Vij rregullisht në Kosovë që nga viti 2013 dhe ofroj shërbimet dhe mbështetjen time për fermerët e mollëve dhe frutave të tjera të Kosovës, me qëllim që t’u sjell atyre përvojën nga Tiroli i Jugut – Italia. Tani e di shumë mirë se sa shumë luftojnë prodhuesit e vërtetë të frutave në Kosovë dhe e di se sa më lehtë është për ne në Evropën Perëndimore që të merremi me prodhimtari bujqësore, ku ne vetëm duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë të plotë në cilësinë dhe sasinë e prodhimit të frutave, sikurse edhe mirëmbajtjen e strukturës familjare të fermerëve.
Në thelb, jam shumë i befasuar se si fermerët në Kosovë arrijnë të mbijetojnë brenda sektorit, pa një strukturë bazë mbështetëse të ngjashme me atë që kemi ne atje. Sipas mendimit tim, politika bujqësore nuk është vetëm investimi i parave të taksapaguesve për ta mbështetur një prodhim të shëndetshëm bujqësor, i cili bëhet krenari për vendin apo popullin, por ka të bëjë me ndërtimin e një sistemi që ia mundëson sektorit të jetë i suksesshëm.
Më poshtë do ta përshkruaj strukturën mbështetëse që kemi ne në Tirolin e Jugut dhe që mendoj se mund të zbatohet edhe në Kosovë për ta siguruar një sektor të suksesshëm:
1. Institucioni kyç është kooperativa, e cila është përgjegjëse për t’i marrë frutat tona pas vjeljes dhe ta bëjë logjistikën, ruajtjen, paketimin, marketingun dhe shitjet në emër tonin. Ata sigurisht presin cilësi dhe sasi nga ne prodhuesit, sipas një plani paraprak. Kooperativa jonë nuk është në pronësi të shtetit dhe as ne fermerëve, që është dallimi kryesor mes kooperativave tona dhe atyre komuniste që lidheshin me nacionalizim të pronës. Ne investitorët privatë në pemishtet tona jemi anëtarë të kooperativës dhe kooperativa nuk është pronare e pemishteve tona, por na shërben neve me shërbime të cilat e kemi të vështirë t’i kryejmë individualisht. Kemi një Asamble vjetore të Anëtarëve dhe zgjedhim Bordin e Drejtorëve.
Bordi punëson një menaxher të përgjithshëm, i cili nuk mund të jetë fermer, por një menaxher shumë profesional (një fermer këtu do të kishte konflikt interesi). Pastaj kemi një komitet auditimi që mbikëqyr menaxhimin financiar të kooperativës sonë. Kooperativa merr një shumë parash për kg nga çmimi i shitjes nga ne anëtarët. Ata gjithashtu marrin mbështetje nga BE për ndërtimin e kapaciteteve ftohëse dhe logjistike, si dhe për blerjen e pajisjeve dhe mbulimin e kostove të tjera.
Në eksperiencën time 50-vjeçare si fermer profesionist, jam përpjekur një herë në tre vjet të kryej vetë për vete detyrat e kooperativës dhe ato kanë qenë ndër vitet më të këqija dhe më të vështira në karrierën time si fermer. Ne, anëtarët e kooperativës, marrim tri pagesa në vit nga kooperativa për frutat tona (mars, korrik dhe tetor, ku kjo e fundit është korrigjuese). Kooperativa na jep edhe inputet (preparatet dhe plehrat), koston e të cilave kooperativa e zbret nga shuma e kësteve që na paguan. Kooperativa gjithashtu siguron që ne anëtarët të ndjekim standardin Global GAP për kualitetin e prodhimit dhe kështu t’i kemi frutat e pritura me cilësi të lartë. Pra, të gjitha shërbimet që marrim nga kooperativa janë jashtëzakonisht të vështira për t’u kryer nga ne si fermerë individualisht.
2. Organizata tjetër që na shërben është agjencia e shërbimeve këshillimore “Beratungsring”, e cila është një OJQ. Kooperativa na kushtëzon anëtarësinë në kooperativë me marrjen e shërbimeve nga kjo organizatë, ku ne gjithashtu paguajmë anëtarësi vjetore. Ata ndjekin trendet e reja shkencore dhe na japin informacion dhe trajnim të rregullt se si t’i arrijmë standardet e cilësisë dhe sasisë së prodhimit. Ata gjithashtu na japin parashikimin e motit dhe rekomandimet se çfarë të bëjmë në lidhje me kushtet e motit. Jam i sigurt se qeveria nuk do të ishte kurrë në gjendje ta ofronte mbështetjen specifike që ofron “Beratungsring” specifikisht për kulturën e mollës, në rastin tonë. Asnjë kompani private nuk do të mund t’i kryente shërbimet, sepse do të kishte konflikt interesi. Prandaj, në sistemin tonë ekzistojnë kompanitë, kooperativat dhe OJQ-të.
