Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mes BASHKËsisë dhe Ndarjes

Në njërën anë na ofrohet Bashkësia e komunave me shumicë serbe (ndarja e brendshme); ose nëse këtë nuk e pranojmë atëherë ecim drejt rrugës së korrigjimit të kufirit. Por, vija ndarëse në shoqëri nuk është vertikale (që ndan sipas përkatësisë etnike), por horizontale (që ndan sipas pozicionit social). Edhe kjo mbase kërkon ndryshim kushtetute. Por ky ndryshim bëhet nga ne dhe për ne. Sepse është ndryshim për të mirë. Jo për Bashkësi e për ndarje etnike. Por për bashkim me bazë qytetarie.

Kushtetuta nuk është Bibël. As Kuran. Nuk është libër i shenjtë, por megjithatë ka diçka të shenjtë. Ajo përmbledh në vete parimet bazë të Kontratës Sociale, përmes së cilës një kolektivitet i tërë darkodohen sesi do të jetojnë bashkë. Kështu Kushtetuta, duke u kushtëzuar nga domosdoja e barazisë e lirisë si parime bazë të jetës në kolektivitet, kushteton që secili pjesëtar i shoqërisë do të ketë trajtim të barabartë, të ketë liri në mendim, shprehje e veprim, të ketë subjektivitet të pacenuar e mirëqenie të mundësuar. Janë këto parimet bazë kushtetues të cilitdo shtet që pretendon demokracinë. Dhe këto nuk mund të ndryshohen.

Por jo edhe për Miroslav Lajçakun, të ngarkuarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi. Ai madje ndryshimin e Kushtetutës e projektoi (përmes deklarimit) si diçka e natyrshme. Sepse e domosdoshme. Pra, për të e sipas tij, mënyra e vetme e ecjes përpara në dialog është ndryshimi i kushtetutës (kushtetutave?). Dhe ka të drejtë. Kushtetutat mund të ndryshohen. Dhe ndryshohen. Por në çka? Dhe për çka? Ky deklarim i Lajçakut nga Beogradi, edhe pse synon të jep një shkëndijë të asaj se si do të mund të përfundonte problemi (Dialogu i stërzgjatur Kosovë-Serbi), në të vërtetë e nxjerrë në dritë fillimin e problemit (etnizimin e politikës dhe institucionit në Kosovë).

Bashkësia e komunave me shumicë serbe është tregim i gjatë në Kosovë. Që nga viti 2013 kur ishte ratifikuar Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, parafuar atëbotë nga kryeministri i Kosovës H.Thaçi dhe kryeministri i Serbisë I.Daçiq. Ajo marrëveshje që në pikën e saj të parë kushtëzon themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Kjo pike është e rëndësishme të përmendet sepse procesi e ideja e normalizimit të marrëdhënieve në diskursin publik e politik në Kosovë bartë konotacion të njohjes reciproke. Por jo edhe në marrëveshjen e parafuar e negociuar. Aty obligimi del i qartë që në pikën e parë: Do të themelohet Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Tjerat janë histori. Por histori e rëndësishme. Sepse pika kulmuese e dialogut të Brukselit (Marrëveshja e parë, pas së cilës nuk ka pasur tjetër) normalizon ndarjen sipas vijave etnike dhe etablon pabarazinë mes komuniteteve në Kosovë. Asnjë komunë tjetër në Kosovë nuk ka përcaktim etnik përveç atyre me shumicë serbe. Në asnjë post publik në Kosovë nuk ka ekskluzivitet etnik përveç për komandantin e policisë në veri. E njëjta vlen edhe për gjykatës e prokurorë. Marrëveshja e parë për normalizim e sanksionon në një nivel të ri ndarjen sipas vijave etnike, duke sanksionuar njëkohësisht epërsi përmes veçantisë të komunitetit serb karshi gjithë të tjerëve. Një ndarje e tillë shkon ndesh me Kushtetutën. Prandaj Lajçak kërkon që ajo të ndërrohet. Por, qe besa, shkon ndesh edhe me parimet bazë të Evropës së bashkuar, barazisë mes popujve, çetnifikimit të politikës e të institucionit publik, solidaritetit e demokracisë që kjo Evropë përfaqëson. E këto kush do t’i ndryshojë?

