Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kurba pandemike dhe kurba politike

Kur mediat raportojnë për aq apo kaq të infektuar të tjerë me koronavirus, ato nuk thonë të vërtetën, por meqë ndoshta këtë informacion të gabuar e japin në mënyrë të pafajshme, nuk po i akuzoj për “fake news.” Në fakt, ata persona që raportohen nuk janë të infektuar të rinj por thjesht të infektuar simptomatikë të cilët paraqiten në institucionet shëndetsore për ndihmë. Sipas të gjitha gjasave, pjesa më e madhe e të infektuarve me koronavirus nuk kanë asnjë simptomë dhe mijra nga ne ose jemi tashmë të infektuar dhe nuk e dijmë, ose kemi qenë të infektuar më parë dhe jemi shëruar dhe imunizuar tashmë. Raporte të reja tregojnë se të paktën një emigrant kinez 35 vjeçar (pacienti 0), i kthyer në mes të Janarit në shtetin e Uashingtonit në ShBA pas një vizite te familjarët e tij në Uhan të Kinës, u shtrua në spital në periferi të Siatllit me simptoma që sot identifikohen me sëmundjen Covid-19 të shkaktuar nga koronavirusi. Ka gjasa që virusi të ketë qenë mes nesh shumë më parë nga sa e kemi ditur. Këtu do gjejmë thelbin e arsyetimit se pse karantinat e shteteve të tëra janë politika të dështuara dhe se rrezikojmë që “kura” e izolimit të bëhet më vrastare se sa vetë virusi.

Që karantinat kanë dështuar, këtë na e tha vetë dje Drejtori Ekzekutiv i Programit të Emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetsisë Majkëll Rajan [Michael Ryan] kur deklaroi se pjesa më e madhe e infektimeve të reja të zbuluara janë mes njerëzve që jetojnë në izolim prej shumë kohësh.. Më pas ai nuk harroi të shtojë se tashmë virusi nuk është më në rrugë por ka hyrë në shtëpi. Një raportim nga Hong Kongu sugjeron se një grua e infektuar mund të ketë infektuar edhe njerëz të tjerë në bllokun e apartamenteve ku banon deri 10 kate poshtë banesës së saj nga një rrjedhje në tubacionin e ujrave të zeza. Me sa duket, një nga mënyrat e përhapjes së koronavirusit janë ujrat e zeza. Ky nuk është një përfundim spekulativ; në vitin 2002 OBSh raportoi një përfundim i ngjashëm për përhapjen e SARS-it. Pa dashur të ndalem tek masat skizofrenike që propozoi zyrtari i lartë i OBSh-së, si për shembull që qeveritë të fillojnë kontrollet nëpër shtëpitë e njerëzve dhe të nxjerrin prej andej njerëzit e sëmurë (e tha edhe këtë, verifikojeni vetë po deshët), dua vetëm të nënvizoj një induksion nga deklarata e tij: nëse virusi tashmë është në shtëpi, ç’kuptim ka të qëndrojmë të mbyllur?

Në një ese të mëherëshme të botuar në këtë media pata theksuar se askush nuk po di se ç’bën, por tashmë më duhet të shtoj se ata që po dijnë më pak janë politikanët. Dhe, kam luftuar shumë me veten që të nxirrja këtë që po them por, përtej kujdesit intensiv ndaj pacientit, duket qartë se edhe mjekët nuk po dijnë asgjë për atë çfarë po ndodh. Dhe ja pse. Epidemiologët parashikojnë përhapjen dhe pastaj tkurrjen e epidemisë bazuar në modele matematikore të infektimit të cilat përbëhen nga sisteme ekuacionesh diferenciale. Prirja e këtyre modeleve është që ta parathonë dinamikën e epidemisë në formën e një kurbe e cila ngrihet gjatë periudhë së përhapjes së epidemisë, mbërrin pikun dhe pastaj fillon rënien dhe rrafshohet në nivele të kontrollueshme. Në kushtet kur tashmë kemi modele elegante dhe efiçiente, ajo çka na mbetet të bëjmë është të vendosim vlera të vërteta në parametrat matematikorë dhe të simulojmë kompjuterikisht parashikime se kur kurba do mbërrijë pikun. Ndër variablet e përdorur janë aftësia infektuese e virusit (tashmë për koronavirusin është përllogaritur 2.5), koha e fillimit të infeksionit në popullsi, përqindja e infektuar e popullsisë, përqindja e popullsisë së shëruar dhe imunizuar, përqindja e vdekshmërisë mes atyre që janë të infektuar e të tjera. Për shkak të mbartjes asimptomatike të virusit nga shumë individë dhe mungesës së depistimeve të popullsisë, nuk ka informacion të përdorshëm për shumicën e këtyre variableve dhe kësisoj nuk mund të bëhen parashikime të përdorshëm për formën apo dinamikat e kurbës së infektimit. Islanda është shteti që, me 5 përqind të popullsisë së depistuar ka mostrën më të madhe. Rezultatet tregojnë se gjysma e personave që kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid-19-ës nuk kanë treguar asnjë simptomë, por shkenctarët tërheqin vërejtjen se kjo mund të ndryshojë sipas kontekstit socioekonomik e kulturor të seicilit vend.

