Kina ka bërë një depërtim të jashtëzakonshëm në Serbi gjatë dekadës së fundit, duke e shndërruar këtë vend në një nga qendrat kryesore të investimeve të saj në Ballkan, me mbi 10.3 miliardë euro të shpenzuara. Një pjesë e madhe e këtyre investimeve është fokusuar në sektorin e infrastrukturës, kryesisht përmes projekteve hekurudhore dhe ndërtimit të objekteve publike.
Por, marrëdhënia e Serbisë me Kinën nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike. Për Beogradin, Kina është një partner strategjik që ofron financime pa kushte strikte si BE-ja, veçanërisht në një periudhë kur procesi i anëtarësimit në Union është ngadalësuar ndjeshëm.
Nga ana tjetër, për Pekinin, Serbia është një pikë kyçe për zgjerimin e ndikimit në Europë, veçanërisht përmes nismës “Një brez, një rrugë”.
Partneriteti Serbi-Kinë është promovuar si një sukses nga qeveria serbe, duke e paraqitur atë si një rrugë të shpejtë drejt modernizimit dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, tragjedia në Novi Sad, ku shembja e një strehe në stacionin hekurudhor mori jetën e 15 personave, ka nxjerr në sipërfaqe pasojat e këtyre investimeve dhe sfidat që ato sjellin.
Ky incident ka nxjerrë në pah mënyrën se si investimet kineze në Serbi po zbatohen e menaxhohen, duke vënë në dyshim standardet e sigurisë dhe mungesën e transparencës në këto projekte.
Institucionet serbe fillimisht e mohuan faktin se streha e satcionit hekurudhor ishte pjesë e rinovimeve të kryera nga kompanitë kineze, më vonë u zbulua e kundërta, duke nxjerr në pah mangësi serioze strukturore. Për më tepër, fakti që qeveria serbe kishte vështirësi në sigurimin e dokumentacionit të plotë të punimeve tregon një model të mungesës së llogaridhënies dhe mbikëqyrjes efektive të investimeve kineze.
Kjo mungesë transparence është një praktikë e zakonshme në marrëveshjet midis Serbisë dhe Kinës, të cilat shpesh mbahen larg syrit të publikut. Arsyeja kryesore për këtë fshehtësi lidhet me kushtet e këtyre marrëveshjeve, të cilat mund të jenë të pafavorshme për interesin publik, duke përfshirë angazhime financiare të larta, varësi ekonomike, apo mungesë llogaridhënieje mbi ndikimin e tyre afatgjatë në ekonomi dhe mjedis.
Një problem tjetër që del nga kjo tragjedi është mënyra se si marrëveshjet mes Serbisë dhe Kinës janë dizajnuar. Marrëveshjet e nënshkruara shpesh janë bërë pa konkurrencë të hapur, në shpërputhje me kriteret e prokurimit publik në Serbi dhe pa respektuar standardet e BE-së për transparencë dhe llogaridhënie.
Për shembull, projekti për ndërtimin e një rrjeti të ri kanalizimesh në Kragujevc iu dha kompanisë kineze “China Road and Bridge Corporation (CRBC)” pa një tender publik, duke ngritur shqetësime serioze për korrupsion dhe mungesë të standardeve.
Këto praktika jo vetëm që rrisin rrezikun për cilësinë e punimeve, por gjithashtu forcojnë varësinë e Serbisë nga kapitali kinez. Në të njëjtën kohë, këto praktika jotransparente përbëjnë rrezik serioz për demokracinë në Serbi, e cila ka qenë në degradim e sipër nga regjimi i Aleksandar Vuçiq-it.
Protestat studentore dhe reagimi publik pas tragjedisë tregojnë se qytetarët serbë nuk janë më të gatshëm të pranojnë këtë model operimi e zhvillimi. Dorëheqja e kryeministrit Milos Vuçeviq është një hap i rrallë në një sistem politik të dominuar nga Partia Progresiste Serbe (SNS) dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, ky veprim nuk është domosdoshmërisht një sinjal i ndryshimit të qasjes së qeverisë ndaj investimeve të huaja, por mund të interpretohet si një përpjekje për të qetësuar opinionin publik dhe për të blerë kohë deri në stabilizimin e situatës.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, protesta të shumta janë organizuar nga studentët, të cilët kërkojnë llogaridhënie të plotë për përgjegjësit e tragjedisë në Novi Sad. Ata, të mbështetur edhe nga një pjesë e madhe e shoqërisë civile, kanë paraqitur katër kërkesa kryesore: publikimin e të gjitha dokumenteve për rinovimin e stacionit hekurudhor, ndëshkimin e personave të përfshirë në sulmet ndaj studentëve protestues, ndalimin e ndjekjes penale të studentëve të arrestuar gjatë protestave dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Këto kërkesa nuk duhet kuptuar thjesht si një reagim ndaj një incidenti fatal, por një manifestim i një pakënaqësie më të thellë e strukturore për mënyrën se si funksionon qeverisja në Serbi tash e shumë vite.
Përballë kësaj situate, Serbia duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme. A do të vazhdoj të ndjek një model zhvillimi që e bën të varur nga Kina, por që dobëson perspektivën e saj evropiane, apo do të kërkoj mënyra për të harmonizuar zhvillimin ekonomik me standardet demokratike dhe transparencën e investimeve që kërkon BE-ja?
Tragjedia e Novi Sadit duhet të shërbej si moment reflektimi mbi rreziqet që sjell një ekonomi e ndërtuar mbi marrëveshje jotransparente dhe qeverisje autoritare. Nëse këto probleme nuk adresohen, Serbia mund të shndërrohet në një shembull se si investimet e huaja, jo transparente dhe pa mbikëqyrjen e duhur, mund të shkaktojnë më shumë dëm sesa përfitim për qytetarët.






























































