekonomia botërore po shkon drejt një proteksionizmi të ri, të paparë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Proteksionizmi është politikë ekonomike që synon të mbrojë industritë vendore nga konkurrenca e huaj, duke përdorur mekanizma mbrojtës, përfshirë këtu tarifat, kuotat dhe subvencionet.

Në ekonominë më të madhe në botë, në SHBA, diskutimet e politikave mes përfaqësuesve të dy partive kryesore në vend, Demokratëve dhe Republikanëve, ndër të tjera, fokusohen në politikat e mbrojtjes së ekonomisë vendore dhe përkrahjes së prodhimit vendor.

Së fundi, vërehet një tendencë e theksuar nga presidenti Joe Biden për zhvillimin e politikave proteksioniste. Presidenti Biden rriti ndjeshëm tarifat doganore (taksën e importit) për produktet kineze, duke arritur deri në 100% për disa produkte (p.sh., veturat elektrike).

Edhe kandidati tjetër presidencial nga radhët e Republikanëve, Donald Trump, pajtohet me qasjen proteksioniste të Administratës Biden, duke thënë se “do të duhej ta kishin bërë shumë kohë më përpara”. Për më tepër, Trump planifikon që tarifat t’i aplikojë për të gjitha vendet, duke filluar me 10% për të gjitha importet.

Ky ndryshim substancial në politikëbërjen amerikane do të ketë pasoja të mëdha në nivel global, nga të cilat nuk do të shpëtojë as Kosova, e cila vazhdon të ketë qasje neoliberale ndaj tregtisë ndërkombëtare.

A janë tarifat efektive për ekonominë vendore?

Redaktori i Financial Times, Martin Wolf, argumenton se tarifat janë politikë e keqe, por taktikë e mirë politike. Si një nga neoliberalët më të zëshëm, Wolf argumenton se tarifat nuk janë politikë e mirë tregtare, pasi shfrytëzohen nga prodhuesit vendorë për t’i rritur çmimet. Gjithnjë sipas tij, nga vendosja e tarifave më së shumti dëmtohen qytetarët me të ardhura më të vogla.

Sidoqoftë, Wolf e njeh nevojën për të ndërhyrë në ekonomi, në mënyrë që të mbrohen dhe stimulohen bizneset e reja, të zvogëlohet pabarazia apo të arrihet stabiliteti makro-fiskal. Gjithsesi, këto qëllime duhet të arrihen përmes instrumenteve që nuk e pengojnë tregtinë e lirë.

Kosova ka histori të aplikimit të tarifave me Serbinë, së pari në vitin 2018 (tarifat 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja) dhe së fundi në vitin 2022 (ndaj disa produkteve serbe).

Vendimi për vendosjen e tarifave erdhi si kundërpërgjigje ndaj kidnapimit të policëve të Kosovës në Veri nga Policia serbe, dhe ende mbetet në fuqi për produktet finale (për lëndën e parë nuk aplikohet tarifë).

Efektet ekonomike janë të prekshme, pasi importet nga Serbia kanë rënë ndjeshëm. Në mungesë të statistikave, mbetet e paqartë sasia e zëvendësimit të importeve serbe me produktet vendore. Druajtja kryesore mbetet se importet serbe janë zëvendësuar thjesht me importe të vendeve të tjera.

Zëvendësimi i partnerëve importues mund të ketë efekt negativ për konsumatorët. Kjo ndodh pasi për të gjetur partnerë të rinj tregtarë, të cilët mund të jenë më larg Kosovës, firmave vendore u rriten kostot e biznesit. Kësisoj, distanca gjeografike, së bashku me rritjen e kostos së të bërit biznes, reflektohet në çmimet finale të produkteve në treg.

Sidoqoftë, Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me shumicën e partnerëve tregtarë dhe kjo e limiton mundësinë për aplikimin e tarifave doganore për vendet e tjera. Kështu, nevojiten politika të tjera jotarifore, përmes së cilave do të mund të mbroheshin dhe përkraheshin prodhuesit vendorë.

Dizajnimi i një politike për përkrahjen e bizneseve vendore

Politika industriale është forma dominuese e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, duke shënuar një rritje të konsiderueshme të aplikimit nëpër botë, nga 228 aplikime më 2017, në 1,568 në vitin 2022.

Një ndër qëllimet kryesore të kësaj politike është nxitja e rritjes së produktivitetit, duke ofruar subvencione, incentiva tatimore, zhvillim të infrastrukturës, trajnime dhe forma të tjera të mbështetjes.

Në vitet e fundit, numri i vendeve që nxisin inovacionin dhe investimet në teknologji përmes subvencioneve është rritur ndjeshëm. Nga ekonomistët botërorë, ky trend quhet ndryshe si Lufta Globale me Subvencione.

Nevoja për përfshirje më aktive të qeverisë në ekonomi është theksuar edhe nga ekonomistët vendorë. Profesori i tregtisë ndërkombëtare, Petrit Gashi, në një punim të prezantuar në Akademinë e Shkencave të Kosovës, propozon themelimin e strategjisë së industrializimit (punimi është në proces të publikimit). Sipas tij, kjo strategji do ta ndryshonte strukturën ekonomike dhe do të krijonte norma më të larta të rritjes dhe zhvillimit.

Profesori Gashi, ndër të tjera, argumenton se duhet të ketë kritere të qarta për matjen e performancës së instrumenteve të politikave, në mënyrë që të mundësohet monitorimi i efekteve në periudha afatshkurtra. Sipas tij, kriteret duhet të ndërlidhen me nivelin e produktivitetit, krijimin dhe shpërndarjen e dijes, nivelin e eksportit dhe inovacionit.

Në vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndarë subvencione për bizneset prodhuese dhe bizneset në pronësi të grave. Këto subvencione janë realizuar kryesisht përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Megjithatë, këto subvencione nuk e kanë ndryshuar qasjen e vendit karshi ekonomisë, pasi masat fiskale nuk janë shndërruar në politika të vazhdueshme.

Në vend të masave fiskale njëpërdorimëshe, nevojitet politikë e vazhdueshme për përkrahjen e bizneseve, e cila parimisht do të fokusohej në subvencionimin e sektorëve më potencialë për rritje.

Krejt në fund, duhet theksuar që modeli i përkryer i përkrahjes së prodhimit vendor nuk ekziston, pasi, siç thotë Martin Wolf, kur ka para mbi tavolinë (subvencione), prodhuesit dështakë janë të parët që paraqiten. Për këtë arsye, monitorimi i efekteve dhe ridefinimi i potencialit ekonomik duhet të jenë të vazhdueshëm.

You May Also Like

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Kritikë

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023) Mbi Ninullën e Adrian Asllanit Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.