Të enjten në Bruksel është mbajtur tryezë me titull “Procesi i Normalizimit Kosovë–Serbi: Midis Zbatimit dhe Menaxhimit të Krizave”, organizuar nga Carnegie Europe, Sbunker dhe Centre for European Policy (CEP) nga Beogradi.
Në tryezë morën pjesë zyrtarë të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) të angazhuar drejtpërdrejt në dialogun Kosovë–Serbi, përfaqësues të Komisionit Evropian, NATO-s, diplomatë, si dhe ekspertë nga organizata të shoqërisë civile dhe institute kërkimore nga rajoni e Evropa.
Në qendër të diskutimit ishte prezantimi i raportit të përbashkët “Shadow Report on the Kosovo-Serbia Normalisation Process: Between Agreement Implementation and Managing Tensions”, me autorë Fitim Gashi (Sbunker) dhe Miloš Pavković (CEP).
Raporti paraqet vlerësimin e përbashkët mbi zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përmes metodologjisë e cila aplikohet për herë të parë, e njohur si “Indeksi i Normalizimit”.
Gjetjet tregojnë se, tre vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, niveli i përgjithshëm i zbatimit mbetet në 21.1 për qind.
Ngecjet në proces nuk lidhen vetëm me mungesën e vullnetit politik nga palët, por edhe me sfida strukturore në vetë arkitekturën e dialogut.
Pjesëmarrësit në tryezë vlerësuan se mungesa e vullnetit politik, paqartësitë në formulimin e marrëveshjeve, mungesa e mekanizmave efektivë të zbatimit dhe krizat e shpeshta në terren kanë bërë që dialogu shpesh të kalojë nga një proces normalizimi në një proces të menaxhimit të krizave.
U theksua se progresi i ardhshëm do të varet jo vetëm nga angazhimi i Kosovës dhe i Serbisë, por edhe nga aftësia e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për të siguruar zbatim më të madh të marrëveshjeve ekzistuese.
Pjesëmarrësit vlerësuan se formimi i institucioneve të reja në Kosovë dhe përpjekjet për riaktivizimin e procesit krijojnë mundësi për rifillimin e diskutimeve thelbësore. Megjithatë, u theksua se suksesi nuk duhet të matet me arritjen e marrëveshjeve të reja, por me zbatimin konkret të atyre që tashmë ekzistojnë.
Raporti për Dialogun publikohet në kuadër të projektit “Mbështetja e zgjerimit të BE-së përmes procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: Shoqëria civile si nxitëse e progresit” dhe mbështetet nga Open Society Institute – Sofia Foundation (OSIS) përmes programit “Think Tanks for the Future of EU Enlargement Program” (TFEP).
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: Shadow Report on the Kosovo-Serbia Normalisation Process
































































