Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Konsolidimi i raportit diasporë-Kosovë: përpjekje për një mini-doracak

Tradicionalisht, raporti diasporë-Kosovë ka qenë çështje private në mes familjarësh e miqsh. Lidhjet janë mbajtur gjallë ndërmjet personave që kanë emigruar jashtë dhe atyre që gjenden në Kosovë. Investimet nga diaspora poashtu kanë qenë kryesisht ad hoc dhe personale. Në masën më të madhe janë kufizuar në blerje pronash e patundshmërish, e ndonjëherë edhe në hapjen e ndonjë biznesi privat.

Ky raport nuk është se ka qenë i planifikuar nga shteti. Ai thjesht u imponua nga rrethanat, dhe u zhvillua në mënyrë organike. Por, duhet thënë se ky raport nuk është më i qëndrueshmi i mundshëm. Në rrafshin personal e familjar, është e natyrshme që raportet të ftohen. Jeta e bën të veten dhe gjenerata e dytë e e tretë nuk e kanë të njëjtën afërsi me Kosovën si ajo e para.

Për më tepër, modeli biznesor (nëse mund të flasim për diçka të tillë) – pra, modeli i investimit nga diaspora në Kosovë – ka qenë krejtësisht i gabueshëm dhe me risk të madh financiar. Kjo sepse në njëzet vitet e fundit, ato pak investime që janë bërë nga diaspora në Kosovë kanë hasur në gjithëfarëlloj sfidash – burokraci të mefshtë, rrezik të lartë të humbjes së investimeve, e mosmbështetje nga shteti. Ajo që është më e rënda, investime të tilla janë penguar – e shpesh edhe kanë dështuar – shkaku i korrupsionit e krimit të organizuar. Shumica prej nesh kemi dëgjuar për raste konkrete kur investitorëve u është kërkuar haraç për të zhvilluar biznes në Kosovë. Ky ambient armiqësor sigurisht se ka zbuar interesimin për të investuar në vend.

Për më tej, edhe ato pak investime në këtë periudhë janë bërë në mënyrë të paorganizuar dhe të pakoordinuar. Nuk është se ka pasur studim fizibiliteti mbi nevojat e tregut. Thjesht, nëse dikush ka dashur t’i investojë paratë në Kosovë, e ka bërë një gjë të tillë. Kryesisht në fushën e gastronomisë, sektor edhe ashtu i stërngarkuar. Këtu duhet kritikuar edhe qasjen e disa pjesëtarëve të diasporës të cilët e kanë vështruar Kosovën, sidomos në periudhën menjëherë pas luftës, si një El Dorado të paligj për pasurim të shpejtë. Të tillët, në bashkëpunim me pjesëtarët e ingranazhit të haraçit të qeverisjeve në Kosovë, kanë bërë që shumë nisma biznesore të dështojnë në moçalin e ujërave korruptive.

Institucionalizimi i raporteve diasporë – Kosovë

Tash, më shumë se dy dekada pas luftës, është koha të flitet për ridefinim të raporteve dhe roleve. Raporti diasporë – Kosovë ka nevojë të rikalibrohet dhe të intensifikohet. Jo sepse njëra i ka borxh tjetrës, por sepse është nevojë jetike e të dyjave që ky raport të përforcohet. Jemi me fat që kemi një disaporë që vazhdon të tregojë interesim aktiv për vendin e origjinës. Ky lloj interesimi nuk është i zakonshëm në mesin e komuniteteve migrante. Por ja që qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh sa vite kanë që jetojnë jashtë vendit, vazhdojnë të jenë të lidhur ngushtë me vendin e tyre. Dhe kjo zakonisht vazhdon edhe në brezin e dytë e të tretë. Sido që të jetë, është normale që ky raport të zbehet me kohë. Vjen një ditë dhe vlugu i të interesuarve që vijnë për pushime në Kosovë do të bie. Dhe kjo ditë nuk do të jetë e beftë, por do të përvidhet heshturazi. Kur ne të vetëdijësohemi se çarja mes Kosovës dhe diasporës është tepër e madhe për t’u riparuar, ndoshta do të jetë tepër vonë. Do të mbesin vetëm nostalgjitë e rrëfimet emocionale për t’i ndarë me gjeneratat e ardhshme.

Për këto arsye, është tepër e rëndësishme që Kosova, insitucionet e saj, të ndërmarrin hapa institucionalë që raportet e ngushta në mes vendit dhe disaporës të konsolidohen përjetësisht nëpërmjet mekanizmave tejpartiakë dhe shtetërorë. Si të bëhet kjo?

Janë disa shembuj inkurajues të kohëve të fundit që duhet nënvizuar. Për shembull, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për themelimin e zyrës koordinuese për diasporën, e cila në mes tjerash parashihet që të organizojë partneritete biznesore, të mundësojë transferimin e njohurive dhe aftësive nga diaspora në Kosovë, etj. Mbetet të shihet se si do të duket në praktikë jetësimi i një ideje që tingëllon mjaft e qëlluar. Sidoqoftë, nisma të tilla nuk duhet të mbesin ad hoc dhe të izoluara në nivel komunal. Ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe mbarështetërore.