3. Organizata tjetër është ajo që ne e quajmë rrethi i pajisjeve (Maschinenring), e cila është gjithashtu një OJQ që zotëron pajisje të ndryshme që nuk përdoren rregullisht. Për ne si fermerë nuk ka kuptim të blejmë shumë pajisje që i përdorim vetëm një ose dy herë në vit (ato ndryshken dhe kanë nevojë për mirëmbajtje e kanë nevojë që të mësoni se si t’i përdorni). Pra, Maschinenring na jep makineritë dhe gjithashtu shoferët apo punëtorët për t’i kryer disa detyra të rralla, por të rëndësishme.
4. Bauernbund është shoqata e fermerëve që synon ta forcojë ekonominë e fermerëve dhe përfaqëson interesat tona në raport me qeverinë dhe skenën politike. Ne jemi të gjithë anëtarë të kësaj shoqate dhe ata i artikulojnë nevojat dhe shqetësimet tona shoqërisë dhe institucioneve që këto të na kuptojnë.
Bujqësia është e rëndësishme për shumë arsye dhe meriton të mbështetet. Megjithatë, ka një tendencë në skemën e mbështetjes së BE-së për të kaluar nga fermeri në organizatat e fermerëve që mundësojnë suksesin e sektorit bujqësor, si kooperativat dhe shoqatat. Vetëm përmes kësaj qasjeje të strukturuar mund ta sigurojmë një sektor bujqësor të suksesshëm dhe të gjallë. As ne e as shteti nuk mund të kryejmë mirë një gamë shërbimesh që na duhen (logjistikë, magazinim, frigoriferim, marketing, shitje, përfaqësim të interesave të fermerëve, unazë makinerish, shërbime këshillimore, kreditim, standardizim, trajnim etj.). Megjithatë, shteti mund t’i krijojë ligjet dhe rregulloret e duhura dhe ta ofrojë mbështetjen e duhur për të mundësuar që kjo të ndodhë. Këtë nuk mund ta bëjë as sektori privat.
Nëse qeveria financon kapacitetet logjistike dhe ftohëse për një kompani private, kompania private do t’u bëjë presion financiarisht fermerëve deri në atë pikë sa t’i dëbojë ata. Pas pak kohësh kompania private do ta nisë përdorimin e pajisjeve të blera me paratë e taksapaguesve për aktivitete të tjera më fitimprurëse. Modeli i kooperativave evropiane, amerikane dhe japoneze ka rezultuar të jetë shumë i suksesshëm, nëse mbështesni krijimin e kooperativave që ofrojnë të gjitha këto shërbime për fermerët, sigurojnë sektorin dhe hapin një numër të madh vendesh pune. Më vjen shumë keq kur shoh se sa herë që e vizitoj Kosovën, një ose dy prodhues të mirë potencialë këtu janë larguar nga sektori sepse nuk mund të mbijetojnë në këto kushte anarkike. Kjo është edhe më e trishtueshme kur e di që qeveria këtu ka qëllime të mira dhe investon shumë në këtë sektor. Besoj, nëse vazhdon ky trend, Kosova mund të mbetet pa prodhues të mirëfilltë, por vetëm me pemishte që kanë pemë të mbjella sa për të marrë subvencione nga taksapaguesit, por pa prodhuar asgjë.
Nëse Kosova do ta implementojë modelin tonë, jam i sigurt se qeveria dhe organizimet e fermerëve mund të gjejnë mbështetje teknike në shumë vende të Evropës Perëndimore, SHBA dhe Japoni, të cilat besoj janë të gatshme të ndihmojnë në transferin e përvojës dhe njohurive. Mendoj se sa më shpejt të filloni ndërtimin e këtij modeli, aq më shpejt do të filloni të shpëtoni sektorin dhe t’i jepni mundësi këtij sektori të zhvillohet, në të cilin në Kosovë është investuar shumë. Kështu, ju arrini të keni fermerë të suksesshëm e të lumtur që kontribuojnë në ndërtimin e një sektori të shëndetshëm bujqësor që do ta bëjë vendin tuaj krenar.
Peter Tapajner është një fermer profesionist organik i mollëve me 50 vjet përvojë në Tirolin e Jugut, Itali, dhe konsulent për praktikat e mira bujqësore në prodhimin bio të frutave.