Zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025 bartin një simbolikë të rëndësishme të zhvillimit politik në vend. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Përfitimet nga përfundimi i mandatit të plotë qeveritar katërvjeçar janë të shumta dhe ofrojnë një pasqyrë më të qartë të qeverisjes. Kjo pastaj u jep kohë të mjaftueshme subjekteve politike në draftimin e prioriteteve dhe programeve të tyre zgjedhore.
Për shkak se programet zgjedhore janë dokumente të gjata dhe përplot detaje, ky shkrim fokusohet vetëm në fushën e politikës së jashtme të partive kryesore në vend.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk e ka publikuar programin zgjedhor. As koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët nuk ka shfaqur ndonjë program të ri zgjedhor.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë dy subjektet e vetme kryesore në vend që kanë paraqitur një ofertë zgjedhore te qytetarët.
Programi zgjedhor i PDK-së përmban 62 faqe, ndërsa ai i LDK-së është më voluminoz, me gjithsej 248 faqe. Të dyja këto subjekte politike i kanë dedikuar rreth 6-7 faqe politikës së jashtme në programet e tyre.
Këto janë veçoritë kryesore të programeve zgjedhore nga LDK-ja dhe PDK-ja në fushën e politikës së jashtme për zgjedhjet e 9 shkurtit:
Fokus i veçantë në përmirësimin e raporteve me aleatët
PDK-ja ofron një gjuhë tejet specifike në raport me thellimin e raporteve me aleatët, duke theksuar se duhen “riparuar” fillimisht raportet me SHBA-në. Në këtë kontekst, PDK-ja nënvizon thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel politik, ekonomik dhe kulturor, përtej fushës së sigurisë.
Ky premtim është shumë i rëndësishëm për faktin se gjatë qeverisjes Kurti 2, raportet me SHBA-në kanë degraduar në nivele alarmante, duke izoluar dhe dëmtuar aspiratat e vendit.
Edhe për LDK-në, thellimi i partneritetit të përhershëm strategjik me SHBA-në, shtetet e BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, është një ndër qëllimet kryesore që definon programin e tyre zgjedhor.
Në rastin e LDK-së, vlen të theksohet përmendja e Mbretërisë së Bashkuar, vend ky i cili ka zbehur fokusin e saj në Ballkanin Perëndimor pas Brexit-it. Një riangazhim i diplomacisë kosovare në këtë drejtim do të ishte i mirëpritur.
Vëmendje te kthimi i njohjeve dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare
Një ndër premtimet kryesore të LDK-së është forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës përmes njohjeve të reja (me fokus në pesë vendet e BE-së), anëtarësimit në organizata ndërkombëtare (kryesisht BE, NATO, Këshilli i Europës). Gjithashtu, rëndësi e veçantë i kushtohet anëtarësimit në agjencitë e specializuara të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Nevoja për kthimin e vëmendjes në këtë drejtim është thelbësore për Kosovën, sidomos kur dihet fakti se përgjatë katër viteve të Qeverisë Kurti 2, Kosova nuk e ka arritur asnjë njohje të re apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, përtej ofrimit të prioriteteve dhe elaborimit të rëndësisë së tyre për Kosovën, LDK-ja nuk specifikon detaje se si do t’i arrijë objektivat e saj.
Ngjashëm, PDK-ja konsideron se duhet bërë më shumë përpjekje për ta rritur numrin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. PDK-ja premton rritjen e numrit të njohjeve në 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së (128 shtete), gjë që mund të konsiderohet si një objektivë e prekshme, edhe pse e vështirë të arrihet, duke marrë për bazë se numri total i njohjeve të Kosovës është momentalisht 114.
Në aspektin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, PDK-ja ofron dy premtime kyçe: anëtarësimi në Këshillin e Europës, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, as PDK-ja nuk ofron detaje se si do t’i realizojë këto premtime zgjedhore.
Barazia gjinore dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile
LDK-ja është i vetmi subjekt politik i cili e përmend rëndësinë e barazisë gjinore në aktivitete diplomatike dhe nevojën për përfshirjen e grave në proceset vendimmarrëse. Megjithatë, në programin zgjedhor 248-faqësh të LDK-së, shoqëria civile nuk përmendet as edhe një herë të vetme.
