Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Arsimi në epokën digjitale: a duhet të ndalohen telefonat e mençur në shkolla?

Ilustrimi nga: BigEye

Me avancimin e teknologjisë dhe digjitalizimit të shoqërisë, gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë kanë akses të vazhdueshëm në internet dhe komunikim nëpërmjet pajisjeve elektronike, në veçanti telefonat e mençur. 

Në një sondazh të realizuar nga Autoriteti Australian i Komunikimit dhe Medias del në pah se 48% e fëmijëve të moshës 6-13-vjeçare kanë qasje në telefona. Ndërsa, në Mbretërinë e Bashkuar, mbi 80% e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç kanë një telefon të mençur.

Në anën tjetër, në Japoni e Indi, fëmijët bëhen pronar të telefonit të parë afërsisht në moshën 15-16-vjeçare, ndërsa në Korenë e Jugut, 90% e popullsisë mbi 3 vjeç përdorin në formë të pavarur telefonat e mençur.

Në Kosovë mungojnë të dhënat empirike për posedimin e telefonave nga ana e fëmijëve dhe adoleshentëve. Megjithatë, nga observimet personale, numri i tyre duket të jetë shumë i lartë. 

Po ashtu, temë debati për shumë vite mbetet përdorimi i telefonave në shkolla. Përhapja masive e pajisjeve mobile në moshë të hershme e bën të domosdoshme ndërhyrjen me masa rregulluese në sistemin arsimor të Kosovës për të minimizuar ndikimet negative të tyre në të nxënit dhe shëndetin mendor të nxënësve.

Përpjekjet për të ndaluar përdorimin e telefonave në shkolla datojnë që nga fillimi i viteve ‘90 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur shumë shkolla filluan të vendosin masa kufizuese për përdorimin e tyre. Megjithatë, shumë nga këto ndalime u hoqën në fillim të viteve 2000. 

Një valë e dytë e ndalimeve filloi midis viteve 2008 dhe 2012, në vende si: Franca, Izraeli dhe Kanadaja. Së fundmi, kufizime të ngjashme kanë filluar të zbatohen edhe në Australi, ndërsa vende si Danimarka, Suedia dhe Kili po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Kufizimet e shteteve më lart variojnë nga ndalimi i plotë i telefonave në shkolla e deri te politika që kërkojnë që nxënësit t’i mbajnë telefonat e tyre të fikur në çanta. Në disa raste, telefonat lejohen në xhepat e nxënësve, por nuk mund të përdoren gjatë orëve të mësimit.

Një nga argumentet kryesore për ndalimin e telefonave në shkolla është përmirësimi i performancës së tyre shkollore. Studime të ndryshme kanë treguar se përdorimi i telefonave të mençur gjatë orëve mësimore shpërqendron nxënësit dhe ndikon negativisht në mësim.

Studiuesit kanë konstatuar se nxënësit që përdornin telefonat e tyre gjatë mësimit mbanin 62% më pak shënime për leksionet që shtjelloheshin në klasë, kishin përqendrim më të ulët në ligjërata dhe merrnin nota dukshëm më të ulëta se ata që nuk i përdornin ata.

Një tjetër analizë mbi efektet e komunikimit përmes mesazheve të shkruara në procesin e të nxënit arriti në përfundimin se nxënësit që përdornin telefonin e mençur gjatë ligjëratave për të dërguar ose për t’iu përgjigjur mesazheve kishin rezultate më të ulëta në testet që vlerësonin kujtesën.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe ndikimi i telefonave në shëndetin mendor dhe mirëqenien sociale të nxënësve. Vlerësohet se shpërqendrimi dhe ndërprerjet e shpeshta gjatë mësimit mund të ndikojnë në aftësinë e nxënësve për të përvetësuar materiale të reja dhe mund të shkaktojnë ankth dhe stres të shtuar.

Një shqetësim tjetër jo i vogël që lidhet me përdorimin e telefonave në shkolla është rritja e rasteve të bullizmit kibernetik. Përdorimi i rrjeteve sociale gjatë orëve të mësimit mund të krijojë një mjedis të pafavorshëm për nxënësit që ndihen të ekspozuar ndaj komenteve negative dhe presionit nga bashkëmoshatarët.

Duke marrë parasysh ndikimin negativ të telefonave të mençur në përqendrimin dhe performancën shkollore të nxënësve, si dhe rreziqet që lidhen me bullizmin kibernetik dhe mirëqenien psikologjike, kufizimi i përdorimit të tyre gjatë procesit mësimor është i domosdoshëm. 

Prandaj, vendosja e politikave të qarta për kufizimin e telefonave në shkolla, të mbështetura nga masa konkrete për zbatimin e tyre, është një hap i nevojshëm për të krijuar një mjedis arsimor më efektiv dhe të sigurt për të gjithë nxënësit në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.