Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

“NTV.al” publikon disa artikuj të pambështetur në fakte, pas fitores së Trumpit në SHBA

NTV.al ka shpërndarë disa artikuj të pambështetur në fakte në lidhje me raportin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.

Në zgjedhjet e 5 nëntorit, Donald Trumpi garoi kundër zëvendëspresidentes aktuale, demokrates Kamala Harris. Trumpi u shpall fitues i zgjedhjeve me më shumë se 270 vota të domosdoshme të Kolegjit Elektoral. Media online nga Shqipëria “NTV.al” u është rikthyer spekulimeve lidhur me qasjen që presidenti i ri i SHBA-së do ta aplikojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shpërndarë artikuj me tituj sensacionalistë, që nuk mbështeten edhe në përmbajtje.

Më 11 nëntor 2023, ky portal publikoi një artikull me titullin: “Trump viziton Kosovën?/ Thyhet pasqyra e Vuçiq, teksa gatuhet lufta e fshehtë”.

Brenda tekstit citohen themeluesi i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, Dushan Janjiq, dhe ish-diplomati nga Kosova, Edon Cana, të cilët kanë folur për rikthimin e Donald Trumpit si president në Shtëpinë e Bardhë, tek analizuan se si do të ndikojë pushteti i tij në Ballkan, përkatësisht dialogun Kosovë–Serbi. Askund në përmbajtje nuk përmendet se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të vizitojë Kosovën dhe nuk ka deklarim për ndonjë luftë të fshehtë, ashtu siç ky portal ka pretenduar në titull.

Duke mos ofruar të dhëna që mbështesin pretendimin në titull, artikujt e tillë kategorizohen si “clickbait” me përmbajtje keqinformuese.

Më 13 nëntor 2024, NTV.al publikoi edhe një tjetër artikull me titullin: “Kurti në Kthetrat e Trump/ Fillimi i dëmshëm i fundit të pashmangshëm tragjik”. Në përmbajtje është paraqitur deklarata e ish-analistit të CIA-s, David Kanin, tani profesor i Studimeve Europiane në Universitetin “Johns Hopkins” në SHBA. Ai ka komentuar fitoren e Donald Trumpit në SHBA në zgjedhjet e 5 nëntorit dhe zhvillimet që mund të ndodhin në Ballkan dhe Kosovë.

“Albin Kurti mund t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë, por jashtë vendit është shumë jopopullor. Ai, pas zgjedhjes së Trumpit, do të përballet me SHBA-në, që mund të jetë e prirë për ta ndihmuar Vuçiqin me politikat ndaj Kosovës”, citohet të ketë thënë Kanin, pa treguar burimin e intervistës së mediumit për të cilin ka folur. Pas hulumtimit në mediat online, del se intervista është publikuar nga Radio Evropa e Lirë.

Në asnjë pjesë të përmbajtjes nuk thuhet se kryeministri i Kosovës është nën “kthetrat” e Trumpit, apo se do të ketë fund tragjik për të.

Pas fitores në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar kandidatin republikan, Donald Trump. “SHBA-ja është një aleate kyçe, mike dhe partnere për Kosovën, dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”,  ka shkruar Kurti në X.

Ai kishte pasur përplasje të shumta në mandatin e parë me vartës të Trumpit, pasi e formoi koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pikërisht marrëdhëniet me SHBA-në u morën pretekst nga LDK-ja për ta iniciuar një mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1.

Në prill të vitit 2020, Kurti pati deklaruar se nisma për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, e votuar në Kuvend më 25 mars, ishte e koordinuar me ambasadorin Richard Grenell, atëkohë Emisar i Trumpit për dialogun Kosovë–Serbi. Sipas Kurtit, Qeveria u rrëzua vetëm pse Grenellit po i ngutej që të nënshkruante marrëveshje me Serbinë për shkëmbim të territoreve. Por, ambasadori Grenell e pati mohuar se kishte pasur diskutime për shkëmbim të territoreve, derisa Kurtin e pati quajtur “antiamerikan”.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.