Dje, më 30 shtator, në bashkëpunim me organizatën CASA, u mbajt diskutimi i katërt publik në Mitrovicën e Veriut, si pjesë e projektit “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë: Prirjet, sfidat dhe kundër-veprimet”, i mbështetur nga programi Matra i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Diskutimi u moderua nga Boban Simic, ndërsa tema me titull “Kuptimi i Ekstremizmit në kontekste Intra-Komunitare” u trajtua nga ligjëruesi Bojan Elek. Diskutimi filloi me një interaksion të menjëhershëm me pjesëmarrësit, duke kontribuar në një atmosferë të hapur që e bëri diskutimin edhe më produktiv.
Elek dha një analizë të plotë të ekstremizmit, duke përshkruar faktorët kryesorë që kontribuojnë në shfaqjen e tij. Ai theksoi tre komponentë thelbësorë: të kuptuarit e ekstremizmit, reagimet emocionale që ai shkakton dhe veprimet që ai nxit te individët. Duke treguar se ekstremizmi shpesh është rezultat i një sërë rrethana shoqërore, natyrore dhe margjinalizuese, që fillon nga ndikimet e përkatësisë, identitetit, liderëve, por duke e përfshirë edhe rolin e rëndësishëm që kanë edhe rrjetet sociale në rritjen e ekstremizmit. Përveç ligjëratës nga Bojan Elek, pjesëmarrësit ndanë gjithashtu edhe eksperiencat e tyre dhe mendimet personale lidhur me ekstremizmin brenda komunitetit, duke mos hezituar e duke kontribuar në një bisedë të pasur dhe domethënëse që pasqyron kompleksitetin e fenomenit të ekstremizmit.