Mbështetësit mes nesh të karantinës (atyre të cilëve u pëlqen të na bezdisin me mesazhin pseudokujdesor “Qëndro i sigurt në shtëpi!”) na kujtojnë se qenkan shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe se karantina ka funksionuar. Por ata nuk mund ta dijnë këtë. Në fakt, ky është një slogan që më së shumti përhapet nga qeveritë dhe institucionet që ato kontrollojnë për të maskuar konfuzionin ku ato ndodhen dhe justifikuar masat absurde të karantinimit të shteteve të tërë (e para herë që ndodh në historinë botërore). Ja edhe një fakt më shumë se qeveritë nuk dijnë se ç’bëjnë: teksa ato detyrojnë njerëzit që të vendosin maska goje në publik, zyrtarët e lartë të OBSh-së-së thonë se, jo vetëm që nuk ka asnjë arsye pse një person jo i sëmurë të vendosë maskë në publik, por edhe se vendosja e maskës në publik mund të shoqërohet me keqpërdorim të saj dhe kësisoj edhe rritjen e rrezikut të infektimit.

Mbasi folëm deri tani për gjerat që askush nuk i di, le të themi tani disa gjëra që dihen faktikisht dhe shkencërisht. Dhjetra mijra vetë mes nesh (dhe miliona anembanë botës) kanë humbur ose do të humbin punën prej krizës ekonomike që konsensualisht pritet që do pasojë. Papunësia, individuale apo masive krijon trauma të jashtëzakonshme individuale dhe sociale. Një studim i kryer në vitin 1967 nga dy psikiatër amerikanë, Tomas Holms [Thomas Holmes] dhe Riçard Rejh [Richard Rahe], të cilët po studionin ndikimin e stresit nga përvojat traumatike jetësore mbi sëmundjet, konstatoi se për shumë vetë humbja e vendit të punës konsiderohej më e rëndë se vdekja e një njeriu shumë të afërt (shok i ngushtë apo anëtar i familjes).Një raport nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2010 tregonte se mbyllja e një fabrike u shoqërua me një numër të pazakontë goditjesh në zemër mes ish-puntorëve të saj. Një javë më parë, një sherif amerikan nga Karolina e Veriut raportonte se, vetëm në dy ditët e para të karantinimit të kontesë së tij, përqindja e vetëvrasjeve apo përpjekjeve për vetëvrasje ishte sa 10 përqind e gjithë vitit të kaluar.

Një tjetër gjë po ashtu e dijmë. Papunësinë e shkaktuar artificialisht nga politika për llogaritje të vogla politike nuk do ta vuajnë politikanët (lexo shkrimin tim të mëhershëm në këtë media “Kriza pandemike dhe kriza politike”). Të gjithë e dijmë se një grusht i caktuar njerëzish në politikë nuk kanë qenë të papunë asnjë ditë këto dekadat e fundit dhe nuk do mbeten të papunë edhe në ditët e krizës sociekonomike që po thurin. Përvojat e dekadave të fundit tregojnë se kur votuesit e nxjerrin një politikan jashtë zyre nga dera me vota, ai/ajo rikthehet në zyrë nga dritarja me parti. Viktimat e krizës që po thuret nuk do jenë më as të vjetrit apo të sëmurët që po bien përgjithësisht pre e Covid-19-ës. Viktimat e të nesërmes do jenë mes shtresës më aktive të popullsisë. Atëhere do jetë tepër vonë për të pyetur nëse i bëmë punët si duhet.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.