Gjatë vizitës në Bruksel, Drejtori Ekzekutiv në Sbunker, Fitim Gashi, më 11 qershor u takua me anëtarët e ekipit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Zyrtarët e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) mirëpritën publikimin e Raportit mbi Procesin e Normalizimit Kosovë–Serbi nga Sbunker dhe CEP, tek i përgëzuan autorët, Gashi dhe Milos Pavkoviq (CEP) për ofrimin e një analize gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në fakte mbi ecurinë e dialogut.
Ata vlerësuan se raporti shërben si një bazë e rëndësishme në të ardhmen për matjen e progresit, identifikimin e ngecjeve dhe adresimin e sfidave që vazhdojnë ta pengojnë përparimin në procesin e normalizimit.
Duke përdorur metodologjinë “Indeksi i Normalizimit”, raporti i cili u publikua javën e kaluar në Bruksel, mat progresin e zbatimit të marrëveshjeve gjatë periudhës 2023–2026. Gjetjet tregojnë se, tre vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, niveli i përgjithshëm i zbatimit mbetet në 21.1%.
Sipas raportit, ngecjet në proces nuk lidhen vetëm me mungesën e vullnetit politik nga palët, por edhe me sfida strukturore në vetë arkitekturën e dialogut.
Autorët e raportit dhe zyrtarët e BE-së shkëmbyen mendime edhe për hapat e ardhshëm në dialog, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile, në mbështetje të një procesi të qëndrueshëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Raporti për Dialogun publikohet në kuadër të projektit “Mbështetja e zgjerimit të BE-së përmes procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: Shoqëria civile si nxitëse e progresit” dhe mbështetet nga Open Society Institute – Sofia Foundation (OSIS) përmes programit “Think Tanks for the Future of EU Enlargement Program” (TFEP).






























































