Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndarjet e partive politike në Ballkan (5): Ndarjet e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci e Bosnje

Kjo trajtesë e ndarë në pesë pjesë do ta shtjellojë historikun e ndarjes së partive politike në rajonin e Ballkanit. Pjesa e parë dhe e dytë do të analizojnë historikun e ndarjeve në Kosovë, me ç’rast pjesa e parë do të merret vetëm me ndarjen e Vetëvendosjes, duke qenë rasti më i freskët, gjersa pjesa e dytë me ndarjen e partive të tjera në Kosovë. Pjesa e tretë do t’i shqyrtojë ndarjet e partive politike në Shqipëri, e katërta ndarjet e partive në Maqedoni, ndërkohë që pjesa e pestë dhe e fundit do ta përmbledhë ndarjen e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në dhjetor 1989, një grup intelektualësh serbë vendosën ta krijonin Partinë Demokratike (DS), e cila kishte ekzistuar që para Luftës së Dytë Botërore. Gara e parë për kreun e partisë u zhvillua mes Dragoljub Mićunović-it and Kosta Čavoški-t, të cilën e fitoi ky i pari, por që më 1990 u largua për arsye se nuk e përkrahte kursin nacionalist të partisë dhe në vend të tij si kryetar erdhi filozofi i ri, Zoran Đinđić. Në anën tjetër, Čavoški e braktisi partinë së bashku me një grup intelektualësh dhe e krijuan Partinë Liberale Serbe e cila avokonte për rikthimin e monarkisë.

Dy vite më vonë, një ndarje akoma më e madh do të ndodhte. Vojislav Koštunica, nënkryetari i partisë, me një grup tjetër themeluesish të partisë, vendosi të largohej për shkak të kritikave ndaj udhëheqjes së partisë, sidomos në lidhje me bashkangjitjen në koalicionin DEMOS të partive nacionaliste. Në korrik 1992, Koštunica e themeloi Partinë Demokratike të Serbisë (DSS), duke marrë me vete edhe shumë prej themeluesve të partisë dhe një pjesë të konsiderueshme të anëtarësisë së partisë.

Por, këto dy parti do të bashkoheshin në vitin 2000 në garën kundër Slobodan Milošević-it dhe më pas në rrëzimin e tij nga pushteti. Në mandatin e parë, Koštunica i DSS-së ishte President i Jugosllavisë, kurse Đinđić-i i DS-së kryeministër. Pas vrasjes së këtij të fundit, kryetar i DS-së u zgjodh Boris Tadić, i cili më pas do të bëhej President i Serbisë, kurse Koštunica kryeministër i Serbisë.

Një parti tjetër në fillet e pluralizimit politik serb ka qenë edhe Lëvizja e Ringjalljes Serbe (SPO), e udhëhequr nga shkrimtari nacionalist, Vuk Drašković dhe studiuesi nacionalist i shkencave sociale, Vojislav Šešelj. SPO-ja që kishte orientim neoçetnik dhe promonarkist u nda në vitin 1991 dhe Šešelj-i e krijoi Partinë Radikale Serbe (SRS), e cila gjatë viteve ’90 njëkohësisht ishte rivalja dhe bashkëpuëntorja kryesore e Partisë Socialiste Serbe (SPS) të presidentit Milošević. Por, as vetë SRS-ja nuk i shpëtoi ndarjeve të brendshme.

Pasi që më 2003 lideri i saj Šešelj u thirr nga Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi, brenda SRS-së filluan përçarjet e brendshme. Kryetari dhe nënkryetari i ri i partisë, gjegjësisht Tomislav Nikolić-i dhe Aleksandar Vučić-i filluan të shprehin mospajtime me liderin historik të SRS-së dhe në vjeshtën e vitit 2008 ata e braktisën partinë duke synuar krijimin e një force të reformuar e cila do të ishte më properëndimore dhe jodogmatike se SRS-ja.

