Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

(Megalo)mania e Albin Kurtit: ndërhyrja në çështjet e brendshme të shteteve të tjera

Si rezultat i rritjes së jashtëzakonshme të ekstremit të djathtë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, presidenti francez, Emmanuel Macron, e shpërbëri Asamblenë Kombëtare të Francës, duke e çuar Francën në zgjedhje të parakohshme.

Më 28 qershor, kryeministri Kurti publikoi një postim në platformën X, me anë të të cilit i ftonte qytetarët francezë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në zgjedhjet nacionale në Francë, më 30 qershor dhe 7 korrik.

Kurti u shpreh “i shqetësuar” me gjuhën përçarëse e jopërafruese, duke iu referuar retorikës së partive të ekstremit të djathtë, dhe në të njëjtën kohë u bëri thirrje francezëve për të votuar të majtën e përbashkuar, nën emrin “Fronti i Ri Popullor” (Nouveau Front Populaire).

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Albin Kurti i jep të drejtën vetes për të ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Akoma pa marrë mandatin, Kurti pati përkrahur publikisht kandidaturën e Joe Biden-it për president të Shteteve të Bashkuara. Në atë rast, Biden-i i pati fituar zgjedhjet, mirëpo kjo nuk është përkthyer në raporte më të mira e më të afërta me administratën e tij. Madje, në rastin e SHBA-së, raportet kanë degraduar në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Më pas, me të marrë mandatin qeverisës në mars 2021, Kurti pati filluar të bënte fushatë në Shqipëri, në mbështetje të kandidatëve të degës së Lëvizjes Vetëvendosje atje. Asnjë nga kandidatët, megjithatë, nuk arriti të fitonte mandatin në Kuvendin shqiptar. Mirëpo, ky potez i Kurtit mjaftoi që edhe raportet Kosovë-Shqipëri të degradojnë në pikën më ulët, të paparë ndonjëherë.

Pavarësisht kësaj, Kurti nuk e ka ndërmend të ndalet, e as të marrë mësime. Në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, Kurti e mbështeti publikisht një koalicion politik shqiptar, i cili që në krye të herës e kishte bërë të qartë se do ta synonte formimin e qeverisë bashkë me partinë nacionaliste maqedonase, OBRM-PDNJKM (VMRO-DPMNE).

Kjo lëvizje e Kurtit, pos që i përçau shqiptarët, e rrezikoi edhe orientimin pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut, duke e ndihmuar largimin nga pushteti të Lidhjes Social-Demokratike të Maqedonisë (LSDM).

LSDM, përpos që kishte ndjekur një kurs pro-europian, u kishte dhënë shqiptarëve atje të drejta që më herët kanë qenë të pamenduara, siç janë votimi i kryeparlamentarit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, votimi i kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut etj. Ndërkaq, në qeverinë e udhëhequr nga LSDM-ja, dikastere tejet të rëndësishme qeverisëse, si politika e jashtme, ekonomia dhe drejtësia, u janë besuar shqiptarëve.

Përderisa për zgjedhjet në Francë, Kurti thirret në bindjet social-demokrate dhe përkrah publikisht partitë e majta, në Maqedoninë e Veriut, Kurti u bë shkak për t’i dhënë një shkelm së majtës dhe për ardhjen në pushtet të së djathtës, gjë që shpërfaq një hipokrizi tipike.

Ndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera bie ndesh me parimet bazë të demokracisë dhe fqinjësisë së mirë, veçmas për dikë që bart përgjegjësi institucionale si kreu i Qeverisë së Kosovës. Secila ndërhyrje e Kurtit në zgjedhjet jashtë Kosovës, në një formë, ndikon në raportet bilaterale me ato vende.

Kosova ka nevojë për përkrahje gjithandej, përtej linjave partiake, ngaqë akoma nuk e ka zënë vendin e saj të merituar në listën e kombeve të njohura plotësisht ndërkombëtarisht. Përkrahja e partive specifike është joproduktive dhe e dëmton misionin e Kosovës drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Kosova nuk ka nevojë të krijojë armiq, kudo qofshin ata. Ndërhyrja e vazhdueshme e Kurtit në zgjedhje nëpër botë, e hap derën për krijimin e armiqësive që mund të zgjasin edhe pasi Kurti të mos jetë më kryeministër i vendit. Pra, dëmet mund të jenë shumë të mëdha për Kosovën.

Në profilin e tij në platformën X, Kurti nuk ndiqet nga qytetarët francezë. Andaj, edhe thirrja e tij për të votuar Frontin e Ri Popullor nuk shkon tek audienca e synuar. Megjithatë, Kurtin mund ta ndjekin burokratë francezë, të cilët, nesër – kur Kosovës t’i duhet ndihma e Francës – mund ta kujtojnë këtë ndërhyrje në punët e brendshme të Francës dhe ta ndëshkojnë Kosovën për këtë.

Kurse, argumenti që përkrahja ka qenë puro ideologjike dhe është bërë nga pozicioni i tij si kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e jo si kryeministri i Kosovës, bie poshtë me shkelmin e dhënë së majtës në Maqedoninë e Veriut. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të përmendet se përderisa Kurti është kryeministër i vendit, ai nuk mund të zhvishet nga kredencialet institucionale të tij dhe të flasë si individ i pavarur.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Kritikë

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023) Mbi Ninullën e Adrian Asllanit Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.