Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rusia, Ukraina dhe Perëndimi: si të zgjidhet një problem si Vladimiri?

Vladimir Putin-i po kërcënon sërish Ukrainën. Deri më tash, Perëndimi nuk ka gjetur një mënyrë të bashkuar dhe të efektshme për t’u marrë me këtë dhe sfidat tjera që paraqet Rusia.

Në javët e fundit luftimet janë intensifikuar në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore. Humbjet në njerëz nga ana e Ukrainës janë shtuar përgjatë vijës së kontaktit mes territorit të kontrolluar nga qeveria e Ukrainës dhe pjesëve të tjera të rajonit nën kontrollin e regjimit kukull rus. Ashtu si para pushtimit më 2014, forcat e rregullta ruse janë në gatishmëri afër kufirit ukrainas. Inteligjenca e burimeve të hapura tregon se disa njësi janë ripozicionuar në kufirin verilindor të Ukrainës nga bazat më në lindje. Së paku një pjesë e Divizionit 76 të Sulmeve Ajrore, që mori pjesë në pushtimin e Ukrainës lindore më 2014, ka lëvizur nga kufiri i Rusisë me shtetet Baltike në Krime. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar gjithashtu se do të zhvendosë anijet amfibe nga Deti Kaspik në Detin e Zi, gjoja për stërvitje. Çfarë po planifikon presidenti rus Vladimir Putin dhe çfarë duhet të bëjë BE-ja dhe NATO për këtë çështje?

Rusia do të mbajë zgjedhjet parlamentare në shtator. Nuk do të jenë të lira apo të drejta, por presidenti Vladimir Putin ka nevojë që rezultatet të kenë një shkëlqim besueshmërie, në mënyrë që të shmangë protestat si ato pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 të manipuluara haptaz. Megjithatë, gjërat nuk kanë rrjedhur aq mirë për të, që prej amendamentimit të kushtetutës ruse vitin e kaluar, që do t’i mundësojë të mbajë pushtetin deri më 2036. Shkalla e vdekshmërisë në Rusi gjatë pandemisë COVID-19 ka qenë ndër më të lartat në botë. Sipas FMN-së, parashikimet për rritje në disa vitet e ardhshme janë anemike. Sondazhet tregojnë se më shumë rusë mendojnë se Putin-i ka qenë i pasuksesshëm se sa i suksesshëm në promovimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e standardit të jetesës dhe luftimin e korrupsionit. Protestat kundër mbajtjes së liderit të opozitës dhe aktivistit kundër korrupsionit, Alexei Navalny, ishin më të mëdhatë që prej një dhjetëvjeçari, dhe u mbajtën gati në 200 qytete gjithandej Rusisë. Ndërsa në Bellorusinë fqinje, presidenti Alyaksandr Lukashenka që është në pushtet që prej vitit 1994, ka pasur telashe në rivendosjen e kontrollit pas zgjedhjeve të manipuluara në gusht 2020 – një precendent i padëshiruar për Putin-in. Mbase kjo shpjegon pse po i kthehet manovrave të vjetra, duke shtypur opozitën në shtëpi dhe duke pjellë shpërnqendrime jashtë vendit: ai shpreson t’u mbyllë gojën kritikëve, të krijojë një hov të mbështetjes patriotike dhe të sigurojë rezultatin e dëshiruar të zgjedhjeve.

Manovrat përreth Ukrainës mund të kenë për qëllim presionin psikologjik mbi presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe nënvizimin e brishtësisë së vendit të tij. Një analist ushtarak i pavarur rus thotë se deri në mesin e majit toka në Donbas do të jetë shumë e lagësht për përparime të mëdha ushtarake. Gjithashtu, ai sugjeron se helikopterët dhe aeorplanët e nevojshëm për një sulm ajror ende nuk janë shfaqur në Krime – shenjë që nuk do ketë sulm së shpejti.

