Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Zyrtarë serbë e konsiderojnë sulm të radhës mbylljen e Administratës Tatimore ilegale në veri

Një ditë pas festës së Krishtlindjeve Ortodokse, autoritetet e Kosovës kryen një aksion në veri të vendit, duke mbyllur një degë të Administratës Tatimore të Serbisë dhe një kompani sigurimi që operonte pa licencë. Ky veprim nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët thanë se aksioni u bë qëllimshëm në ditët kur serbët po festonin Krishtlindjen dhe me leje të shteteve perëndimore.

Më datë 8 janar 2025, mediumi serb “Novosti” ka publikuar një artikull me titullin: “HYRJA NË ADMINISTRATËN TATIMORE ISHTE IDE E KURTIT, POR NUK ZBATOHET PA LEJEN E QUINTIT”: njoftoi Vulini”.

Në përmbajtje të artikullit, ky medium ka bashkëngjitur deklaratën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka pretenduar se bastisja në ambientet e Administratës Tatimore në Mitrovicë në ditën e dytë të Krishtlindjeve Ortodokse është një sulm ndaj shtetit serb dhe serbëve në Kosovë. Për këtë ai e ka fajësuar edhe QUINT-in, duke thënë se u bë me lejen e tyre. Deklarata e Vulinit, i sanksionuar nga SHBA-ja, më pas u shpërnda edhe nga mediume të tjera serbe, si “Kurir.rs”, “Telegrafi.rs”.

“Ashtu siç bombarduan Serbinë në Pashkët Ortodokse në vitin 1999, ashtu në vitin 2025 do të sulmojnë shtetin serb dhe serbët në Kosovë për Krishtlindje. Bastisja në ambientet e Administratës Tatimore në Mitrovicë në ditën e dytë të Krishtlindjeve Ortodokse ishte ide e Kurtit, por nuk u krye pa lejen e QUINT-it”,  ka thënë Vulini.

Tentimi i tij për ta përfshirë dhe fajësuar Perëndimin lidhur me këtë vendim, nuk qëndron. QUINT-i, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, në vazhdimësi ka kritikuar Qeverinë për vendimet rreth veriut, duke i cilësuar ato të “pakoordinuara” dhe të “njëanshme”. Çështja e institucioneve paralele të Serbisë është kërkuar që të trajtohet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Për Qeverinë e Kosovës, vendimet që lidhen me veriun janë në kuadër të shtrirjes së ligjshmërisë dhe sovranitetit në atë pjesë.

Më 8 janar, Policia e Kosovës mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”. U mbyll edhe kompania e sigurimeve nga Serbia Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Në lidhje me mbylljen e Administratës Tatimore në Mitrovicën e Veriut ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucionalë. “Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E, në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”,  ka shkruar Zveçla.

Kjo nuk është hera e parë që media dhe zyrtarë serbë, vendimet e Qeverisë së Kosovës për veriun i konsiderojnë si sulm ndaj serbëve. Së fundi, edhe ndërtimin e nënstacionit policor në Zveçan, zyrtarë serbë e cilësuan si “pushtim” të veriut.

Deklarata të tilla nga zyrtarët serbë, të pambështetura në fakte, se ka tendencë për dëbimin e serbëve dhe se kjo po bëhet me mbështetjen e ndërkombëtarëve, mund t’i shtojnë tensionet brenda komunitetit serb në Kosovë, duke nxitur përçarje mes grupeve etnike.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.