Zgjedhjet e 9 shkurtit i dhanë një fitore të madhe LVV-së, prej 41%, e megjithatë partia në pushtet pësoi një rënie prej 9% nga viti 2021. Mungesa e programit zgjedhor, refuzimi për t’u ballafaquar në debatet televizive dhe fushata jo mirë e organizuar, janë disa nga faktorët kyçë që ndikuan në uljen e mbështetjes. Gjithashtu, dalja e ulët në zgjedhje shërben si një indikator i zhgënjimit me qeverisjen dhe deri diku e shpjegon rënien e përkrahjes për partinë në pushtet.
Sondazhi i opinionit publik, i bërë në datën e zgjedhjeve nga KTV-ja, na ndihmon ta kuptojmë më mirë pakënaqësinë qytetare. Arsyet kryesore për këtë rënie mund të gjurmohen në dështimin e qeverisë për të trajtuar shqetësimet më urgjente të qytetarëve, që shkon edhe kundër premtimeve të para katër vjetëve.
Mungesa e fokusit në prioritetet kryesore
Një problem i të gjitha qeverive në Kosovë është pamundësia e fokusit në më shumë se një prioritet të madh. Zakonisht, energjinë kryesore e merr dialogu me Serbinë dhe injorohen prioritetet e tjera. Kosova ka nevojë për reforma rrënjësore, siç janë instalimi i shtetit zhvillimor dhe forcimi i shërbimeve publike, dhe nuk mund të vazhdohet tradita e fokusit në vetëm një prioritet.
Qeveria aktuale ka dështuar në masë të madhe t’i trajtojë këto shqetësime në mënyrë efektive. Edhe pse ka pasur përpjekje në disa fusha, ritmi i reformës dhe rezultatet e prekshme kanë munguar, duke krijuar zhgënjim te votuesit.
Rritja e çmimeve
Një nga kritikat kryesore ndaj qeverisë aktuale është vazhdimi i politikave të mëparshme të qeverisë, veçanërisht në mos-heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore esenciale. Duke qenë se 46.7% e të anketuarve theksojnë nevojën për kontrollin e çmimeve, nuk është befasuese se dështimi për të lehtësuar barrën e jetesës për familjet ka gërryer ndjeshëm besimin e publikut.
LVV-ja kishte premtuar se do ta eliminonte TVSH-në për shportën bazike dhe për libra. Duke vazhduar këto politika të vjetra tatimore, qeveria ka humbur një mundësi për të ofruar lehtësim të menjëhershëm ekonomik për familjet në vështirësi.
Mungesa e mësimit gjithëditor në shkolla
Me 29% të të anketuarve që i japin përparësi reformës në arsim, dështimi i qeverisë për të zbatuar mësimin gjithëditor në shkolla qëndron si një mangësi e dukshme.
Mungesa e përmirësimeve thelbësore në politikat arsimore ka kontribuuar në rritjen e pakënaqësisë mes familjeve dhe edukatorëve. Këtu duhet të përmendim mungesën e reformës në arsim, si dhe problemet me mungesën e librave shkollorë që kanë shkaktuar kokëçarje për prindërit.
Një paralajmërim për Qeverinë
Rezultatet e zgjedhjeve, si dhe prioritetet e publikut, duhet të shërbejnë si një alarm për qeverinë aktuale. Pamundësia për t’i trajtuar problemet strukturale ekonomike dhe për ta përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe arsimin kanë rezultuar në një rënie të besimit të publikut.
Nëse Qeveria dështon të ndërmarrë veprime vendimtare për këto çështje, partitë opozitare do të përfitojnë më tutje nga kjo pakënaqësi, duke e bërë të pashmangshëm ndryshimin e lidershipit.
Politikëbërësit duhet t’u japin përparësi zgjidhjeve reale, të prekshme, dhe jo retorikës politike. Duhet të mos vazhdohet me fokus vetëm në një prioritet (p.sh., dialogu me Serbinë), por t’u kushtohet vëmendje të gjitha prioriteteve të rëndësishme – sidomos instalimit të shtetit zhvillimor dhe reformave në shërbime publike.






























































