Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Zyrtarë serbë implikojnë strukturat e Kosovës pas vrasjes së policit në Loznicë

Më 18 korrik 2024, rreth orës 00:55, një polic serb është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë, në qytetin perëndimor të Serbisë, Loznicë, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën. I dyshuari është kosovari i arratisur prej javësh nga burgu në Kosovë, për të cilin u raportua se pas disa orësh ndjekje është vrarë. Por, kjo ngjarje u tentua të politizohet nga disa zyrtarë dhe media serbe, që ngritën pretendime se ai është përgatitur nga strukturat e Kosovës për ta kryer sulmin ndaj policëve serbë.

Lajmin për vrasjen e policit serb fillimisht e konfirmoi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Ai ka theksuar se në vendin e ngjarjes është gjetur pasaporta e një kosovari me emrin Artan Hajrizi. Por, dorasi ka qenë Faton Hajrizi, i cili ka tentuar ta kalojë kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës me dokumente të vëllait të tij.

Pra, fillimisht u dyshua ta ketë kryer veprën Artan Hajrizi. Ai vet u paraqit në disa media duke mohuar ta ketë kryer krimin dhe tha se ndodhet në Gjermani. Ai ka treguar se pas arratisjes nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi ka shkuar në banesë tek ai dhe ia ka vjedhur dokumentet, disa nga të cilat janë gjetur në vendin ku ka ndodhur vrasja.

Daçiqi, i cili e quajti akt terrorist dhe tentoi ta ndërlidhte me strukturat e shtetit të Kosovës, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te vrasja në pikën e kontrollit në Lipniçki Shor. I dyshuari ka qenë me një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, bashkë me një person tjetër, shofer. Sipas deklarimit të Ministrisë së Brendshme në Serbi, ai ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull. Zyrtarët policorë më pas janë transportuar në Spitalin e Llozninës dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Por, derisa policia ishte ende në ndjekje të autorit, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, e ka politizuar rastin duke fajësuar Kosovën, “përkatësisht strukturat shqiptare”, për orkestrimin e sulmit.

“Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, është shprehur Daçiq.

Daçiq ka vazhduar me politizimin e situatës, duke theksuar se “pasoja e këtij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe me EULEX-in, dhe jo gënjeshtra që askush nuk i beson”.

Ka reaguar edhe Aleksandar Vuçiqi, duke thënë: “Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Krsmanoviq, i cili u vra në një sulm tinëzar, teksa kryente me nder detyrën e tij të vështirë”.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është marrë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, duke thënë se Xhelal Sveçla është gjithmonë në heshtje të dukshme kur vuajnë serbët, “ndaj nuk ka thënë asnjë fjalë për vrasjen e mbrëmshme të policit serb në detyrë në Loznicë”.

Pretendimi se Kurti po shkakton kaos në Serbi

Në linjë me deklarimet e disa politikanëve serbë, mediat atje kanë publikuar artikujt me tituj në ballina, si: “Kurti dërgoi terroristë për të shkaktuar kaos në Serbi”. Raportime të ngjashme kishte edhe nga mediat e tjera, të afërta me Qeverinë e Serbisë, si: Srpski Telegraf, Alo.rs, Novosti.rs.

Foto: Telegrafi i Serbisë

Mediat serbe i dhanë jehonë edhe deklaratës së ish-Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, që tha se “Hajrizi mund të shkaktojë viktima të tjera, apo të vetëflijohet, por se ‘nuk do të kapet nga policia serbe”.

Pas lajmit për vrasjen e Hajrizit pasditen e së premtes, mediat serbe publikuan pamjet të cilat u shpërndanë edhe nga mediat në Kosovë. Sipas mediave në Serbi, ai u vra në një fabrikë të braktisur, jo larg vendit ku dyshohet se vrau policin Nikolla Krsmanoviq dhe plagosi një tjetër.

Çka u tha në Kosovë?

Ditën kur u raportua për vrasjen e policit serb, kryeministri Albin Kurti pati një konferencë për media në Prishtinë, ku u deklarua edhe rreth vrasjes së policit serb.

Tek kërkoi të mos politizohet rasti, Albin Kurti tha se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin ku u vra polici serb në Lozicë të Serbisë.

“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe do t’ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, është shprehur Kurti.

Serbia dhe Kosova nuk kanë bashkëpunim për shkëmbimin e informacioneve në raste të tilla.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka apeluar për kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi, ose që të shmanget lëvizja.

Foto: MPJD

Faton Hajrizi, dy javë më parë, u arratis nga Burgu i Smrekonicës. Kjo është hera e nëntë që ai arratiset nga burgjet në Kosovë, ndërsa gati gjatë gjithë periudhës së pasluftës ka qenë në burg. Hajrizi fillimisht ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus në Skenderaj dhe më pas për një numër tentim-vrasjesh e grabitjesh të armatosura. Pas arratisjes së fundit nga Burgu i Smrekonicës, ai pati paraqitje publike në rrjetet sociale, duke përqeshur e akuzuar qeveritarët e Kosovës, përfshirë ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.