Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Debunking

Rasti i zjarrvënies në veri paraqitet rrejshëm nga kanalet ruse si metodë për “dëbimin e serbëve”

Rasti i fundit i zjarrvënies në Mitrovicën e Veriut u shfrytëzua nga disa kanale në Telegram dhe media të afërta me Kremlinin për të përhapur pretendime të pabazuara dhe keqinformuese. Pa ofruar sqarime këto kanale e paraqitën incidentin si një akt të qëllimshëm kundër komunitetit serb.

Kanali “Кирилл Фёдоров/Война Исто…” (Kirill Fedorov/Histori nga Lufta”) që ofron përmbajtje në rusisht më 28 korrik keqpërdori videon e Policisë së Kosovës për të shpërndarë narrativa dezinformuese. Ajo u publikua me përshkrimin se po ndezën zjarre afër vendbanimeve serbe, me qëllimin për t’i mbytur dhe dëbuar ata.

Në veriun serb të Kosovës dhe M. shqiptarët po ndezin zjarre, duke shkaktuar viktima, si një metodë për të dëbuar popullsinë serbe”, shkruan në postim.

Kjo narrativë më pas u shpërnda edhe nga “pravda.com” në shqip, duke e paraqitur si një skenar të qëllimshëm kundër serbëve.

Videoja në postim nuk ofron kontekst të qartë, nuk tregohet se ku ndodh ngjarja dhe kush është autor i videos, një teknikë tipike për të manipuluar publikun.

Por faktet flasin ndryshe në sqarimin dhe videon e njëjtë të postuar nga Policia e Kosovës (PK), dy ditë para se kanali rus ta keqpërdorë atë për qëllime propagandistike.

Sipas PK-së, me datë 26 korrik 2025, rreth orës 15:55, Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut ka pranuar një informatë për një zjarr të shpërthyer në lagjen “Kodra e Minatorëve”.

Video e postuar nga PK-ja

 

“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Thirrjes i është përgjigjur edhe njësia e zjarrfikësve, të cilët, në bashkëpunim me policinë, kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin. Zjarri kishte rrezikuar disa shtëpi të banimit si dhe automjete që ndodheshin në afërsi, por për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, është shmangur përhapja dhe dëmtimi i mundshëm”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, njësitë përkatëse të hetimeve të Stacionit Policor në Mitrovicën e Veriut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shkaktimit të zjarrit. Sipas PK-së, është arrestuar edhe personi që shihet në video, por nuk jepet përkatësia etnike apo motivi i zjarrvënies.

“Pas një pune të shpejtë operative dhe hetimore, është siguruar një video-incizim ku shihet një person duke i vënë zjarrin barishtes me qëllim. Personi i dyshuar është identifikuar si Z.M., 42 vjeç, i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. I njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Zjarrvënie’”, shkruan në njoftim.

Meqë zjarre pati edhe në zonat tjera, Policia e Kosovës u bëri apel të gjithë qytetarëve që të shmangin veprimet e rrezikshme si ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës, pasi ato paraqesin rrezik serioz për jetën, pronën dhe ambientin.

Kanali që e shpërndau videon ka mbi 529 mijë ndjekës, gjë që e bën shumë të rrezikshëm për shpërndarjen e dezinformatave në shkallë të gjerë dhe krijimin e narracioneve me qëllim të nxitjes së përçarjes ndëretnike. Kjo konfirmohet edhe në komentet e shumta në postim me thirrjet si: “t’i therim shqiptarët dhe kosovarët”, “t’i pushkatojmë shqiptarët”, “t’u vëmë flakën shqiptarëve”. Po ashtu shqiptarët etiketohen si “narkotrafikantë”, “vrasës”, “tregtarë organesh” – shpifje klasike për të çnjerëzuar një grup etnik.

Kjo nuk është hera e parë që kanalet në Telegram dhe mediat e lidhura me Kremlinin përdorin raste të izoluara për të ndërtuar narrativa destabilizuese. Qëllimi i këtyre fushatave është nxitja e frikës, rritja e tensioneve ndëretnike dhe dëmtimi i imazhit të institucioneve të Kosovës.

Në kohën kur veriu i Kosovës mbetet zonë e ndjeshme manipulimi i tillë informativ paraqet kërcënim direkt për stabilitetin dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Author

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.