Një paralele mes Fight Club dhe shoqërisë sot
Në zhargonin britanik të vitit 1800, fjala snob nënkuptonte një person i cili i përkiste një klase më të ulët brenda një shoqërie. Mirëpo, me kalimin e kohës ky term ndryshon domethënien e tij, dhe fjala snob, fillon ta paraqesë një person i cili është përbuzës ndaj të tjerëve, pra dikush që të tjerët i konsideron inferiorë. Snobizëm konsiderohet edhe vesi që kanë disa individë, të cilët kanë prirje ekscentrike si në mënyrën e jetës, po ashtu, edhe bindja se ata i takojnë një grupi më të lartë, dhe se çdo gjë tjetër rreth tyre dhe secili individ apo grup shoqëror konsiderohen si demode në raport me ta. Në një formë të tillë snobizmin e paraqet edhe regjisori David Fincher, nëpërmes filmit të tij të mirënjohur Fight Club, i realizuar më 1999. Ky film paraqet jetën e dy personazheve kryesore, aktori Edward Norton, i cili luan Narratorin dhe, Brad Pitt, i cili luan Tyler Durden. Edward Norton luan një burrë të dëshpëruar që vuan nga pagjumësia dhe i cili mundohet ta ngushëllojë vetën nëpërmes ndërrimit të vazhdueshëm dhe të panevojshëm të mobilieve në banesën e tij. Në fakt, një mani e tillë, një snobizëm kaq i pashpjegueshëm që nuk sjell lumturi, por shpreh zhgënjim dhe indiferencë është i ngjashëm me jetën që shumë njerëz bëjnë sot. Edhe puna e tij prej shitësit të automobilave nuk i sjell kënaqësinë e dëshiruar. Narratorit të Fight Club-it, si një 30 vjeçar, e vetmja gjë që sjell një emocion të madh, është pjesëmarrja në grupe të cilat i mbështesin persona që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Në këto grupe mbështetëse, partner i këtij djaloshi tekanjoz, me prirje të thella snobiste, është Roberti. Aty kërkohet që partnerët duhet të përqafohen dhe ta lirojnë vetën, pra, të qajnë deri në dënesje, kështu, çlirohen nga negativiteti që kanë brenda tyre. Edhe sot në përditshmërinë tonë ne bombardohemi nga reklama, qendra të dobësimi e fitnesi etj, ku njerëzit thirren që të lirohen nga stresi i ditës dhe nga depresioni që u shkakton zymtësia e jetës.
Mirëpo, shumë shpejt në jetën strikte dhe sensitive, por shpirtërisht të trazuar të Norton-it do të futet Tyler Durden (Brad Pitt), i cili do ta ndryshojë jo vetëm jetën e tij, por edhe do ta vërë në pah një karakter të dhunshëm dhe anarkist, që deri më atëherë pavetëdijshëm e kishte mbuluar jetën e tij me një rregull të pastërtisë rigoroze. Tyleri, është një shitës i sapunëve, i cili i prodhon ata nëpërmes yndyrës që e nxjerr nga dhjami i pjesëve të mishit të njerëzve që hidhen në kantat e bërllogut pas operimit. Tyler ka dozë të theksuar të një snobizmi anarkist. Ai nuk pajtohet me sistemin që është i vendosur dhe nëpërmes reklamave që shfaqen, e shpjegon gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria moderne, e të cilën e konsideron si shoqëri e konsumerizmit. Ngjashëm edhe në përditshmërinë tonë hasim individë, apo grupe, qoftë edhe parti politike që e kanë të theksuar këtë lloj snobizmi anarkist. Ata vazhdimisht janë në papajtueshmëri me sistemin, me elemente të caktuara shoqërore. Gjithçka e konsiderojnë si të stisur dhe që duhet përmbysur. Trendet tekonologjike e kanë mundësuar dhe theksuar jashtëzakonisht këtë lloj snobizmi. Njerëz që ulërijnë nëpër rrjete sociale dhe media të tjera, duke sulmuar secilin që nuk mendon si ta, duke u dhënë të drejtë edhe ofendimeve që ata kanë në drejtim të të tjerëve.
Është interesant se si regjisori David Fincher, nëpërmes këtyre dy personazheve ndërton një strukturë të madhe, fantazmagorike e cila është në kërkim të autoritetit të humbur dhe e cila nën ndikimin e snobizmit që e karakterizon, përpara një revanshi përfundimtar me sistemin shtypës, mbushet vrer duke u rrahur nëpër bodrume, të cilat janë ringje ilegale të çlirimit shpirtëror. Mllefi i shkarkuar nëpër këto bodrume mund të jetë analog me mllefin që sot po shkarkohet nëpër të gjitha platformat sociale. Mbase këto platforma duket sikur i ngjajnë atyre bankave të mllefit për të cilat flet filozofi gjerman Peter Sloterdijk. Sepse, siç e vërejmë sot, gjithandej kemi njerëz e grupe që për arsye të ndryshme janë të acaruar, mirëpo, krejt ky acarim, i gjithë ky mllef shkarkohet nëpër filtra të ndryshëm (e që në dukje të parë lënë përshtypje se sistemi i ka krijuar për këtë qëllim), e ku asnjëherë nuk japin rezultat qoftë edhe në kauzën që ata e mbështesin ose e ngritin. Njerëz që mohojnë gjithçka, që përjashtojnë çdo mundësi që brenda sistemit ekzistues mund të jesh produktiv dhe ta realizosh vetën dhe ta konsolidosh kauzën tënde. Jo! Këta mendojnë se fundi do të vijë një ditë nga një goditje e fortë, e që kjo goditje është aq e papërcaktuar dhe e paadresë, dhe krejt këto përfundime nxirren nga kolltuku i rehatisë dhe tastiera që ia mundëson teknologjia. Gjithandej njerëz që diskutojnë për ndryshime të mëdha, për rrënim të këtij sistemi përbindësh, i cili çdo ditë e më tepër po na viktimizon, por pa pasur as idenë më të vogël për gjëra të imta, për ato gjëra që i kuptimësojnë jetët tona.
Përmes këtij filmi (Fight Club), regjisori Fincher mundohet t’i paraqesë njerëzit që në dukje të parë shfaqen si të vetëkënaqur, por që shumë shpejt mblidhen në grupe dhe pastaj pretendojnë statusin e viktimave të një shoqërie shtypëse dhe të shfrenuar ndaj konsumerizmit dhe që për shkak të saj nuk mund ta realizojnë veten dhe krejt kjo me gjasë vjen si një sendërtim a priori prej snobisti. Dikush që shpreh pamundësinë e vetërealizimit, por asnjëherë nuk ka ndërmarrë një iniciativë për veprim. Për këtë, filmi Fight Club, duke na i prezantuar këto karaktere, të cilat shpalosin traumën e të pakënaqurit të përjetshëm, ku nga mohimi dhe përbuzja që e bëjnë, krijojnë ankthin kulturor dhe social të kohës që si referencë pastaj ka snobizmin. Një varfëri intelektuale e përcjellë me një mosgatishmëri për veprim, e cila pastaj prodhon edhe një dekadencë kulturore. Fight Club-i i përditshmërisë sonë nuk është Fight Club-i i David Fincher-it, mirëpo, ajo se si sillemi, si e përjetojmë realitetin që na rrethon dhe si veprojmë kanë ngjashmëri me personazhet e këtij filmi.