Ajo çka po ndodh në Kosovë me zvarritjen e formimit të qeverisë nuk është e jashtëzakonshme. Në fakt, Kosova përballet shpesh me vonesa në formimin e qeverive pas zgjedhjeve. Problemet si vonesa në certifikimin e rezultateve dhe polarizimi politik mes partive janë disa nga shkaqet kryesore të cilat e vonojnë procesin.
Vonesa e formimit të qeverive zgjat mandatin e qeverive në detyrë, të cilat operojnë pa një kuvend të konstituuar dhe lëngojnë nga llogaridhënia dhe efikasiteti. Qeveritë në detyrë nuk mund të kalojnë ligje e as të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare.
Prej shpalljes së pavarësisë, vetëm në një rast është konstituuar kuvendi dhe formuar qeveria pa ndonjë vonesë, e kjo në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje pati fituar zgjedhjet me 51% dhe arriti ta formojë qeverinë pa ndonjë koalicion të madh paszgjedhor.
Në të gjitha rastet e tjera, ka pasur vonesa për formimin e qeverive, pra formimi i qeverive ka marrë më shumë se 60 ditë. Mesatarja e formimit të qeverive në Kosovë është 92 ditë. Përderisa vonesat në formimin e qeverive ndodhin kudo, në demokracitë europiane mesatarja është 28 ditë.
Zgjedhjet e vitit 2025 prodhuan një shumicë parlamentare dhe partitë politike u treguan të pagatshme për koalicione pas zgjedhjeve. Tashmë kanë kaluar 150 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve dhe tejkalimi i mundshëm i ngërçit politik nuk duket në horizont për shkak të polarizimit të partive politike.
Polarizimi politik
Arsyeja kryesore e vonesave për formimin e qeverisë në Kosovën e pavarur mbetet polarizimi politik, ku tri partitë kryesore, LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, vendosin vija të kuqe ndaj njëra-tjetrës gjatë dhe pas fushatës. Ky diskurs polarizues mes partive të mëdha vështirëson bashkëpunimin dhe komunikimin ndërpartiak, duke çuar në negociata të stërzgjatura të koalicionit, e qeveri të paqëndrueshme.
Ky polarizim mes partive të mëdha ka favorizuar partitë e vogla, si AAK, AKR, GUXO dhe NISMA, të cilat, me gjithë fuqinë elektorale të vogël, kanë përfituar nga vijat e kuqe të partive të mëdha, e në marrëveshjet për qeverisje kanë zënë pozita si presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, tre nga pesë kryeministrat e Kosovës kanë ardhur nga parti që nuk kanë fituar fare zgjedhjet.
Përderisa më 2014 dhe 2017, LDK-ja dhe LVV-ja refuzonin koalicion me PDK-në si partinë më të madhe, më 2025, PDK-ja dhe LDK-ja refuzojnë koalicion me LVV-në. Partitë ndërruan pozitat, por vijat e kuqe mbeten.
Edhe në rastet kur këto subjekte politike arritën t’i tejkalojnë dallimet e thella politike, siç ishte rasti me qeverisjen PDK-LDK (2014) dhe LVV-LDK (2019), ato kanë dështuar të bashkëqeverisin në mënyrë efikase, si rezultat i mosbesimit dhe fërkimeve ndërpartiake.
Për pasojë, tri partitë e mëdha, LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë arritur të krijojnë koalicione të qëndrueshme përkundër bagazhit politik që posedojnë.
Formimi i qeverisë së ardhshme
Problemet e zakonshme për formimin e qeverisë shoqëruan edhe procesin zgjedhor të 9 shkurtit. Në fillim u deshën 46 ditë për certifikimin e rezultateve, e pastaj deputetët politizuan një aspekt teknik siç është verifikimi i mandateve, e kryetari/ja e Kuvendit nuk është zgjedhur ende.
Nuk ka pasur asnjë tentativë serioze për koalicion qeveritar mes LVV-së dhe partive të tjera. LVV-ja ka ftuar për negociata vetëm LDK-në, e cila e ka refuzuar ftesën. Çka po i shtyn partitë të hezitojnë në zgjedhjen e këtij ngërçi politik janë edhe kalkulimet e partive politike për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, si dhe zgjedhja e presidentit/es në fillim të vitit 2026.
Në anën tjetër, presidentja mund të ftojë kryetarët e partive politike në takime, por i mungon autoriteti konsensual mbi partitë politike. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj erdhi në përfundim që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve dhe ka vendosur barrën e përgjegjësisë te deputetët e zgjedhur.
Por, zgjidhja e ngërçit nuk gjendet te Gjykata Kushtetuese, por te vetë partitë politike. Ato duhet të normalizojnë koalicionet qeverisëse, që krijojnë shumicën parlamentare, duke respektuar vullnetin e popullit.































































