Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Gjykata Supreme i jep fund një padrejtësie të madhe: pensionistëve u kthehet dinjiteti

Ilustrimi nga: BigEye

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin e Pensioneve, për të vërtetuar se janë të gjallë, në mënyrë që t’i marrin pensionet që u takojnë me ligj.

Të tjerët, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten fizikisht, janë lënë pa të ardhura për muaj të tërë, duke u detyruar të riaplikojnë për një të drejtë e cila veçse u takon me ligj.

Në vend që të ndërtohen mekanizma funksionalë të verifikimit ndërinstitucional, është zgjedhur një rrugë më e lehtë, duke suspenduar automatikisht pagesat dhe duke zhvendosur barrën e provës për jetën te pensionistët.

Kësaj padrejtësie dhe shkeljeje të dinjitetit njerëzor i erdhi fundi më 17 dhjetor 2025. Vendimi i Gjykatës Supreme e ndërpreu këtë praktikë, duke e rikthyer debatin te thelbi i problemit, kufijtë e pushtetit administrativ dhe mbrojtja e të drejtave sociale.

Aktgjykimi nuk korrigjon thjesht një udhëzim administrativ të një ministrie, por e demaskon qasjen shtetërore që për vite me radhë i ka trajtuar pensionistët me ndëshkim e pa dinjitet, duke ua mohuar një të drejtë bazike njerëzore që u takon me ligj.

Si përfundoi rasti në Gjykatën Supreme?

Një pensionist kishte përfituar pensionin rregullisht deri në momentin kur ishte detyruar të qëndronte përkohësisht jashtë vendit për arsye shëndetësore. Pas kthimit në Kosovë, ai vërejti se pensioni i tij ishte ndërprerë për tre muaj rresht, pa njoftim dhe pa verifikim paraprak nga institucionet.

Kur personi në fjalë u paraqit në zyrat e pensioneve në Mitrovicë, iu kërkua të riaplikonte për pension, sikur të mos bëhej fjalë për një të drejtë tashmë të fituar.

Edhe pse pagesat e pensioneve rifilluan, pensionisti kundërshtoi humbjen e tre muajve të pensionit, duke argumentuar se ligji parasheh ndërprerje vetëm në rast të vdekjes ose mashtrimit.

Mosparaqitja e përkohshme dhe qëndrimi jashtë vendit nuk përbëjnë bazë ligjore për humbje të pensionit, por ankesa e tij u refuzua nga administrata, duke u mbështetur në afate të përcaktuara me udhëzimin administrativ. Si rezultat, pensionisti në fjalë iu drejtua gjykatës.

Si vendosi Gjykata?

Verdikti i Gjykatës Supreme thotë se një akt nënligjor sikurse një udhëzim administrativ nuk mund të krijojë pasoja materiale që ligji nuk i ka paraparë.

Me fjalë të tjera, një e drejtë sociale dhe pronësore sikurse pensioni nuk mund të kushtëzohet me rregulla të brendshme administrative që tejkalojnë autorizimet ligjore.

Ky konstatim godet në zemër një praktikë të rrënjosur në disa institucione, ku aktet nënligjore nuk përdoren për zbatim të ligjit, por për të zgjeruar kontrollin administrativ aty ku ligji qëllimisht nuk ka paraparë kufizime.

Gjithashtu, Gjykata Supreme theksoi se ligji obligon institucionet publike të monitorojnë aktivisht burimet zyrtare të informatave. Sipas Gjykatës, monitorimi burimeve nuk është në diskrecion të Ministrisë, por detyrim ligjor. Me fjalë të tjera, detyrimi mbi verifikimin e jetës i takon Ministrisë.

Një tjetër dimension thelbësor i aktgjykimit lidhet me parimin e proporcionalitetit. Gjykata Supreme është kategorike në aspektin se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit:

“…suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit (ultima ratio)…”

Në praktikën e MFPT-së, mosparaqitja është trajtuar si shkak i mjaftueshëm për ndalim të menjëhershëm të pensionit, pa asnjë analizë të rrethanave konkrete dhe pa përdorur asnjë formë tjetër të verifikimit.

Për pensionistët, kjo ka nënkuptuar jo vetëm humbje financiare, por edhe ndjenjë të pasigurisë dhe poshtërimit nga institucionet.

Një fitore e përgjithshme për demokracinë

Për pensionistët, ky vendim është më shumë sesa një fitore gjyqësore. Ai është një rikthim i dinjitetit dhe konfirmim se shteti nuk mund të ndërtojë politika sociale mbi logjikën e ndëshkimit.

Por, përtej rastit në fjalë, rëndësia e këtij vendimi është shumë më e gjerë. Ai vendos një precedent të fortë kundër praktikave administrative që krijojnë detyrime dhe pasoja materiale pa bazë ligjore.

Vendimi i Gjykatës Supreme e rikthen Kosovën në një trajektore më të afërt me standardet demokratike, duke riafirmuar se mbrojtja sociale nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e dyshimit dhe ndëshkimit.

Ky vendim përbën një mesazh të qartë për të gjithë administratën publike – se aktet nënligjore nuk mund të përdoren për të zëvendësuar ligjin dhe për të kufizuar të drejtat themelore. Mbi të gjitha, bën thirrje për reflektim dhe ndryshim rrënjësor të praktikave administrative.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.