Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking Articles

Zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka thënë se “duhet të jemi gati për luftë”

Disa media në Kosovë dhe Shqipëri kanë rënë në grackën e keqcitimit që mediumi ukrainas “European Pravda” i ka bërë deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ku përmendet lufta me Serbinë. Edhe pse citati më vonë është përmirësuar, lajmi në mediat shqiptare vazhdon të jetë i qasshëm me titullin që u nxor nga deklarata fillestare: “Bislimi: Duhet të jemi gati për luftë”. 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka qenë njëri nga biseduesit e artikullit të publikuar në platformën ukrainase “European Pravda”, me titull: “Në pritje të Putinit: Si ka krijuar një zonë gri në Ballkan dëshira e Perëndimit për të mbrojtur pakicat”. Aty, Bislimi flet për ngjarjet e fundit në veriun e banuar me shumicë serbe dhe rreth sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2024, që ndikoi në tensionimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 26 prill, “European Pravda”, fillimisht publikoi citatin e Bislimit ku ai flet për luftë me Serbinë. Por, në fjalinë pasuese sqarohet se fjalën e ka për luftë jo konvencionale.

“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani sepse ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, ashtu siç tregoi shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, shkruan në versionin e parë të deklaratës.

Por, më pas ndryshohet citati i zëvendëskryeministrit Bisimi me këtë formulim: “Ne duhet të jemi gati për më të keqen… Ka disa elementë që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Njëri prej tyre është vendosja e trupave rreth kufirit me Kosovën. Serbia ka rreth 48 baza në kufirin me Kosovën, të cilat quhen ’bazat e operimit…, me rreth 6000 ushtarë. Në të njëjtën kohë, Serbia është një satelit i fortë pro-rus në Ballkanin Perëndimor dhe ne e dimë se është në interesin e vërtetë të Rusisë që të hapë një tjetër konflikt edhe më afër BE-së”.

“European Pravda” po ashtu ka shënuar se citati i Bislimit është përmirësuar pas publikimit të artikullit.

Shumica e mediave në gjuhën shqipe që përkthyen lajmin nga mediumi ukrainas, i vunë titujt nga fjalia e parë e Bislimit. Artikulli me deklaratën fillestare të Bislimit u shpërnda nga portale si: “Periskopi”, “Gazeta Blic”, “Gjilani Press”, “Reporteri.com”, “Gazeta Enigma”, me titull: “Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë”. Lajmi me të njëjtin titull u shpërnda edhe në mediat e Shqipërisë si: “Euronews Albania”, “A2 CNN”.

Veç mediave që shpërndanë titujt për luftën edhe në rrjetet sociale, reagime pati edhe nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, e ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përmendjen e luftës. “Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është shembull tipik i politikanit gjithsesi të padijshëm, që ngatërron kuptimin e qëndrimit politik me ndjeshmërinë e lidhjes me publikun, kur deklaroi në mediumin ukrainas se ‘duhet të jemi gati për luftë‘. Kur negociatori dështon, ai flet për luftën. Me këtë lloj deklarate, Besnik Bislimi e ka shpallë veten negociator të dështuar”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe pas përmirësimit të deklaratës së Bislimit nga mediumi ukrainas, ish-ministri i Jashtëm nuk e ka ndryshuar postimin e tij.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.