Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave është ide e keqe

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz – përfshirë komunitetin ndërkombëtar – për veprimet e njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës që mund të nxisin tensione të reja. 

Ura mbase është simboli më ikonik i luftës dhe komuniteteve të ndara në Kosovë, me një shumicë serbe që jeton në veri dhe një shumicë shqiptare në jug të lumit. Forcat italiane “Carabinieri” (që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it) qëndrojnë vazhdimisht mbi urë për ta ruajtur sigurinë.

Hapja e Urës për qarkullim të veturave do të ishte një fyerje për shumë njerëz në veri, të cilët sjelljen e qeverisë së Kosovës dhe policisë speciale e shohin si posaçërisht ofenduese dhe abuzive.

Ky vendim do ta rrisë edhe më shumë përshtypjen e komunitetit serb të Kosovës se qeveria e Kosovës po përpiqet t’u bëjë presion serbëve të Kosovës për ta lëshuar tërësisht vendin.

Bashkimi Europian menjëherë e bëri të qartë se është kundër këtij plani, por qeveria, edhe në Komunën e Mitrovicës e Veriut (që tani, pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale nga komuniteti serb, udhëhiqet nga Vetëvendosje) edhe qeveria qendrore nuk e morën për bazë këtë kundërshtim. Zëvendësministri i Administratës Lokale, Arbër Vokrri, deklaroi se “BE-ja dhe organizatat ndërkombëtare duhet ta mësojnë se këto çështje janë përgjegjësi e Republikës së Kosovës.”

Shqetësimet për Sigurinë 

Së pari, sa i takon sigurisë ka shqetësime të pashmangshme se hapja e Urës kryesore do ta rikthente dhunën që e kishte pllakosur kur aty ishin “Rojet e Urës” dhe grupet tjera, të cilat, për t’i mbajtur të ndara të dyja palët, e kishin bllokuar dhunshëm urën dhe kishin sulmuar KFOR-in dhe civilët. 

Rihapja për qarkullim të veturave mund të çojë në situatën kur disa grupe lokale sulmojnë e dhunojnë, jo vetëm KFOR-in dhe policinë e Kosovës, por edhe civilët. Kjo do të shtonte klimën e frikës dhe toksicitetit që qeveria e Kosovës ka ushqyer në veri dhe gjendjen tanimë të paqëndrueshme të sigurisë.  

Shoqëria civile – shqiptare dhe serbe – është gjithashtu e brengosur lidhur me pasojat që mund t’i sjellë marrja e një vendimi të nxituar pa u konsultuar me komunitetin. 

Vetëm në javën që e lamë pas, kanë ndodhur dy incidente që nxjerrin në pah shqetësimet e KFOR-it dhe të tjerëve për brishtësinë e sigurisë në veri: gjuajtja e granadave të dorës në veturat që po e vizitonin Liqenin e Gazivodës/Ujëmanit dhe kokteji i molotovit në kafiterinë e një pronari goran në Mitrovicë të Veriut, ku drejtori i policisë, kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, kishin pirë kafe një ditë më parë. 

Shqetësimet për Lirinë e Lëvizjes 

Së dyti, ekziston një keqkuptim i zakonshëm se nuk ka liri të lëvizjes nëpërmjet urës kryesore, teksa, që kur u integrua sistemi gjyqësor më 2013, ajo ka qenë e hapur dhe ka pasur liri të plotë, përveç veturave. 

Sot, shumë njerëz të të gjitha komuniteteve kalojnë nëpër urë për të shkuar në punë, dyqane dhe për t’u shoqëruar; veturat mund t’i përdorin dy urat tjera që janë brenda një distance që mund të ecet në këmbë nga ura kryesore. 

Bashkimi Europian, KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara, midis tjerash, janë të vetëdijshëm se sa delikat është balanci i sigurisë, paçka se sa shpesh zyrtarët e Kosovës parakalojnë në atë zonë dhe performativisht e shpallin “të hapur”. 

Kjo retorikë nga qeveria e Kosovës u pëlqen shumë njerëzve brenda elektoratit, shumica nga të cilët nuk e kuptojnë realitetin e Mitrovicës më 2024. 

Për më tepër, është e pavërtetë që lejimi i veturave për ta kaluar Urën e Ibrit do të sjellte më shumë mallra, tregti dhe zhvillim ekonomik, siç pretendon qeveria. Zona e urës – në qendër të një mjedisi të dendur urban është shumë e vogël për të akomoduar shumë trafik, e lëre më kamionë që bartin mallra. 

Me hapjen e urës kryesore për qarkullim të veturave, qeveria, në vend se ta rrisë, do ta bllokojë lirinë e lëvizjes. 

Një zgjidhje alternative? 

Në vend të hapjes së urës për vetura, qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës për t’i lidhur më mirë banorët, si dhe duhet të investojë më shumë kohë dhe burime në krijimin e besimit. 

Tani për tani zona rreth Urës së Ibrit është jashtëzakonisht miqësore për këmbësorët. Ajo u mundëson njerëzve nga të dyja anët që lehtësisht të shkojnë në anën tjetër. 

Përgjatë viteve, në Urë janë organizuar panaire dhe festivale që i kanë bashkuar njerëzit, siç ndodhi edhe para disa muajsh kur organizata joqeveritare Community Building Mitrovica organizoi një panair në Urë. 

Këtë verë, kur të organizohen Festivali i Jazz-it në Mitrovicë dhe Festivali i Gjelbër (të dy këto festivale organizohen në zonën e ecjes në anën jugore, afër Urës) njerëzit nga secila anë mund të ecin, të marrin një biçikletë apo trotinet, në të gjitha ngjarjet dhe këta njerëz sjellin më shumë qarkullim për kafiteritë dhe bizneset e të dyja anëve. 

Një qytet i përshtatshëm për ecje është qëllimi i shumicës së planifikuesve urbanë në gjithë botën, sepse jo vetëm që zbut ndryshimet klimatike, por promovon ekonominë, kulturën e shëndetin dhe bashkon komunitetet. Hapja e urës kryesore do të shkatërronte të gjitha përparimet që në këtë drejtim i kanë arritur të dy komunat, veçanërisht në pajtimin në mes të komuniteteve

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.