Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Forcimi i së Djathtës në BE sinjalizon më pak përkrahje për Kosovën

Ilustrimi nga: BigEye

Rezultatet e zgjedhjeve europiane 2024 zbulojnë ndryshime të rëndësishme në peizazhin politik të Parlamentit Europian dhe ndryshime eventuale në qasjen karshi dialogut Kosovë-Serbi. 

Si fituese e zgjedhjeve doli e djathta e qendrës, pra grupimi i partive të djathta, që njihet si Partia Popullore Europiane (EPP). Nga totali i 720 ulëseve në Parlamentin Europian, ky grupim siguroi 189 apo 26.3% të ulëseve, duke forcuar pozicionin e vet me 13 ulëse më shumë. 

Si pjesë e forcimit të së djathtës, grupi Konservatorët dhe Reformistët (ECR) siguroi 83 ulëse (11.5%), duke u bërë kështu grupi i tretë më i madh në Parlament. Fitimi i 14 vendeve të reja nga ECR shënon një rritje të konsiderueshme, duke i pozicionuar ata si një forcë konservatore më me ndikim brenda Parlamentit. 

Një nga grupet fituese ishte edhe grupimi i ekstremit të djathtë “Identiteti dhe Demokracia” (ID), që tashmë kanë 58 ulëse (8.1%). Fitimi i ID-së prej nëntë vendesh të reja nënvizon një rritje të ndjenjave nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë. 

Në anën tjetër, Grupi Socialistët dhe Demokratët (S&D) pësoi një rënie të lehtë, duke humbur tri mandate. Tani, S&D ka 136 ulëse (18.9%). Megjithatë, S&D mbetet forca e dytë parlamentare.

Ndërsa, grupi parlamentar që pësoi humbjen më të madhe ishte grupimi i partive liberale të qendrës së djathtë “Rinovo Europën” (Renew), që tashmë kanë 74 apo 10.3% të vendeve. Renew pësoi një humbje të konsiderueshme prej 28 mandatesh.

Një grup tjetër që pësoi humbje është Grupi i të Gjelbërve, që humbi 20 mandate dhe për momentin ka vetëm 51 mandate (7.1%) në Parlament. 

Shpërndarja e larmishme e mandateve nënkupton një parlament më të fragmentuar dhe më konservator, duke e bërë ndërtimin e koalicionit më kompleks. Kjo gjë mund të rezultojë në ndryshime eventuale në strukturën dhe mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Fillimisht, forcimi i së djathtës ekstreme nuk është shenjë e mirë as për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, as për dialogun Kosovë-Serbi. Partitë e djathta ekstreme nuk kanë apetit për zgjerimin e BE-së dhe njëkohësisht nuk kanë qëndrim pozitiv ndaj Kosovës dhe kanë lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë

Përderisa partitë e grupimit ECR përfaqësojnë një linjë konservatore dhe reformiste, që kërkon ndryshime në BE por jo ndarje, ato të grupimit ID përfaqësojnë një linjë nacionaliste dhe populiste, që është më kundërshtuese ndaj BE-së dhe promovon politika më të ashpra. 

Në grupimin më ekstrem (ID) është partia franceze Tubimi Nacional (RN), që udhëhiqet nga Marie Le Penn, dhe partia hungareze Fidesz, e Viktor Orbanit. RN, për shembull, ka shfaqur simpati dhe mbështetje për Rusinë, duke kërkuar marrëdhënie më të ngushta dhe duke kundërshtuar sanksionet ndaj saj. Sa i përket Kosovës, eksponentë të kësaj partie janë të përfshirë në lëvizje ekstreme që përhapin pikëpamje anti-kosovare.

Kurse, disa parti të djathta janë të paafiliuara. Partitë pa grupim janë një grup heterogjen me ideologji të ndryshme, që nuk i përkasin ndonjë grupi politik të caktuar. Këtu përfshihet AfD gjermane, e cila është ndoshta partia më ekstreme. Kjo parti është aq problematike, saqë edhe partitë e tjera ekstreme si RN janë distancuar nga ajo. 

Kjo parti ka treguar skepticizëm ndaj pavarësisë së Kosovës, ka shprehur herë pas here qëndrime më simpatike ndaj Rusisë, duke kundërshtuar sanksionet dhe duke kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën. 

Edhe pse shumicën e kanë forcat pro-europiane, zëri i partive që kanë simpati për politikat ekstreme të Serbisë është forcuar. Kjo përbërje e re e Parlamentit mund të rezultojë në më pak përkrahje për Kosovën.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.