Në një rrethanë tjetër, aksionet ushtarake të Rusisë mund të kenë për qëllim parësor turbullimin e vendeve perëndimore. Putin mund të mendojë se bisedimet për një luftë të re që do të çojë te shkatërrimi i Ukrainës (frazë e përdorur si nga ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe negociatori për Ukrainën i Putinit, Dmitri Kozak) do të bindin Francën dhe Gjermaninë, ndërmjetësuesit e marrëveshjeve të Minskut që sollën fundin e luftimeve të ashpëra më 2014 dhe 2015, që ta nxisin Zelenskyy-n që të bëjë lëshime. Zbatimi i marrëveshjeve ka ngecur, që prej përparimeve të bëra pas zgjedhjes së Zelenskyy-t më 2019. Lëshimet mund të përfshijnë dhënien e vetos lidhur me politikën e jashtme ukrainase veglave të Kremlinit në Donbas, ose lejimin e forcave ‘paqëruajtëse’ ruse përgjatë vijës së kontaktik– siç ka ngjarë së fundmi mes forcave armene dhe azere përreth Nagorno-Karabakut. Përvoja nga vendet tjera të ish-Bashkimit Sovjetik tregon se paqëruajtësit rusë rrallëherë janë neutralë dhe vëshirë se shpërngulen.

Ndoshta këtë verë, Kremlini në fakt po përgatitet për një pushtim të ri. Një tregues brengosës është propaganda e shtuar ruse që akuzon Ukrainën se po përgatitet të sulmojë zonat ‘separatiste’ dhe se po planifikon ‘gjenocid’ ndaj rusëve etnikë. Dezinformimi i tillë, që është parë gjërësisht më 2014 kur Rusia sulmoi Ukrainën, ka sa një qëllim të brendshëm ashtu edhe të jashtëm: shton mbështetjen popullore për të mbrojtur ‘bashkatdhetarët’ rusë; dhe i lejon qeveritë e huaja që kërkojnë arsye për të mos u prishur me Moskën, që të shtiren sikur vetë Ukraina i ka fajet për fatkeqësitë e veta.

Pa marrë parasysh se cila tezë qendron, ShBA-të dhe vendet tjera perëndimore duhet të kenë dy qëllime: të sigurojnë Ukrainën, në mënyrë që të mos ndihet e detyruar që të ndërmarrë aksione të pamatura parandaluese (duke rënë në kurthin në të cilin ra Gjeorgjia më 2008, kur u neutralizua shumë shpejt pas kundërsulmit të Rusisë), dhe të frenojë Rusinë duke ndryshuar përllogaritjen e kostos dhe përfitimit në favor të mospërshkallëzimit. Shumë liderë perëndimorë kanë biseduar me Zelenskyy-n dhe liderët tjerë ukrainas për të ritheksuar përkrahjen e tyre për Ukrainën. Megjithatë, deri më tash, nuk ka qartësi të mjaftueshme për pasojat negative për regjimin e Putinit, në rast të hyrjes në territorin ukrainas, as rreth asaj se çfarë do të mund të bënte Perëndimi për të ndihmuar Ukrainën që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

Ka pak gjasa që në pritje të sulmit rus Ukraina të godasë e para nëse ndihet e sigurt se mund të mbajë pozicionet përgjatë vijës së kontaktit. Forcat e Ukrainës janë shumë më të afta se sa ishin më 2014, por vendet perëndimore duhet të punojnë me to për të identifikuar dhe mbushur zbrazëtirat në kapacitetin e tyre mbrojtës dhe për të ofruar trajnime ku është nevoja. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të formojë një ‘regjiment rojtarësh’ gjatë këtij viti për të stërvitur, këshilluar dhe shoqëruar partnerët në ambientet me rrezikshmëri të lartë. Është raportuar se qeveria është duke konsideruar që ta dërgojë regjimentin së pari në Mozambik ose Somali; do të kontribuonte më shumë për sigurinë e zonës euroatlantike sikur të dërgoheshin në Ukrainë.

Vendet perëndimore duhet të tregojnë më shumë përkrahje politike për Ukrainën, pa inkurajuar pritje jorealiste. Qeveritë e NATO-s janë edhe më të ndara lidhur me përparimin e Ukrainës drejt anëtarësisë në NATO, pa kornizë kohore ose rrugë të qartë për ta arritur. Në vend se të theksojë pamundësinë e vazhdueshme të Ukrainës që t’i bashkohet klubeve perëndimore, Zelenskyy duhet të inkurajojë sa më shumë vende të BE-së dhe NATO-s që të jetë e mundur, që në muajt në vazhdim të mbajnë kontakte fizike ose virtuale të nivelit të lartë me autoritetet ukrainase dhe shoqërinë civile, për të shprehur brengat e tyre lidhur me gjendjen e krijuar.

