Më 9 shkurt 2025, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit. Në këtë fushatë, partitë politike kryesore opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë shpalosur programet e tyre, por partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk e ka bërë një gjë tillë.
LVV-ja gjithashtu ka refuzuar që të japë llogari për katër vitet e qeverisjes së tyre, madje duke refuzuar ballafaqimin me kundërshtarët politikë nëpër debate televizive.
Me gjithë mungesën e një programi qeverisës dhe refuzimin për të marrë pjesë në debate televizive, LVV-ja tanimë po garon me një dëshirë edhe më të madhe: t’i marrë 500 mijë vota.
Fakti që premtimet e partisë në pushtet kanë qenë të mëdha në zgjedhjet e kaluara, ndërkaq realizimi i tyre i vogël, mund të jetë edhe arsyeja kryesore se pse LVV-ja ka zgjedhur të ndjekë një fushatë më ndryshe, pa program zgjedhor, të mbushur me mllef e britma, si dhe me përdorim të termave pezhorativë karshi kundërshtarëve politikë, analistëve e mediave.
Kryeministri Kurti vazhdon të krenohet me shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, por u është shmangur temave si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, të drejtat e punëtorëve dhe politika e jashtme, mes të tjerash.
Kur vjen puna te barazia gjinore, krenohet me shtesat për lehonat, por ka dështuar në realizimin e premtimit të bërë në vitin 2021 për ndërtimin e 160 çerdheve të reja, duke i ndërtuar vetëm 5 sosh, çka edhe do t’ua lehtësonte më shumë grave hyrjen në tregun e punës.
Ndërsa, për klasën punëtore për të cilën pati premtuar shumë, qeveria e udhëhequr nga Kurti nuk ka arritur as ta kalonte në Kuvend Ligjin e Punës, duke u pamundësuar kushte më të mira të punës qytetarëve të vendit, por edhe të rregullonte çështje me rëndësi, si pushimi i lehonisë.
Fushata e kreut të LVV-së, Albin Kurti, ka shpërfaqur një nervozizëm të theksuar, duke u karakterizuar me çjerrje, mllef e gjestikulacione shqetësuese. Ndërsa, ministrat e qeverisë së tij, në më shumë se një rast, janë munduar të shpërfaqin talentet e tyre muzikore, duke kënduar bashkë me përkrahësit nëpër tubime.
Këto sjellje të çuditshme vijnë si pasojë e një fushate dukshëm më të vështirë nga sa është menduar fillimisht për partinë në pushtet. LVV-ja i ka hyrë garës për zgjedhjet me një epërsi të dukshme, siç edhe kanë treguar disa sondazhe njëra pas tjetrës.
Por, mobilizimi i partive opozitare, duke ofruar programe konkrete dhe duke zhvilluar një fushatë plot energji, entuziazëm e shpresë, ka ndikuar që LVV-ja të ndihet në disavantazh.
Për më tepër, bojkotimi i studiove televizive u ka mundësuar partive të tjera që t’i shpalosin programet e tyre në mënyrë të detajuar, por edhe ta kritikojnë udhëheqjen e LVV-së përgjatë katër viteve të fundit, pa hasur në ndonjë rezistencë nga LVV-ja.
Gjithashtu, refuzimi i liderëve të tjerë politikë për të rënë në grackën e sulmeve personale ia kanë pamundësuar Kurtit konfrontimin në rrafshin personal, në të cilin Kurti shkëlqen.
Këto edhe kanë bërë që nëpër sondazhet e zhvilluara përgjatë fushatës, LVV-ja të pësonte rënie, e partitë e tjera ngritje. Kjo i ka prishur matematikat LVV-së, e cila, e mbështjellë nga arroganca që i ka karakterizuar që nga fitorja historike e vitit 2021, ka llogaritur në ngopjen e qytetarëve me partitë e tjera, por pa futur në ekuacion reformimin e partive opozitare gjatë katër viteve të fundit.
Rrjedhimisht, ka lindur nevoja për të improvizuar strategjinë zgjedhore në momentet e fundit. Por, strategjia e ndjekur nga LVV-ja nuk ka dhënë rezultate. Madje, çjerrjet e Kurtit dhe paroditë e vartësve të tij kanë frustruar edhe votues të LVV-së, duke i shtyrë ata që ta rimendonjnë votën e tyre.
Albin Kurti dhe LVV-ja janë akoma shumë të fuqishëm. Gjasat janë të mëdha që përsëri do të dalin të parët, me një rezultat të mirë zgjedhor. Por, me shumë gjasë, diferenca mes partisë në pushtet dhe partive opozitare nuk do të jetë aq e madhe sa ç’ka qenë më 2020.






























































