Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Mungesa e komunikimit, njohurive dhe shërbimeve: beteja e vazhdueshme për shëndetin mendor në Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Muaji maj njihet ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, gjë që përbën një mundësi ideale për të trajtuar një temë shumë të rëndësishme, e cila anashkalohet dhe injorohet në vazhdimësi në Kosovë.

Shëndeti mendor vazhdon të jetë temë tabu në shoqërinë kosovare. Nga frika e stigmatizimit dhe tabuve shoqërore, probleme të ndryshme mendore injorohen dhe mbesin të paadresuara.

Për pasojë, shumë qytetarë ballafaqohen me sfida mendore në heshtje, gjë që prodhon më shumë ankth, depresion dhe traumë.

Mungesa e adresimit të problemeve mendore u shkakton pasoja serioze individëve, por edhe rrethit të tyre shoqëror e familjar. Prandaj, është e domosdoshme që shëndeti mendor të shihet me sy më pozitiv dhe të kërkohet ndihma profesionale për t’i trajtuar sfidat mendore.

Ndihma profesionale është e domosdoshme

Profesionistët vënë në dukje se në një shoqëri që ka përjetuar trauma kolektive, siç është rasti i Kosovës gjatë dhe pas luftës, shpesh ka tendencë për të “normalizuar” vuajtjen dhe për të nënvlerësuar shëndetin mendor. 

Në shumë raste, çrregullimet psikologjike perceptohen gabimisht si diçka kalimtare, që shërohen me kalimin e kohës, pa pasur nevojë për trajtim profesional.

Në Kosovë, mbështetja psikologjike apo mendore shihet si opsion i fundit dhe zakonisht kërkohet vetëm kur gjendja është përkeqësuar në nivele ekstreme. 

Në vend të ndihmës profesionale, vazhdon të mbizotërojë bindja se është më e përshtatshme të kërkohet mbështetje nga klerikët fetarë apo nëpërmjet bisedave me miq dhe familjarë, të cilët vështirë se mund të ofrojnë ndihmën e duhur, dhe në mungesë të njohurive mund ta përkeqësojnë situatën.

Edhe pse këto alternativa mund të japin lehtësim emocional dhe moral në periudha afatshkurtra, roli i profesionistëve të shëndetit mendor mbetet kritik, veçanërisht në trajtimin efektiv dhe afatgjatë të problemeve mendore.

Të rinjtë dhe mungesa e mbështetjes emocionale

Mungesa e trajtimit të problemeve mendore fillon në familje. Kjo rrjedh nga mungesa e komunikimit nga prindërit, e cila është e domosdoshme për të mbështetur fëmijët emocionalisht. 

Sipas një studimi mbi ankthin dhe depresionin te të rinjtë, stigma dhe mungesa e vetëdijes në familje shpesh i ndalojnë të rinjtë të diskutojnë shqetësimet e tyre me prindërit. 

Dhe, në rastet kur kjo mbështetje nuk ofrohet nga prindërit, fëmijët heshtin dhe me kalimin e kohës mund të ballafaqohen me probleme mendore.

Një raport tjetër nga UNICEF-i në Kosovë tregon se të rinjtë kërkojnë më shumë mbështetje emocionale dhe komunikim më të mirë me prindërit dhe të rriturit.

Institucionet publike e rëndojnë gjendjen e krijuar

Heshtja për shëndetin mendor përforcohet edhe nga mungesa e edukimit emocional në shkolla. Shumë shkolla ende nuk ofrojnë shërbime psikologjike, duke i lënë fëmijët dhe adoleshentët pa mbështetjen e duhur

Edhe pse ekziston një udhëzim administrativ i cili kushtëzon punësimin e psikologëve për shkolla në bazë të numrit të nxënësve, shërbimet psikologjike janë të pranishme vetëm në një numër të kufizuar shkollash publike në gjithë territorin e vendit. Arsyetimi më i shpeshtë është mungesa e buxhetit.

Në shumë komuna, vetëm shkollat të cilat i kanë 1,000 nxënës e më shumë mund të punësojnë një psikolog/e. Mungesa e shërbimeve të shëndetit mendor i detyron prindërit të udhëtojnë larg për trajtim, të përballen me kosto të larta dhe sfida logjistike.

Nga ana tjetër, mësimdhënësit nuk janë të trajnuar për të identifikuar apo adresuar vështirësitë emocionale të nxënësve, duke ia lënë barrën familjes, e cila shpesh nuk ka as informacionin dhe as mjetet për të përballuar këto sfida.

Nevoja për reflektim shoqëror në muajin e shëndetit mendor 

Muaji maj është muaji i shëndetit mendor dhe është një moment i mirë që të reflektojmë mbi familjarët, shoqërinë dhe individët e tjerë që ballafaqohen me probleme mendore. Këta individë kanë nevojë për ndihmë dhe kujdes – e mbi të gjitha për më shumë empati.

Është shumë e rëndësishme të flasim hapur për shëndetin mendor, njësoj siç flasim për çdo problem tjetër shëndetësor. Në këtë drejtim, ky muaj është moment i mirë që të mësojmë më shumë për shëndetin mendor dhe rëndësinë që ka.

Reduktimi i stigmatizimit është një proces i gjatë, por i domosdoshëm. Një shoqëri e shëndetshme kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë ndaj shëndetit mendor, sepse shëndeti fizik dhe ai mendor janë të pandashëm.

Në muajin e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, është koha që në Kosovë të tregojmë më shumë empati, solidaritet dhe gatishmëri për të dëgjuar njëri-tjetrin. Ndonjëherë, një bisedë e thjeshtë mund të jetë hapi i parë drejt kërkimit të ndihmës profesionale, e cila është e domosdoshme për trajtimin efektiv dhe afatgjatë të problemeve të shëndetit mendor.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.