Në tetor të atij viti, Nikolić-i dhe Vučić-i e krijuan Partinë Përparimtare Serbe (SNS) e cila që nga viti 2012 është në qeveri dhe deri tani ka dhënë dy presidentë të Serbisë – Nikolić-in dhe Vučić-in – dhe dy kryeministra – Vučić-in dhe Brnabić-in. Gjersa SNS-ja pas ndarjes shënoi sukses, duke arritur në zgjedhjet e vitit 2016 gjer në 48 përqind, SRS-ja vetëm shkoi në rënie të lirë, madje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, SRS-ja për herë të parë nuk e kaloi as pragun zgjedhor dhe mori vetëm 4.6%. Lirimi nga burgu i liderit të saj historik, Šešelj-it, në vitin 2014 e ngjalli pak partinë por asnjëherë nuk e ktheu në fuqinë e saj të kahmotshme.

Në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë (BiH) partitë tradicionale e kanë ruajtur kompaktësine e tyre përgjatë tri dekadave të fundit dhe akoma mbizotërojnë skenën politike atje. Përkundër ndonjë largimi të vogël, nuk ka pasur ndonjë ndarje të madhe që do t’i dëmtonte në Kroaci Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ) e Partinë Socialdemokrate (SDP) ose në BiH Partinë e Veprimit Demokratik (SDA), Partinë Socialdemokrate (SDP), Unionin Demokratik Kroat të BiH (HDZ), Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Partinë Demokratike Serbe (SDS), etj.

Në anën tjetër, në Republikën e Malit të Zi ka qenë më i theksuar fenomeni i ndarjeve. Në fakt, gjer në vitin 1996 Mali i Zi më shumë ta kujtonte një sistem de facto njëpartiak se një sistem demokratik pluralist. Në qershor 1991, krerët e Lidhjes së Komunistëve të Malit të Zi (SKC), Momir Bulatović-i, Milo Đukanović-i dhe Svetozar Marović-i, duke e ndjekur shembullin e aleatit të tyre në Beograd, Milošević-it, e transformuan atë parti në Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS).

DPS-ja e dominoi skenën politike në Mal të Zi, duke fituar bindshëm në zgjedhjet parlamentare. Por, pas vitit 1997, numri dy i partisë, kryeministri karizmatik malazez Đukanović vendosi që ishte koha t’i ndante udhët me Milošević-in dhe nacionalizmin serb. Në këtë pikë ai hasi në rezistencë nga Presidenti malazez Bulatović.

Por, për shkak që nuk e pranoi vijën e re partiake të moderimit, ky i fundit u përjashtua nga partia që e udhëheqte dhe e krijoi partinë e re, Partinë Socialiste Popullore (SNP), por me të cilën asnjëhere nuk arriti ta rivalizonte DPS-në e Đukanović-it i cili akoma edhe sot, tridhjetë vite më vonë, vazhdon ta mbizotërojë skenën politike malazeze, i pashqetësuar nga ndonjë opozitë serioze.

DPS-ja edhe më vonë ka pasur disa ndarje të vogla, por të cilat nuk e kanë lëkundur nga pozita e partisë së parë në vend. Njëjtë, ndarje fraksionesh ka pasur edhe nga SNP-ja e Bulatović-it. Në vitin 2015 u krijua “Mali i Zi demokratik” prej ish-anëtarëve të SNP-së që në zgjedhjet e vitit 2016 morën 8 ulëse, krahas 3 ulëseve të SNP-së.

Natyrisht, fenomeni i ndarjes së partive politike as nuk është zbuluar në Ballkan dhe as nuk mund t’i atribuohet vetëm Ballkanit, përndryshe do të bimim në grackën e “ballkanizimit” – term ky aq i dashur për lexuesin grotesk të zhvillimeve politike në këtë rajon. Por, natyrisht, duke qenë një regjion që akoma s’i ka mbushur tri dekada të sistemit politik pluralist, Ballkani është përballur me problemin e ndarjeve të vazhdueshme brenda partive politike që ka çuar në fragmentarizimin e skenës politike, paçka që në shumë prej vendeve të rajonit sistemi elektoral i favorizon partitë e mëdha.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.