Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Kritikë

“Zoti nuk është i madh”: thyerja e iluzionit fetar nga Christopher Hitchens

Foto nga TabletMag.

Zoti nuk është i madh: si helmon feja gjithçka” (God Is Not Great: How Religion Poisons Everything), shkruar nga publicisti Christopher Hitchens dhe botuar në vitin 2007

Libri argumenton se fetë e organizuara (p.sh., Islami dhe Katolicizmi) nuk janë vetëm të pavërteta, por edhe të dëmshme për shoqërinë. Libri është i shkruar në formë të polemikës. Çdo kapitull është ndërtuar me ritmin e një prokurori që tenton të ekspozojë kontradikta dhe të pavërteta.

Sipas Hitchens-it, feja nuk është thjesht e gabuar; ajo shpesh shndërrohet në një forcë toksike për shoqëritë, duke ndikuar negativisht në mendimin kritik, etikën dhe marrëdhëniet shoqërore.

Libri ngre disa pyetje thelbësore që vazhdojnë të jenë aktuale: çfarë ndodh kur identiteti fetar bëhet më i rëndësishëm se ai qytetar, kur morali trajtohet si monopol i besimit dhe kur frika nga ofendimi e zëvendëson debatin racional?

Për Hitchens-in, rreziku më i madh nuk qëndron thjesht në ekzistencën e fesë, por në momentin kur ajo shndërrohet në një autoritet politik, kulturor apo moral, që nuk lejon hapësirë për sfidim dhe nuk pranon të vihet në dyshim nga klerikët apo prijësit fetarë.

Hitchens-i intrigon lexuesin që në titull

Libri është një thirrje për autonomi mendore dhe mendim të pavarur. Hitchens-i tenton ta bëjë këtë që në fillim, madje që në titull, i cili nuk është thjesht një deklaratë provokuese, por një pozicion i qartë intelektual.

Duke thënë se “Zoti nuk është i madh…”, ai që në fillim e vendos lexuesin përballë një sfide: të mos e pranojë autoritetin e një ideje vetëm sepse është e shenjtë apo e trashëguar.

Ndërsa pjesa e tjetër e titullit “…si helmon feja gjithçka” është një sulm i qëllimshëm dhe i drejtpërdrejtë, me një ton gati teatral, i ndërtuar për të sfiduar dhe për të nxitur reagim te lexuesi.

Për Hitchens-in, ky lloj diskursi nuk është thjesht zbukurim stilistik, por një mjet retorik i domosdoshëm për të hapur dhe zhvilluar një debat të mirëfilltë intelektual.

Çfarë thotë Hitchens-i për fenë e organizuar?

Hitchens-i nuk merret kryesisht me besimin individual, por me fenë e organizuar, një sistem i strukturuar besimesh, doktrinash, rregullash, praktikash dhe një udhëheqjeje hierarkike.

Hitchens-i nuk pretendon se besimtarët janë domosdoshmërisht njerëz të këqij. Madje ai shpesh shkruan me një lloj respekti sentimental për disa figura fetare, për liturgjinë, për muzikën sakrale apo për arkitekturën kishtare.

Në thelb, argumenti i tij është se feja si sistem mendimi kërkon nënshtrim dhe se nënshtrimi përbën armikun më të madh të mendimit të lirë.

Për Hitchens-in, feja nuk kuptohet vetëm përmes teksteve, por përmes historisë së dhunës, censurës, luftërave dhe kontrollit shoqëror.

Ai argumenton se feja e organizuar, në këtë rast Katolicizmi dhe Islami, përdor censurën dhe dhunën për të arritur qëllimet e saj, njësoj si çdo organizatë tjetër autoritariane.

Nga Inkuizicioni në Spanjë kundër hebrejve e deri te fetvaja në Iran kundër shkrimtarit Salman Rushdie, për “krimin” e shkrimit të një libri që autoritetet fetare nuk e konsideronin të pranueshëm, Hitchens-i e paraqet fenë si një forcë eliminuese.

