Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Strategjia për rritjen e produktivitetit: e domosdoshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

A do të preferonit të ishit të varfër në një vend të pasur, apo të pasur në një vend të varfër? Kjo pyetje është ngritur nga Dani Rodrik, ekonomist në Universitetin e Harvardit.

Prema Rodrik, një person mesatarisht i varfër në një vend të pasur, fiton tri herë më shumë sesa një person mesatarisht i pasur në një vend të varfër. Pra, nën disa supozime, mund të jetë më mirë të jesh i varfër në një shtet të pasur, sesa anasjelltas.

Në kontekstin kosovar, numri i punëtorëve të kualifikuar të cilët pajtohen me kalkulimet e profesorit Rodrik është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Vetëm në Gjermani, përgjatë viteve 2010-2022,

Por, përveç dallimeve në të ardhura mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, ekzistojnë edhe dallime të theksuara në produktivitetin e punës, apo në atë se sa janë efektivë punëtorët gjatë orarit të punës.

Vendet e zhvilluara e kanë produktivitetin – matur nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto (ang. GDP) për orë pune, të përshtatur me çmimet dhe kostot e jetesës – mbi 70 dollarë. Ndërkaq, vendet si Kosova e kanë nën 30 dollarë.

Sidoqoftë, për ta zvogëluar boshllëkun e krijuar nga mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, rritja e produktivitetit të punëtorëve dhe firmave është e domosdoshme. Kjo rritje është garanci për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Rritja mesatare e produktivitetit ndikohet thellë nga ndryshimet e numrit të punëtorëve në aktivitetet ekonomike. Midis viteve 2012-2022, punësimi në administratën publike është rritur për mbi 100%, duke shënuar kështu rritjen më të madhe ndonjëherë.

Ngjashëm, edhe punësimi në aktivitetet e tregtisë është rritur ndjeshëm. Në anën tjetër, punësimi në sektorin e prodhimit ka pasur rënie të theksueshme prej 16.5% të numrit të të punësuarve.

Rritja e produktivitetit lidhet me rritjen e numrit të vendeve të mira të punës, të cilat kanë kompensim mbi mesatare, ofrojnë siguri dhe mundësi për avancim në karrierë.

Por, sektorët që ofrojnë punë të tilla, siç është sektori i IT-së, ndonëse kanë pasur rritje në punësim, pjesëmarrja mbetet e vogël (madhësia e fluskës në grafikun më lart është e përshtatur në bazë të numrit të të punësuarve në sektorë).

Raporti i fundit i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor tregon se midis viteve 2015-2023 ka pasur një rritje modeste të produktivitetit në Kosovë, duke u bërë kështu Kosova vendi i vetëm në rajon ku rritja e produktivitetit është më e madhe sesa rritja e pagave.

Gjithsesi, kjo nuk vjen si pasojë e ndonjë përmirësimi të dukshëm të produktivitetit, por si rezultat i rritjes së ulët të pagave – pas Malit të Zi, Kosova ka rritjen më të ulët të pagave në këto tetë vitet e fundit.

Nevoja për një strategji të re

Rishtazi, dy nga ekonomistët më të mirë të kohës, Rodrik dhe Stiglitz, kanë argumentuar se vendet në zhvillim kanë nevojë për një strategji të re të rritjes ekonomike.

Strategjitë e mëparshme që kanë rezultuar të suksesshme nuk do të vazhdojnë të prodhojnë të njëjtat rezultate. Në kontekst të rritjes së produktivitetit të punës, Rodrik dhe Stiglitz propozojnë tri strategji që qeveritë e këtyre vendeve duhet t’i ndjekin.

Së pari, duhet të ketë stimulim të vendeve të reja të punës për punëtorë me shkathtësi të ulëta, nga firmat e mëdha që operojnë në aktivitetet jo të tregtueshme të shërbimeve.

Në Kosovë, ky grup i punëtorëve është i punësuar në firma të vogla, që zakonisht posedojnë nën dhjetë punëtorë. Në këto rrethana, firmat e mëdha kanë kapacitete më të mëdha trajnuese dhe mund të ofrojnë siguri më të madhe për punëtorët. Për më tepër, një pjesë dërrmuese e punëtorëve me aftësi të ulëta punojnë në tregun informal, sektor ky ku rritja e produktivitetit është shumë e vështirë.

Rodrik dhe Stiglitz marrin shembull bashkëpunimin e qeverisë indiane me operatorët e taksive Ola dhe Uber. Shoferët lokalë përfituan dukshëm nga këto platforma, duke përmirësuar nivelin e organizimit të punës dhe duke krijuar mundësi për të gjithë taksistët.

Pra, krijimi i vendeve të punës për këtë kategori të punëtorëve, nën ombrellën e firmave të mëdha, do të mundësonte atë që ekonomistët e quajnë ekonomi e shkallës (zvogëlimi i kostove të firmës kur rritet outputi).

Së dyti, qeveritë duhet të bëjnë investime që nxisin rritjen e produktivitetit të firmave të vogla.

Autorët e elaborojnë këtë strategji nëpërmjet një programi për shitësit e frutave dhe perimeve në Kolumbi, të cilët kishin zinxhirë joefiçientë të furnizimit. Punëtorët e këtyre firmave harxhonin shumë kohë në rrugë për t’u furnizuar me produktet që i shisnin. Iniciativën lokale për të bashkuar kërkesat e shitësve lokalë dhe për t’i blerë produktet direkt nga prodhuesit e përkrahu edhe Banka Botërore, duke ia bartur kompetencat e distribuimit një firme lokale, gjë që u kurseu kohë dhe para shitësve lokalë.

Në Kosovë, secila komunë duhet të jetë e informuar për problemet që kanë firmat e vogla. Investimet e tyre duhet të targetojnë direkt hallet e këtyre firmave. Praktikat e mira të politikëbërjes tregojnë se qeveritë lokale janë më efikase sesa qeveria nacionale në adresimin e problemeve që hasin firmat e vogla. Konteksti lokal është shumë i rëndësishëm.

Veç kësaj, në Kosovë, qeverisjet komunale kanë edhe një konkurrencë pozitive mes vete, që do të mund të ndikonte në një efiçiencë më të mirë të investimeve. Në këtë kontekst, komunat duhet të kenë më shumë kompetenca dhe buxhet që të planifikojnë investime që rrisin produktivitetin e firmave të vogla.

Së treti, duhet të ketë më shumë investime në teknologjitë të cilat janë komplementare me punëtorët (ang. labour-friendly), dhe jo zëvendësuese të tyre.

Për shembull, investimi në softuerë dhe vegla digjitale në sektorin e shëndetësisë në Indi ka rritur produktivitetin e punonjësve shëndetësorë, duke ua mundësuar atyre të ofrojnë shërbime mjekësore te një numër më i madh i pacientëve.

Ngjashëm, inteligjenca artificiale del të jetë asistent i mirë për punëtorët që punojnë në qendrat e thirrjeve. Qeveritë duhet të identifikojnë sektorët e tyre me potencial dhe pastaj të dizajnojnë skema që adresojnë nevojat e firmave për digjitalizim dhe teknologji.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.