Aktgjykimit më i fundit i Gjykatës Kushtuese në lidhje me ngërçin politik në vend qartësoi disa gjëra në mënyrë eksplicite.
Së pari, votimi për zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe kryesisë duhet të jetë i hapur. Së dyti, i njëjti kandidat mund të propozohet vetëm tri herë. Dhe së treti, partia fituese (së cilës i takon e drejta ekskluzive për të propozuar kryetarin e Kuvendit) ka afat kohor prej 30 ditësh për të propozuar emra deri në konsitutimin e Kuvendit.
Ky aktgjykim hodhi poshtë tendencat e Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë dhe bllokim të vazhdueshëm të procesit për konstituim të Kuvendit. Tutje, i pamundësoi LVV-së si dhe partive të tjera në të ardhmen bllokimin e konstituimit duke u barrikaduar pas një kandidati specifik. Gjithashtu, aktgjykimi e nënvizoi një fakt thelbësor: se e drejta ekskluzive e partisë fituese për të propozuar kreun e Kuvendit nuk do të thotë e drejtë absolute.
Aktgjykimi i hapi rrugë daljes nga ngërçi. LVV-ja propozoi emra të rinj, si: Donika Gërvalla, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha. Ky i fundit mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit, pasi PDK-ja mbështeti kandidaturën e tij.
PDK-ja ishte zotuar se do të votonte vetëm kandidatët e LVV-së të cilët nuk kanë qenë pjesë e Qeverisë Kurti. Megjithatë, në votimin e parë për Dimal Bashën, PDK-ja nuk i qëndroi besnik këtij zotimi. Por, në votimin e dytë, PDK-ja e mbështeti atë, duke e zgjedhur kryetar të Kuvendit.
Rrjedhimisht, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese shtyu LVV-në të propozojë emra të rinj, gjë që e detyroi PDK-në të respektojë zotimin publik për të mbështetur një kandidat tjetër. Kjo po ashtu shërben si një indikator fuqishëm se si rendi dhe ligji ndikojnë pozitivisht në ndryshimin e sjelljes politike.
Megjithatë, saga në Kuvend nuk përfundoi me kaq. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Tashmë janë zgjedhur katër nënkryetarë, mirëpo nevojitet edhe zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Ky është hapi i fundit që nevojitet për konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, Dimal Basha e shpalli Kuvendin të konstituuar edhe në mungesë të nënkryetarit të fundit, përkundër faktit se kjo bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit. Si rezultat, kjo gjë që shtyu Listën Serbe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pas shtatë muajsh vonese, situata ende mbetet e paqartë dhe nuk dihet nëse mund të vazhdohet tutje me krijimin e qeverisë.
Trekëndëshi i veprimit politik të LVV-së: mungesa e kompromisit, sulmi ndaj kundërshtarëve dhe bllokada institucionale
LVV-ja, e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e kishte të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin/en për kreun e Kuvendit. Për gjashtë muaj rresht dhe në 54 tentime, LVV-ja propozoi vetëm një emër për kryetare të Kuvendit: Albulena Haxhiun.
Insistimi në 54 tentime për Haxhiun duket i pakuptimtë. Haxhiu është një figurë përçarëse, e cila është shquar gjithmonë për gjuhën e ashpër drejtuar kundërshtarëve politikë. Megjithatë, LVV-ja insistonte në kandidaturën e Haxhiut dhe as nuk tentonte të gjente kompromis me partitë e tjera, të cilat veçse kishin ofruar opsione alternative.
Por, betonimi i LVV-së në kandidaturën e Haxhiut ishte sinjal i qartë se LVV-ja nuk po kërkonte zgjidhje e as kompromis. LVV-ja po synonte bllokim, të cilin edhe e arriti. Të paktën për një periudhë kohore.
Në një tentativë të re për të kontrabanduar vota, LVV-ja synoi të ndryshonte mënyrën e votimit, nga votim i hapur (që ka qenë praktikë e zgjedhjes së kreut të Kuvendit në të gjitha legjislaturat e kaluara), në votim të fshehtë. Por, kjo tentativë u kundërshtua nga të gjitha partitë e tjera.