Për Hitchens-in, momenti më i rrezikshëm në histori është kur një njeri beson se zotëron të vërtetën absolute dhe, edhe më keq, kur beson se kjo e vërtetë i është dhënë nga një autoritet hyjnor dhe e përdor këtë autoritet për të justifikuar veprimet e tij.

Mangësitë e librit

Në disa raste, Hitchens-i e ngatërron fenë me format e saj më primitive dhe më fanatike. Ka momente kur argumenti i tij bëhet aq totalizues, sa duket sikur nuk lë hapësirë për dimensionin filozofik apo ekzistencial të besimit.

Ndonjëherë ai polemizon më shumë sesa analizon, ndërsa në disa kapituj ritmi retorik mbizotëron mbi nuancën.

Lexuesi i kujdesshëm vëren se Hitchens-i, megjithëse i pamëshirshëm ndaj dogmës fetare, mund të rrëshqasë vetë në një formë të dogmatizmit racionalist. Një shembull konkret është mënyra se si ai e trajton Islamin pothuajse ekskluzivisht përmes ekstremizmit, terrorizmit dhe censurës fetare.

Hitchens-i e redukton fenë kryesisht në një produkt të injorancës primitive njerëzore dhe të frikës ekzistenciale, duke e interpretuar si një fazë të hershme të zhvillimit njerëzor që duhej tejkaluar me avancimin e arsyes dhe shkencës.

Për kritikët e tij, ky është pikërisht momenti kur argumenti i Hitchens-it bëhet tepër totalizues dhe humb ndjeshmërinë ndaj dallimeve të brendshme brenda traditave fetare. Në këtë mënyrë, ai nuk arrin të bëjë një ndarje të qartë mes besimit filozofik të mendimtarëve si Thomas Aquinas.

Kjo mungesë diferencimi e dobëson analizën e tij, pasi e shndërron fenë në një kategori të vetme shpjeguese për dukuri shumë të ndryshme historike, kulturore dhe intelektuale.

Si duhet lexuar libri?

Në librin e tij, Hitchens-i nuk të flet si një profesor që kërkon konsensus, por si një autor që e trajton debatin si formë arti. Ai të kujton se inteligjenca nuk qëndron vetëm në aftësinë për të ditur, por edhe në guximin për të kundërshtuar.

Megjithatë, paradoksi më interesant i librit është se pavarësisht tonit të ashpër, ai nuk është tekst i urrejtjes, por më shumë një tekst zhgënjimi ndaj njerëzimit.

Hitchens-i e sheh fenë si një shprehje të frikës njerëzore përballë pasigurisë dhe së panjohurës. Ai nuk e mohon nevojën njerëzore për kuptim; përkundrazi, kundërshton idenë se ky kuptim duhet të ndërtohet mbi bindje të verbra ose të pranuara pa kritikë.

Libri është veçanërisht i rëndësishëm për t’u lexuar në shoqëri konformiste si Kosova, ku hapësira publike dhe debati shpesh ngushtohen në përkatësi identitare si feja dhe etnia, ku kritika lehtësisht interpretohet si sulm personal dhe ku mendimi i pavarur ende shihet me dyshim.

Në këtë kontekst, Hitchens-i shërben si kujtesë se demokracia nuk matet vetëm me të drejtën për të folur, por edhe me aftësinë dhe gatishmërinë për të dëgjuar ide që na shqetësojnë.

Libri nuk kërkon domosdoshmërisht pajtim me autorin; përkundrazi, mesazhi i tij kryesor është një apel për të mos ia dorëzuar mendjen askujt pa e vënë më parë në provë.

Pothuajse dy dekada pas botimit, ky libër mbetet një nga veprat më me peshë të shekullit XXI, jo thjesht si kritikë ndaj fesë, por si një reflektim i gjerë mbi mendimin kritik, autoritetin, dogmën dhe prirjen njerëzore për t’ia deleguar gjykimin dikujt tjetër.

Vlera e tij qëndron më shumë në pyetjet që ngre, sesa në përgjigjet që ofron, duke sfiduar mënyrën se si pranojmë bindjet e gatshme dhe duke na kujtuar se liria intelektuale fillon aty ku mbaron bindja e verbër.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.