Duhet përshëndetur, poashtu, edhe nismat që janë duke u ndërmarrë nga qeveria dhe Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Zëvendësministrja Liza Gashi, në veçanti, ka marrë hapa konkretë për institucionalizimin afatgjatë të raporteve diasporë-Kosovë. Në këtë mes duhet nënvizuar programin pilot për Diplomaci Qytetare (www.cdfellowship.com) që për qëllim ka “ndërlidhjen e profesionistëve të rinj nga diaspora, duke u ofruar hapësirë dhe mundësi angazhimi në kuadër të MPJD-së”, si pjesë e një angazhimi gjashtëmujor në Kosovë dhe në kuadër të diplomacisë qytetare. Kjo është një iniciativë me vend dhe e mirëpritur në dy drejtime: nga pjesëtarët e diasporës që mezi presin që t’u jepet mundësia që me dijen e përvojën të kontribuojnë në Kosovë; dhe nga vetë Kosova, e cila mund të përfitojë shumë nga truri i kthyer, sado i përkohshëm qoftë ai.

E vetmja rezervë që kam me nisma si kjo është se ato prihen të jenë të përkohshme. Përderisa të ketë fonde nga donatorë të jashtëm, dhe të jetë një person në pozitë vendim-marrëse që i shtyen ato procese përpara, projekti mund të ketë jetëgjatësi. Mirëpo, projekte të tilla rrezikojnë të përballen me vdekje klinike mu për shkak se nuk janë të institucionalizuara në agjenda afatgjata të qeverisë.

Për atë arsye, është me rëndësi që politika e konsolidimit të raportit diasporë – Kosovë të kalojë një herë e përgjithmonë nga rrafshi personal e familjar në atë institucional. Pritjet verore për diasporë, kur pjeket shtalbi e këndohen këngë të vjetra qytetare, janë shumë të këndshme, por mbrapa tyre nuk mbetet asgjë, pos kujtimeve të mira. Është shumë mirë që i shfaqim dashurinë njëri-tjetrit, që ia përkujtojmë vetvetes se jemi një. Por të gjitha këto janë sentimente tranziente që avullohen në momentin që mërgimtari i kthehet halleve të tij në Perëndim, kurse qytetari kosovar përballjeve me telashet e përditshme në Kosovë.

Edhe nga ana e diasporës është e nevojshme të bëhet një korrigjim se si perceptohet Kosova. Pikë së pari, Kosova nuk duhet shikuar vetëm si një pushim disi i domosdoshëm veror, për shkak të lidhjeve familjare, të gjuhës apo nostalgjisë. Kosova duhet parë edhe si mundësi që kuadrot e shkolluara e profesionale të kontribuojnë në fushat e tyre. Së dyti, është e qartë se në çfarë niveli zhvillimor është Kosova. Për atë, krahasimet në mes Perëndimit e Kosovës, kur përsëriten vazhdimisht, tingëllojnë banale. Kosovën duhet pranuar kështu si është, me bindjen se edhe ajo prodhon talente e mendje gjeniale, se kështu në fakt edhe po ndodhë. Diaspora duhet të hapë mendjen për këtë fakt. Pra, konsolidimi i raporteve të tyre me Kosovën, sidomos i brezave të rinj, është edhe në interesin e këtyre të fundit.

Ajo çfarë kërkohet nga ana e Kosovës janë programe afatgjata për pjesëtarë të diasporës, nga të cilat përfitojnë edhe diaspora, edhe Kosova. Për shembull, duhet t’u ofrohet mundësi, madje edhe me pagesë, të rinjve e të rejave nga diaspora që për periudha gjashtëmuajshe apo njëvjeçare të vijnë në Kosovë në programe socializimi e rrjetizimi me rininë në Kosovë. Në këtë mënyrë krijohen lidhje personale afatgjate. Për më shumë, duhet ofruar programe konkrete për punë praktike si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Përsëri, shteti duhet të konsiderojë mundësinë e alokimit të linjave të veçanta buxhetore për nisma të tilla. Dhe, së fundi, natyrisht se shteti duhet të ofrojë të gjitha lehtësitë e mundshme që çfarëdo investimi nga diaspora të ketë mbështetjen maksimale të institucioneve.

Interesimi i diasporës në Kosovë vazhdon të jetë i lartë, fatmirësisht. Mirëpo deri më tash raportet diasporë-Kosovë janë mbajtur gjallë veç si rezultat i vullnetit të mirë. Është koha që institucionet të ofrojnë lehtësi konkrete, afatgjata dhe formale, nëpërmjet programeve të ndryshme për riintegrim, kthim të trurit, apo thjesht për qëndrime afatshkurta në Kosovë. Në këtë mënyrë përfitojnë të dyja palët: Kosova me dije e njohuri të reja nga jashtë, si dhe diaspora duke i qëndruar më afër trungut të vet.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.