Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Peng i numrave: Kosova në pritje të aritmetikës politike

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) përsëri fituese, por kësaj radhe pa një shumicë parlamentare për të qeverisur e vetme. 

LVV-ja ka opsione të ndryshme për të krijuar një koalicion qeverisës, por partitë e tjera nuk janë të interesuara. Retorika armiqësore dhe agresive e mbjellë ndër vite karshi partive opozitare ka minimizuar dukshëm gjasat për një bashkëpunim të mundshëm.

Por, përtej mungesës së krijimit të një koalicioni qeverisës, LVV-ja po has në probleme për votimin e së përzgjedhurës së tyre për kryeparlamentare, kandidates Albulena Haxhiu. 

Për të 22-tën herë radhazi, Haxhiu dështon t’i marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Në vend se të ofrojë një kandidat apo kandidate tjetër, LVV-ja vazhdon të këmbëngulë në Albulena Haxhiun.

Zhagitja në pafundësi e konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë përbën sfida serioze për vendin dhe mund të sjellë pasoja serioze në vendimmarrje, inicimin e reformave dhe përfaqësimin ndërkombëtar, mes të tjerash.

LVV-ja nuk e njeh gjuhën e konsensusit politik

Kuvendi tashmë gjendet në një rrugë pa krye dhe nuk është e qartë se si do të mund të zhbllokohet ky ngërç politik. Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e drejta ekskluzive për ta zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës i takon partisë ose koalicionit që del i pari në zgjedhje, në këtë rast LVV-së, dhe seanca konstituive e Kuvendit zgjat deri në zgjedhjen e kryetarit/-es së Kuvendit. 

Megjithatë, për këtë pjesë nuk ka ndonjë një afat specifik dhe situata mund të vazhdojë pafundësisht. Në mungesë të votave për ta zgjedhur qeverinë, LVV-ja po e zvarrit qëllimshëm procesin, duke insistuar në kandidaturën e Haxhiut.

Partitë opozitare po refuzojnë ta mbështesin kandidaturën e Albulena Haxhiut, sepse e konsiderojnë atë një figurë përçarëse, e cila në vazhdimësi është shquar për gjuhën e ashpër karshi kundërshtarëve politikë. 

Për më tepër, gjatë kohës si ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pasur përplasje të vazhdueshme me gjyqtarë e prokurorë të Kosovës. 

Përtej kryetarit/-es së kuvendit, LVV-ja nuk ka mbështetje nga asnjë parti tjetër dhe rrezikon të mbetet jashtë pushtetit, sepse pas konstituimit të kuvendit ka afate konkrete ligjore.

Në gjithë këtë katrahurë, LVV-ja po i akuzon partitë e tjera për bllokim, me një keqinterpretim të qëllimshëm të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjoja se meqë e drejta për të zgjedhur kryekuvendarin i takon ekskluzivisht të parit, partitë e tjera e kanë për obligim ta votojnë kandidatin e tyre pavarësisht emrit. 

Kjo përbën një hipokrizi të llojit të vet, sepse LVV-ja nuk e ka mbështetur asnjë kandidat për kryeparlamentar sa ishte në opozitë dhe tash pret që mbështetja t’i jepet symbylltazi.
Gjithashtu, kryeparlamentari duhet të jetë një figurë e pranueshme për spektrin politik, sepse përfaqëson një nga pozitat kyçe shtetërore, e veçanërisht në një republikë parlamentare, siç është Kosova, luan rol të madh në balancimin e pushtetit.

Pavarësisht së drejtës ekskluzive për të propozuar, në mungesë numrash, secila parti duhet të ulet me kundërshtarët politikë për të gjetur një zgjidhje. Një emër të pranueshëm për të gjithë. 

Pasojat e moskonstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë

Mungesa e një kuvendi të konstituuar e pamundëson edhe zgjedhjen e qeverisë. Mungesa e qeverisë, rrjedhimisht, e pamundëson funksionimin normal të shtetit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në planin e jashtëm. 

Në planin e brendshëm, një qeveri në detyrë nuk mund të iniciojë reforma dhe nisma ligjore, marrëveshje për kredi afatgjata, emërime e shkarkime në administratë, e shumë vendime të tjera të rëndësishme.

Ndërkaq, në planin e jashtëm, një qeveri në detyrë nuk mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare me pasoja afatgjata dhe nuk mund të zhvillojë në mënyrë të rregullt politikën e jashtme, ku hyjnë edhe emërimet e shkarkimet e stafit diplomatik e konsullor, që janë pasqyra e vendit në botë.

Gjithashtu, Kosova rrezikon mospranimin e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së, të cilat varen nga ratifikimi i marrëveshjes në kuvend. Ndërkaq, qeveria në detyrë vazhdon të punojë pa mbikëqyrje nga legjislativi, gjë që cenon rendin demokratik në vend.

Të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë navigimin e një periudhe të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike në skenën botërore, ndërsa Kosovën e lënë në mëshirë të fatit në një periudhë kur i duhet lidership strategjik dhe vizion.

Mbase qëllimi përfundimtar i gjithë historisë së konstitutimit të kuvendit është që vendi të ridërgohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kostoja për Kosovën është më tepër se financiare. Kosova po bëhet lidere në humbjen e momentumeve. E votuesi kosovar këtë duhet ta ketë parasysh kurdo që t’i kërkohet vota sërish.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.