Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Regresi i të drejtave të njeriut në Kosovë: kërcënim për të gjithë

Ilustrimi: Big Eye

Më 9 tetor 2024, politikani opozitar serb nga Kosova, Aleksandar Arsenjeviq, u arrestua për herë të gjashtë për fishkëllima me bilbil në Mitrovicën e Veriut ndaj një zyrtari të Qeverisë së Kosovës.

Te serbët e Kosovës përherë e më shumë po shpërndahet protesta “Pistaljka”, për të shfaqur kundërshtinë e tyre ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri. 

Arsenijeviq u ndalua për 48 orë, por u lirua pas 24 sosh. Tani ndaj tij mbetet në fuqi urdhërndalesa që i kërkon të qëndrojë, së paku 40 metra, larg Visar Sylës, shefit të kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, i cili e dorëzoi ankesën.

Pa marrë parasysh nëse pajtoheni apo nuk pajtoheni me motivet e protestuesve, individi e gëzon të drejtën për të protestuar lirshëm dhe për t’i shprehur paqësisht pikëpamjet e veta, edhe nëse kjo bëhet në ndonjë mënyrë të bezdisshme. Në fakt, shqetësimi i elitës politike dhe alarmimi i publikut është pikërisht synimi i një proteste legjitime dhe paqësore. 

Arrestimet e përsëritura të Arsenijeviqit janë shkelje e shumë normave të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës, përfshirë këtu të drejtën e lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit.

Kjo duhet t’i alarmojë të gjithë kosovarët. Nëse Qeveria mund t’i shkelë kaq hapur të drejtat e Arsenijeviqit dhe komunitetit serb, kush do të jetë caku i radhës? Gratë? Individët nga komuniteti LGBTQ+? Personalitetet opozitare? Gazetarët? 

Mënyra përherë e më e dhunshme e arrestimeve të Arsenijeviqit është mesazh i qartë për njerëzit që guxojnë të flasin kundër shtetit.

Por, rasti i tij nuk është e vetmja gjë shqetësuese sa u takon shkeljeve të Qeverisë së Kosovës në veri. Qeveria e Kosovës, gjithashtu, ka shpronësuar ilegalisht prona nga serbët e veriut për t’i përdorur vetë, shpesh për baza policore dhe pika të kontrollit.  

Së fundmi, kjo ka ndodhur edhe në Graçanicë, ku qeveria lokale e ka kundërshtuar dorëzimin e 13 hektarëve tokë te një OJQ e akuzuar për lidhje me Qeverinë, pa konsultime paraprake me Komunën. 

Qeveria e Kosovës këmbëngul edhe përkundër vendimeve të gjykatave që e vënë në dyshim ligjshmërinë e këtyre shpronësimeve dhe dënimit të këtyre veprimeve nga ana e komunitetit ndërkombëtar. 

Këto zhvillime ngrenë pyetje serioze rreth të drejtës së pronës. A i lejohet Qeverisë t’ia marrë tokën dikujt, kur ajo dëshiron ta ndërtojë një rrugë, apo një stacion të policisë?  

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka shpallur tenderë për pronat e konfiskuara në veri, por shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë dhe aktivistë të shoqërisë civile ankohen se procesi nuk është transparent, me kompani që pretendojnë pronat edhe para se tenderët të hapen zyrtarisht. 

Për më shumë, ka pasur akuza për favore në procesin e privatizimit, veçanërisht ndaj Ekrem Pecit, biznesmen me lidhje të supozuara me Vetëvendosjen.

Peci, pronar i një kafeneje në Mitrovicën e Veriut, të frekuentuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raportohet se është favorizuar në tenderët për zhvillim në Zveçan, edhe përkundër se nuk e kishte ofertën më të lartë. Në fillim të vitit, Peci ishte akuzuar se merrte rrogë si inxhinier me orar të plotë në Minierën e Trepçës pa shkuar fare në punë. 

Është dëshpëruese që shoqëria civile dhe opozita në Kosovë kanë qëndruar krejtësisht të heshtura para këtyre shkeljeve të qarta të të drejtave të njeriut dhe shenjave të korrupsionit. Heshtja ndaj një padrejtësie i rrezikon të drejtat e të gjithëve. 

Nëse Qeveria lejohet pa ndonjë pasojë t’i shkelë sistematikisht të drejtat e një grupi, të jeni të sigurt se në të ardhmen do t’i targetojë të tjerët.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.