Dje në Prishtinë u mbajt punëtoria “Paralajmërimi i Hershëm dhe Veprimi i Hershëm Kundër Ideologjive Ekstremiste”, organizuar nga Sbunker-i në kuadër të projektit “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë: Prirjet, Sfidat dhe Kundër-Masat” mbeshtetur përmes programit Matra të Embassy of the Netherlands in Kosovo.
Kjo punëtori u udhëhoq nga Adelina Hasani, ku pas një ligjërate, ajo angazhoi pjesëmarrësit me pyetje dhe diskutime, duke nxitur debate mbi narrativat etnonacionaliste, antigjinore, fetare dhe ideologji të tjera ekstremiste.
Ky aktivitet interaktiv ka sjellë së bashku mësimdhënës, punonjës socialë, policë komunitarë, udhëheqës fetarë dhe profesionistë të tjerë, duke ofruar mundësi për zhvillimin e aftësive për të adresuar sfidat e ekstremizmit.
Pjesëmarrësit kishin mundësinë të angazhoheshin në punë grupore dhe të bashkëpunonin për të identifikuar shenjat e hershme të ekstremizmit, si dhe për të zhvilluar strategji efektive për parandalimin e tij. Ky program i dedikuar ka kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë së komunitetit dhe promovimin e masave proaktive kundër kërcënimeve ekstremiste.