Përtej krizës aktuale politike në Kosovë, vendi po përballet me një rritje alarmante të polarizimit politik, të shoqëruar nga sfidimi i hapur i institucioneve të drejtësisë nga zyrtarët e lartë dhe normalizimi i dhunës në diskursin publik, duke minuar kështu themelet e rendit demokratik dhe duke e shndërruar shtetin në një hapësirë ku ligji zbatohet në mënyrë selektive.
Nga rrahja e rivalëve politikë e deri te sfidimi i gjyqësorit nga kryeministri, Kosova po zhvendoset drejt një sistemi ku ligji zbatohet në mënyrë selektive dhe autoriteti institucional i nënshtrohet logjikës së pushtetit politik.
Kur pushteti sfidon drejtësinë
Problemi thellohet kur vetë zyrtarët më të lartë japin shembull të kundërt me standardet që kërkohen nga qytetarët.
Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore krijon një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Kur një kryeministër deklaron publikisht se “guxon” të mos shkojë në prokurori dhe sfidon organin e akuzës duke thënë “le të guxojnë ata të vijnë në zyrën time“, përveçse shpërfillje, është edhe tallje me shtetin.
Nëse kryeministri mund të zgjedhë cilit institucion t’i bindet dhe cilit jo, pse nuk mund ta bëjë edhe një kryetar komune? Apo një militant partie? Apo një biznesmen i fuqishëm?
Në demokraci, respektimi i institucioneve nuk është çështje humori politik apo teke personale. Është detyrim kushtetues. Sidomos për ata që kanë pushtet ekzekutiv dhe menaxhojnë me paranë publike. Përndryshe, krijohet kultura e mosndëshkimit dhe bindja se ligji është instrument për të dobëtit, jo për të fortët.
Fabrika e urrejtjes digjitale
Klima politike e krijuar pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja për 7 qershor e ka përshpejtuar edhe më shumë këtë proces toksik.
Hapësira digjitale është shndërruar në arenë linçimi publik. Rrjetet sociale janë mbushur me fotografi të manipuluara, video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa primitive ku kundërshtari politik nuk kritikohet për ide apo programe, por sulmohet në moral, familje dhe identitet.
Njëra palë paraqitet si “mbrojtëse e Republikës”, ndërsa tjetra si “argate e Serbisë”. Çdo kritikë etiketohet si tradhti. Çdo kundërshtar shihet si bashkëpunëtor i armikut.
Dehumanizimi politik është faza paraprake e dhunës fizike. Kur dikush portretizohet vazhdimisht si tradhtar, anti-shtet apo armik i kombit, krijohet klima ku sulmi pastaj tolerohet dhe arsyetohet.
Në vend të dënimit unanim të dhunës, sot po shohim romantizim të saj, madje ajo duartrokitet. Justifikohet edhe nga ata që do të duhej ta denonconin e dënonin, deri në glorifikim të forcës së atij që shpërndan grushte apo sfidon institucionet e hetuesisë.
Dhe po kjo gjë ndodhi së fundmi në Skenderaj.
Arsyetimi i dhunës dhe glorifikimi i agresorit
Incidenti ku Sami Lushtaku dyshohet se sulmoi zëvendësministrin dhe kandidatin e LVV-së për deputet, Hysni Mehani, pas akuzave të këtij të fundit, pasqyron kulturën politike të ndërtuar ndër vite: kundërshtari politik nuk shihet si rival, por si armik.
E dërgimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Skenderaj në mesnatë e degradoi incidentin në dramë të re, gjë që më pas nxiti mobilizim të qytetarëve.
Po aq dramatik ishte fakti se u deshën të kalonin 24 orë që i dyshuari për sulmin të intervistohej nga Prokuroria.
Pas intervistimit nga Prokuroria, Sami Lushtaku u duartrokit si hero, duke shpërfaqur edhe një herë se në Kosovë fuqia politike e individit lartësohet edhe kur bie ndesh me ligjin. Po aq shqetësues është fakti se PDK-ja nuk e dënoi dhe nuk u distancua nga sulmi.
Dhuna dhe mosrespekti si normalitet i ri politik
Kosova po hyn në një cikël të rrezikshëm, ku politika po e cenon vetë shtetin që duhet ta mbrojë. Polarizimi politik dhe shoqëror nuk kufizohet më në rrjete sociale apo debate televizive. Ai tashmë ka kaluar në terren fizik, duke e shtyrë vendin drejt një faze shqetësuese.
Problemi thelbësor mbetet mungesa e kulturës shtetërore dhe zbatimi selektiv i ligjit, veçanërisht ndaj atyre që mbajnë pushtet.
Në njërën anë, pushteti akuzon institucionet e drejtësisë për motive politike; në anën tjetër, opozita e trajton shtetin si instrument për rikthim në pushtet. Në mes mbeten qytetarët, të ekspozuar ndaj propagandës, teorive konspirative, gjuhës së urrejtjes dhe normalizimit të dhunës.
Dialogu politik pothuajse ka humbur, ndërsa kompromisi perceptohet si dobësi. Kjo kulturë politike po e shtyn Kosovën drejt një degradimi institucional, ku partia vendoset mbi shtetin, lideri mbi ligjin dhe turma mbi institucionin.
Në një klimë të tillë, konfliktet verbale dhe fizike nuk janë më incidente të izoluara, por sinjale të një destabilizimi më të thellë. Në një shtet ku sfidohen institucionet e drejtësisë dhe relativizohet dhuna, ai largohet gjithnjë e më shumë nga modeli i një demokracie funksionale europiane.




























