Ka një arsye të fuqishme pse Asociacionin e quajmë ndryshe: Asociacion në shqip dhe Zajednica (Bashkësia) në serbisht. Dhe dallimi nuk është gjuhësor. Është juridik dhe politik. Për nga kuptimi këto dy terme dallojnë thelbësisht. Po e përmendi vetëm një prej dallimeve: Asociacioni apo shoqërorizimi nënkupton ruajtjen dhe kultivimin e subjektivitetit. Ne shoqërohemi për ta avancuar e përmirësuar jetën tonë, të krijojmë hapësira të reja për subjektin tonë, e mundësi të reja zhvillimi për lirinë e mirëqenien tonë. Në anën tjetër bashkësia kushtëzon shkrirjen e subjektivitetit në një entitet më të lartë përbashkues. Intensiteti i bashkëpunimit në Bashkësi është shumë më i lartë sesa në asociim, madje edhe më i lartë se sa në bashkim. Bashkësia është lidhje natyrore që pamundëson individin, subjektin individual. Për sa kohë që asociimi ndodh në shoqëri dhe organizohet përmes parimit të qytetarisë, bashkësia ndodh në familje dhe organizohet përmes parimit të etnisë, gjakut, përkatësisë. Dhe pikërisht kjo ndodh me Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednica Srpskih Opština). Kështu ka vërejtur Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të dhjetorit të vitit 2015, se “Parimet themelore/Elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë mes tjerash themelojnë një pushtet të tretë në Kosovë që vendoset në mes të atij qendror dhe pushtetit lokal. Pra, që përmes Bashkësisë komunat nuk bëhen bashkë për t’i avancuar e përmirësuar shërbimet publike për të cilat janë përgjegjëse, por që ato i delegojnë kompetencat e tyre në një organ të tretë, që merr ekskluzivitetin e pushtetit ekzekutiv për këto komuna.

Prandaj Lajçak kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Kjo e fundit, në kushtet e normalizimit të Asociacionit/Bashkësia del të jetë abnormale. Prandaj duhet normalizuar. Dhe për këtë edhe mund të kuptohet Lajçak. Pra ai po bën punën e vet prej burokrati. Praktikisht po na thotë se duhet ta zbatojmë atë për të cilën jemi dakorduar. Në mungesë të një ideje të qartë sesi ta vazhdojmë e përfundojmë dialogun, Lajçak po na e tregon njërën prej mundësive. Megjithatë ka diçka tejet bezdisëse në këtë qasje: lehtësia me të cilën Lajçak kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Dhe atë si kërkesë nga jashtë, e jo si vullnet nga brenda. Kur e ç‘shenjtëron kushtetutën aktuale të Kosovës, Lajçak, me lehtësinë e burokratit nga qendra (kur flet për përiferinë), harron që rrezikon ta ç‘shenjtërojë kushtetutshmërinë në përgjithësi, dhe ç‘shenjtërinë e kushtetutës ta paraqes ai parim absolut. Nëse kjo kushtetutë nuk qenka Bibël, atëherë asnjë kushtetutë, a ligj, a marrëveshje, nuk është Bibël. Pra as Marrëveshja e vitit 2013. As ajo e vitit 2015. Madje as dokumentet bazë të BE-së!

Parimi themelor dhe më i vlefshëm që duhet ta ndjekim në Kosovë është ai i barazisë së qytetarëve karshi ligjit, institucionit publik, pasurisë publike e mirëqenies. Dhe ky parim bazë duhet të jetë i shenjtë. Cilado rrugë e dialogut që shtrohet sipas parimit etnik domosdo do të sjellë te ndarja (e brendshme ose e jashtme qoftë ajo). Prandaj edhe jemi sot në një udhëkryq që duket se nuk ka rrugëdalje. Në njërën anë na ofrohet Bashkësia e komunave me shumicë serbe (ndarja e brendshme); ose nëse këtë nuk e pranojmë atëherë ecim drejt rrugës së korrigjimit të kufirit. Pra që të ndahen serbët e shqiptarët njëherë e përgjithmonë. Edhe për këtë duhet të ndryshohet kushtetuta.

Megjithatë duhet insistuar në rrugën e tretë: atë të kthimit të problemit te politika, aty ku ka qenë gjithmonë. Kosova duhet të jetë Republike e qytetarëve të barabartë, që i akomodon të drejtat e secilit pa dallim, dhe që krijon hapësirë të duhur për komunitetet pakicë, për zhvillimin e tyre ekonomik, politik e kulturor. Nëse i shkojmë çështjes në thelb, lehtë mund të vërejmë se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Ekonomia e brishtë është problem në tërë Kosovën pavarësisht sesi e ke emrin. Shëndetësia e arsimi janë të shkatërruara gjithandej pavarësisht komunës. Gjyqësori është i kapur nga krimi si në veri ashtu edhe në jug. Ajri, uji e toka po na kontaminohen secilit pa dallim. Drejtuesit institucional i kemi të korruptuar pavarësisht akronimeve partiake (natyrisht që këtu ka përjashtime, por ato nuk janë sipas vijave etnike, por sipas atyre partiake). Ne jemi të barabartë e bashkë në ndarjen e të keqes. Ndërkohë që duhet të mendojmë sesi të bëhemi bashkë për ta ndarë të mirën. Duhet ta kuptojmë se vija ndarëse në shoqëri nuk është vertikale (që ndan sipas përkatësisë etnike), por horizontale (që ndan sipas pozicionit social). Edhe kjo mbase kërkon ndryshim kushtetute. Por ky ndryshim bëhet nga ne dhe për ne. Sepse është ndryshim për të mirë. Jo për Bashkësi e për ndarje etnike. Por për bashkim me bazë qytetarie.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.