Putin-i e di se Perëndimi nuk dëshiron të futet në luftë për Ukrainën; Perëndimi duhet që të tregojë se do të rrisë koston e agresionit në mënyra të tjera gjithashtu. BE-ja, MB-ja, ShBA-të dhe përkahësit e tjerë perëndimorë të Ukrainës, duhet ta bëjnë të qartë në kontaktet e tyre me autoritetet ruse se po punojnë në paketa të koordinuara të sanksioneve që mund të vendosen menjëherë, në rast të kalimit të sërishëm të kufirit nga forcat ruse. Sanksionet e reja duhet të shkojnë përtej atyre të vendosura më 2014; ato e shkurajuan Putin-in nga qëllimi i tij i pushtimit të Ukrainës jugore dhe shndërrimit të saj në ‘Novorossiya’, por nuk mjaftuan për ta bindur që të tërhiqet nga lindja ose Krimea. Këtë herë, sanksionet duhet të dizajnohen për t’i shkaktuar dëme serioze sektorëve të ekonomisë, në të cilat mbështetet regjimi i Putin-it, posaçërisht industrisë së naftës dhe të gazit, dhe qasjes së Rusisë në sistemin financiar ndërkombëtar, si dhe mbi një mori figurash elitare ruse që nuk kanë cak deri më tash.

Gjatë përgatitjes dhe avokimit për sanksione, ShBA-të duhet të jenë të ndjeshme ndaj faktit se partnerët e tyre evropianë rrezikojnë më shumë ekonomikisht sesa ajo – më 2019, tregtia e BE-së me Rusinë ishte më shumë se nëntë herë më e madhe se tregtia e ShBA-ve me Rusinë. Evropianët janë gjithashtu të varur nga Rusia për gati një të tretën e naftës dhe gazit të tyre. Sanksionet duhet të jenë të ashpra për të pasur efekt frenues, por gjithashtu të shitshme për politikanët në vendet me ekonomi të dëmtuara nga efektet e pandemisë; ShBA-të dhe vendet tjera do të duhet të gjejnë mënyra të tjera për të ndihmuar vendet e goditura më së rëndi.

Gazsjellësi Nord Stream 2 që vjen nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik, duhet të jetë në krye të listës së sanksioneve. Është gati në përfundim, por nëse bëhet funksional, përkundër sanksioneve të mëhershme amerikane ndaj firmave të përfshira në ndërtim, do të jetë fitore e rëndësishme për Putin-in. Kjo do të përçante Gjermaninë në njërën anë dhe ShBA-të, Poloninë dhe shtetet baltike në anën tjetër, dhe do t’i mundësonte Rusisë që të mbyllë gazsjellësit e tanishëm që kalojnë nëpër Ukrainë. Gjithashtu, do ta zgjaste pafundësisht varësinë e tepërt energjetike të Evropës në Rusinë. Koordinatori i Bashkëpunimit Transatlantik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe ish-deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, kërkoi një moratorium për vazhdimin e ndërtimit të Nord Stream 2 – një hap i mirë, megjithëse prapakthim i dhimbshëm për qeverinë gjermane.

Për Perëndimin, siguria e Ukrainës është më urgjentja por assesi e vetmja sfidë që lidhet me Rusinë. Pas 20 vitesh me Putin-in, vendet perëndimore ende nuk kanë sajuar një strategji gjithpërfshirëse për t’i bërë ballë aftësisë së tij për të përçarë ata që i sheh si kundërshtarë. Po aq e rëndësishme sa mbështetja e Ukrainës është kundërpërgjigjja ndaj përpjekjeve ruse për t’u përzier në sistemet demokratike liberale. Më 2016 dhe 2020 në SHBA, dhe më 2017 në Francë, Kremlini tregoi se është i aftë dhe i gatshëm të ndërhyjë në zgjedhje. Do të ishte naive të mendohet se kërcënimi ka ikur. Gjermania do të organizojë zgjedhjet parlamentare në shtator 2021; raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të jetë në prill 2022. Fuqitë perëndimore duhet të ndajnë informacione dhe praktika të mira për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin e votuesve dhe të identifikojnë, ekspozojnë, dhe ku është e mundur, të ndjekin penalisht agjentët rusë me ndikim në sistemet e tyre politike.

