Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Përtej kombeve, apo rikthim i nacionalizmit?

Recensë

“Nacionalizmi: Kombi, shteti dhe politika në epokën moderne”, 

Enis Sulstarova

Pika pa Sipërfaqe, 2022

Kur para tre dekadash, pra në vitin e largët 1992, njëri ndër studiuesit dhe autorët më të spikatur të nacionalizmit, historiani Eric Hobsbawm paralajmëronte zbehjen e nacionalizmit dhe zhbërjen graduale të komb-shteteve, shumëkush mendonte se kjo do të paraqiste një periudhë të re pas-nacionale, ku për nacionalizmin, sikurse edhe për ideologjitë tjera të atij shekulli nuk do të kishte më vend. Ndonëse, duke qenë intelektual marksist, Hobsbawm-i nuk do të mund të pajtohej me Francis Fukuyama-n se kjo përbënte ‘fundin e historisë’ dhe triumfin e liberalizmit. Kishte edhe zëra të tjerë ngjashëm që pohonin se kombet, siç i njihnim deri në atë kohë, do të shkriheshin në një civilizim të ri pas-kombëtar. Ndërsa globalizimi i theksuar dhe zhvillimi teknologjik do ta bënin këtë të pashmangshëm dhe do përshpejtonin këtë kthesë paradigmatike.

Sido që të jetë, lufta e përgjakshme në ish-Jugosllavi, por edhe brishtësia kronike e Bashkimit Europian, ashtu si zhvillimet e fundit me përforcimin e partive ekstremiste e populiste, dëshmojnë se as nacionalizmi as komb-shtetet janë zbehur. Përkundrazi, nacionalizmi në trajta të ndryshme, veçse është bërë më i theksuar dhe i përhapur. Prandaj një libër si ky i Enis Sulstarovës është i domosdoshëm për t’i kuptuar më mirë zhvillimet politike e shoqërore, si ato të dimensioneve vendore ashtu edhe ato botërore.

Çka e përbën nacionalizmin në të vërtetë? Prej nga buron përhapja universale dhe qëndrueshmëria historike, qoftë si ideologji, qoftë si ndjesi e përkatësi dhe vetëdije kolektive? Për më tepër, çka e bën të veçantë kombin karshi identiteteve tjera? Këto dhe çështje tjera janë tema thelbësore që trajtohen në këtë libër.

Në pjesën e parë bëhet një shtjellim teorik, si parakusht për të konceptualizuar kombin dhe nacionalizmin në kohë dhe hapësirë të ndryshëm, e pastaj një trajtesë e nacionalizmit si ideologji dhe në dritën e ideologjive tjera rivalizuese e shpesh edhe plotësuese. Ndërsa në pjesën e tretë diskutohet nacionalizmin karshi aspekteve kulturore, mitike, simbolike, fetare, gjinore etj., duke i analizuar gjerësisht marrëdhëniet e duke nënvizuar ndërvarësinë dhe përplasjet që sjellin këto me vete. E në fund diskutohet ajo të cilën edhe Hobsbawm-i fillimisht e kishte shtruar si çështje, pra çka përtej kombit? Veçse Sulstarova tani në rrethana krejtësisht të reja socio-politike, nuk duket të jetë aq optimist se kosmopolitizmi, globalizmi, apo proceset integruese europiane mund të merren si zëvendësim i suksesshëm i nacionalizmit dhe rrënues të kombit. Duke u mbështetur në Anthony Smith-in, ai sugjeron se kultura globale është e pamjaftueshme për nevojat identitare të njerëzve. Dhe vazhdon në mbrojtje të kësaj teze, duke konstatuar: “Të njëjtat mjete të komunikimit që mbajnë në këmbë dhe përhapin kulturën globale përdoren për të pohuar dhe forcuar identitetet vendore, etnike dhe kombëtare” (fq.292).

Gjithashtu, tek rritja e populizmit dhe forcimi i së djathtës ekstreme në shumë vende europiane, ai sheh prova të ringjalljes së nacionalizmit si ideologji politike dhe si një vetëdijesim popullor në formë të njëlloj ‘revoltimi’ ndaj trendëve të globalizimit dhe ndaj elitave lokale, duke sfiduar rendin ekzistues socio-politik por nganjëherë edhe duke përfunduar në autoritarizëm. Siç edhe Sulstarova na e ilustron me raste të panumërta të popullizmit që ka karakterizuar madje edhe shtetet me demokraci të konsoliduar. Në këtë kapitull autori duket se e relativizon paksa ndërlidhjen e popullizmit me nacionalizmin duke u munduar që të tërheqë një vijë dalluese teorike mes tyre dhe në atë se si i qasen ‘popullit’, edhe pse më pas nënvizon se janë komplementare në luftën për pushtet. Ndoshta këtu autori do të duhej të shtjellonte më hollësisht pikërisht këtë ndërvarësi mes nacionalizmit dhe popullizmit në krijimin e diskursit politik dhe legjitimimin e pushtetit. Sepse, sipas mendimit tim, që të dyja ideologjitë shërbehen me elemente të ngjashme të narracionit të ‘rrezikut’ dhe ‘frikës’ nga armiqtë dhe ‘shpëtimit’ e ‘sakrificës’ për kauza madhore e të shenjta. Sigurisht që konteksti, mënyrat dhe rastet në të cilën këto si të tilla shpërfaqen, mund të dallojnë, por në parim, si mjete për pushtet, pak e hiç dallojnë mes vete.

Me një gjuhë të rrjedhshme e fjalor të pasur shkencor, autori arrin të shtjellojë tema komplekse me një thjeshtësi lehtë të kuptueshme. Kjo nuk është vetëm mjeshtëri shkrimi dhe stili, por edhe aftësi e jashtëzakonshme intelektuale e akademike. Prandaj, libri duhet të jetë në çdo bibliotekë publike dhe të lexohet nga çdo student e studiues shqiptar, veçanërisht ata të shkencave shoqërore, që synojnë të kuptojnë më mirë zhvillimet politike e shoqërore, si tek ne ashtu edhe në botë. Sepse nacionalizmi, në shpërfaqje të llojllojshme dhe në ndërveprim me dukuri e ideologji të ndryshme, vazhdon akoma të ketë ndikim në jetën politike dhe shoqërore në masë të konsiderueshme.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Kritikë

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023) Mbi Ninullën e Adrian Asllanit Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.