PDK-ja, në anën tjetër, është i vetmi subjekt politik që përmend bashkëpunimin me shoqërinë civile në kontekstin e procesit të integrimit europian të Kosovës, gjë që hedh në pah rëndësinë dhe kontributin e shoqërisë civile në vend.
Reformat në shërbimin e jashtëm diplomatik
PDK-ja i kushton vëmendje të veçantë reformës në shërbimin e jashtëm diplomatik, duke përmendur depolitizimin, rritjen e fondeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e bursave për specializimin e kuadrove të reja.
Ky premtim bazohet në nevoja reale, sepse reformat në shërbimin e jashtëm diplomatik të Kosovës janë të domosdoshme. Në këtë kontekst, PDK-ja ofron disa premtime tejet specifike, të cilat padyshim se do t’i shërbenin pozitivisht përmirësimit të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërsa, LDK-ja premton riorganizim të shërbimit të jashtëm, duke vendosur një sistem të ri menaxhimi. Sipas LDK-së, qëllimi është që të balancohet numri i stafit diplomatik sipas nevojave, në mënyrë që të krijohet një sistem më efikas. Në këtë drejtim, LDK-ja premton rritjen e stafit diplomatik në kryeqendrat perëndimore.
Ky premtim i LDK-së është praktik dhe adreson një problem serioz në shërbimin e jashtëm diplomatik të Kosovës. Është e domosdoshme që ambasadat në kryeqendrat botërore të mos ballafaqohen me mungesë të stafit, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën.
Disa premtime kreative
PDK-ja synon ofrimin e shërbimeve të përbashkëta konsullore me Shqipërinë, në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë.
Ky premtim nga PDK-ja është praktik, sepse ofron mbështetje dhe shërbime ndaj qytetarëve kosovarë nëpër botë dhe në të njëjtën kohë ul kostot operative të konsullatave dhe ambasadave të Kosovës. Kjo është një praktikë që ndiqet edhe nga shtetet e zhvilluara. Për shembull, Suedia dhe Finlanda ndajnë zyrat në një ndërtesë të përbashkët në Prishtinë.
Në anën tjetër, LDK-ja sugjeron krijimin e pozitës së “Ambasadorit at Large”, që në shqip mund të përkthehet si “ambasador i përgjithshëm”. Këta ambasadorë zakonisht përfaqësojnë vendet e tyre duke u fokusuar në çështje specifike të politikës së jashtme dhe duke u përfshirë në shtete të ndryshme varësisht nga nevojat, sepse këta ambasadorë nuk janë të lidhur me një ambasadë specifike.
Edhe pse LDK-ja nuk e argumenton rëndësinë për këtë lloj të ambasadorit, ky premtim zgjedhor është i qëlluar sepse këta ambasadorë do të mund të fokusoheshin në nevojat kryesore të vendit, siç janë njohjet e reja, aspiratat në organizata ndërkombëtare dhe mbështetja nga aleatët në dialogun Kosovë-Serbi, mes të tjerash.
Premtime të palogjikshme
Ndoshta premtimi më kreativ në programin e PDK-së është promovimi i agjendës së paqe-ndërtimit, ku thuhet se PDK-ja synon ta avancojë politikën e jashtme të Kosovës përmes promovimit të vlerave universale të paqes, forcimin e demokracisë dhe zgjidhjen e konflikteve përmes organizatave, si: OKB-ja, BE-ja dhe OSBE-ja.
Megjithatë, ky premtim është i pakuptimtë, sepse Kosova nuk është shtet anëtar i OKB-së, BE-së apo OSBE-së dhe rrjedhimisht nuk mund të angazhohet në këto organizata për misione të paqe-ruajtjes apo paqe-ndërtimit.
Këto ishin disa nga premtimet kryesore dhe më të veçanta në fushën e politikës së jashtme nga dy prej partive kryesore në vend, LDK dhe PDK. Gjersa disa parti opozitare kanë punuar për t’u ofruar qytetarëve të vendit një program zgjedhor dhe alternativë qeverisëse, partia në pushtet, LVV-ja, nuk e ka marrë mundin fare.