Vendet perëndimore duhet gjithashtu të sigurohen që forcat e tyre të armatosura të jenë adekuate për të frenuar çfarëdo përpjekje ruse për t’i frikësuar dhe shtrënguar. Programi për modernizimin ushtarak i Putin-it ka arritur kulmin e tij dhe buxheti për mbrojtje i Rusisë më 2019 ishte rreth 10 përqind më pak se më 2016, por ende përbën gati 4 përqind të BPV-së, krahasuar me mesataren e NATO-s (përjashto ShBA-të) prej 1.7 përqind. Forcat e armatosura të Rusisë janë shumë më mirë të pajisura dhe më të afta se në kohën kur mposhtën Gjeorgjinë më 2008. ‘Rishikimi i integruar i sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe politikës së jashtme’ i MB-së përshkruan Rusinë si “kërcënimin më serioz ndaj sigurisë tonë” – vështrim mbase i përbashkët me shumë vende të Evropës Qendrore dhe Veriore. Në vitet e fundit, Putin-i ka vënë theks të posaçëm mbi armët e reja bërthamore (përfshirë raketat e telekomunduara bërthamore) që po zhvillon Rusia – armë të cilat nuk bëjnë shumë punë në luftë, por që mund të përdoren për të frikësuar kundërshtarët e mundshëm. Për ta mbajtur në distancë, NATO-s i duhen kundërsulme të besueshme konvencionale dhe bërthamore. Gjithashtu, i duhet një dialog me Rusinë që siguron se çdonjëra palë kupton synimet dhe vijat e kuqe të tjetrës – edhe pse deri më tash, Rusia nuk ka pranuar të angazhohet në mekanizmat ekzistues ndërkombëtarë për të qartësuar qëllimet ushtarake.

Ndonëse gjendja e të drejtave të njeriut në Rusi po përkeqësohet, ajo nuk paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat perëndimore, ashtu si pushtimi rus i Ukrainës, manipulimi i suksesshëm i zgjedhjeve perëndimore, apo shtrëngimi ushtarak i një vendi evropian. Sido që të jetë, kjo nuk duhet t’i ndalojë liderët dhe zyrtarët evropianë që të ngrenë raste individuale sa herë që takohen me homologët rusë, ose që të sanksionojnë individë të caktuar në raste të rënda. Megjithatë, të drejtat e njeriut nuk duhet të jenë shtysë për politikbërje- madje edhe në rastin e një figure të spikatur si Navalny.

Një qasje më koherente perëndimore ndaj Rusisë duhet të bazohet në kufizimin e dëmit që mund t’i shkaktojë interesave të vendeve të BE-së dhe NATO-s dhe fqinjve të tyre të Evropës Lindore, veçanërisht Ukrainës dhe Bjellorusisë – ende cak i mundshëm për inkorporim në Rusi. Putin-i mund të jetë në pushtet edhe për një dekadë e më shumë; nuk ka gjasë që të tejkalojë mosbesimin për NATO-n dhe BE-në, apo të ndalojë së kërkuari sfera të influencës në hapësirën ish-sovjetike. Disa politikanë evropianë, përfshirë Emmanueal Macron-in, vazhdojnë të argumentojnë se Evropa duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Rusinë përmes dialogut. Patjetër që Evropa duhet të vazhdojë bisedimet me Kremlinin dhe shoqërinë ruse, por pa iluzione se marrëdhëniet do të pësojnë ndryshime thelbësore. Botëkuptimi i shumës zero i Putin-it, që përgjithësisht i takon edhe establishmentit politik rus, do të udhëzojë sjelljen e jashtme të Rusisë në të ardhmen e afërt. E gjitha çfarë mund të bëjnë vendet perëndimore,  është që të sigurohen se ato dhe partnerët e tyre mos të përfundojnë në anën e humbësve.

***

Artikulli origjinal në Center for European Reform, më 13 prill 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.