Në vend të marrjes së përgjegjësisë si parti fituese dhe zgjidhjes së situatës, LVV-ja filloi t’ua linte fajin partive të tjera, gjoja se ato po e bllokonin Kuvendin duke mos votuar për kandidaten që partia e parë e ka propozuar.
LVV-ja kërkonte nga partitë opozitare ta votonin kandidaten e tyre me çdo kusht e pa kompromis, diçka që nuk e kishin bërë vetë sa kishin qenë në opozitë në vitet 2011, 2014 dhe 2017, duke mos e votuar asnjë nga kandidatët e propozuar për kryetar të Kuvendit.
Pas bllokadës së zgjatur dhe tentativave të dështuara për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja dorëzuan kërkesa për interpretim në Gjykatën Kushtetuese lidhur me mënyrën e votimit dhe të drejtën e partisë fituese për të propozuar kandidatin.
Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimit të saj, sqaroi se votimi duhet të jetë i hapur dhe se i njëjti kandidat mund të propozohet vetëm tri herë. Në këtë mënyrë, Gjykata u dha fund dilemave të vazhdueshme procedurale, duke vendosur kufizime të qarta kohore dhe numrin maksimal që një individ mund të votohet.
Saga e moskonstituimit të Kuvendit vazhdon
Bllokimi i konstituimit të Kuvendit vazhdoi me (mos)zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komunitetit serb. Kandidati i propozuar nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, nuk i mori votat e nevojshme në tri kandidime radhazi. Pas kandidaturës së Simiqit, Lista Serbe refuzoi të propozonte kandidatë të tjerë.
Kjo gjë e shtyu kryetarin e ri të Kuvendit të përdorte shortin për të gjetur një kandidat për nënkryetar. Pjesë e shortit u bënë të gjithë deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, me përjashtim të Simiqit, dhe emrat e tyre nxirreshin në votim pa konsultë me ta. Kjo shtyu Listën Serbe të mos merrte pjesë në votim, e rrjedhimisht kandidatët e tjerë të këtij subjekti të gjithë merrnin zero vota për.
Qëllimi i kësaj forme të votimit ishte që të arrihej tek emri i Nenad Rashiqit, ministrit të vetëm serb të Qeverisë Kurti 2. LVV-ja mbështet Rashiqin, deputetin e vetëm serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, mirëpo i njëjti nuk përkrahet edhe nga partitë e tjera opozitare.
Rashiqi nuk përfaqëson partinë më të madhe serbe në Kuvend, prandaj edhe po qe se ai merr votat e nevojshme për nënkryetar, kjo do të mund të kontestohej prapë në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Rregullores së Kuvendit, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Dinamika politike në Kosovë është karakterizuar me popullizëm dhe patriotizëm politik të ushqyer nga partia më e madhe në vend. Kur flasim për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, narrativa e LVV-së e ka pamundësuar përkrahjen e çfarëdo kandidature të propozuar nga Lista Serbe.
Në pamundësi për të zgjedhur Rashiqin dhe duke mos mbështetur asnjë kandidat të Listës Serbe, kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, konstatoi se Kuvendi nuk mund të mbahej peng i nënkryetarit serb, e rrjedhimisht e konstatoi Kuvendin të konstituuar.
Një lëvizje e tillë është shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores së Kuvendit dhe e njëjta me shumë gjasë do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.
Lojërat e LVV-së për kontroll dhe pushtet absolut kanë krijuar një katrahurë politike, vonesa të shumta dhe të panevojshme. Mungesa e funksionimit të institucioneve dhe moszbatimi i ligjit do të kenë pasoja të serioze për Kosovën.































































