Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Progresistë, përveç kur bëhet fjalë për Serbinë: kush mund ta definojë solidaritetin?

Ilustracija: BigEye.

Së fundmi, Kosovo 2.0 publikoi një artikull të autorit Arbër Qerka-Gashi, i cili kritikonte lëvizjen studentore në Serbi, duke argumentuar se solidariteti dhe aktivizmi i saj janë të kufizuar nga qëndrimet etnonacionaliste për Kosovën dhe shqiptarët. Si dikush që jeton në Beograd, angazhohet në shoqëri civile dhe ndjek nga afër protestat studentore, u ndjeva i detyruar t’i hidhja poshtë disa prej pretendimeve që thuhen në artikull.

Që nga data 1 nëntor 2024, qindra-mijëra protestues në mbarë Serbinë kanë dalë në rrugë kundër presidentit Vuçiq dhe qeverisë së udhëhequr nga SNS-ja, për të protestuar ndaj korrupsionit, që e konsiderojnë si shkaktarin kryesor për shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit dhe vdekjen e 16 njerëzve. Këto demonstrata u shpërndanë në më shumë se 30 qytete, me protestën më të madhe të mbajtur më 15 mars në Beograd, që sipas vlerësimeve të pavarura mblodhi rreth 300,000 pjesëmarrës.

Ndonëse kryesisht e udhëhequr nga studentët, kjo lëvizje përfshin njerëz të shtresave, grupmoshave dhe rajoneve të ndryshme. Larg nga të qenit monolite, protestat i bashkojnë pjesëmarrësit rreth kërkesave të përbashkëta për demokraci dhe drejtësi.

Përpjekjet në rrjete sociale dhe në editoriale të caktuara, për t’i etiketuar studentët serbë si nacionalistë, e shtrembërojnë realitetin. Edhe më shqetësues është fakti se këto portretizime e ushqejnë narrativën e rrezikshme se këta studentë nuk dallojnë nga Vuçiqi dhe SNS-ja. Por, në realitet, shumica e protestuesve i shmangin slloganet nacionaliste dhe përdorimi i retorikës së këtillë nuk e përcakton, as diskrediton lëvizjen.

Reduktimi i mobilizimit të gjerë gjithëkombëtar në një karikaturë të nacionalizmit, vetëm pse disa individë shprehin ndjenja nacionaliste, është njëkohësisht i gabuar dhe i padrejtë. T’i përshkruash protestuesit, siç bën autori, si “të ashtuquajturit progresistë”, përveçse e pasaktë, është edhe nënçmuese.

Më tej, në artikullin e tij, Qerka-Gashi argumenton se pankartat me mbishkrimin “S’ka dorëzim” (serbisht: Nema predaje) vazhdojnë të shfaqen gjatë protestave, dhe se “ka pasur pak ose aspak kritika nga zërat progresistë serbë.” Teksa sllogane të këtilla shfaqen herë pas here, studentët janë distancuar zyrtarisht nga organizatat ekstremiste dhe simbolet nacionaliste. Në janar të vitit 2025, ata lëshuan një deklaratë:

“Ne, studentët pjesëmarrës në bllokadë, duam të distancohemi në mënyrë të qartë dhe të prerë nga të gjitha organizatat ekstremiste dhe simboliet nacionaliste që janë shfaqur në protestat tona. Prezenca e flamujve dhe pllakatave të tyre në rreshtat e parë nuk i reflekton vlerat dhe qëllimet tona”.

Madje, ekziston një rast i dokumentar gjatë bllokadës në kryqëzimin më të ngarkuar të Beogradit, Autokomanda, ku studentët u kërkuan dy burrave që po e mbanin një flamur “S’ka dorëzim” të largoheshin nga tubimi. Shumë artikuj dhe deklarata publike nga mendimtarë liberalë, politikanë, e të tjerë, e kanë kritikuar fuqishëm shfaqjen e slloganeve “S’ka dorëzim.

Megjithatë, Qerka-Gashi i shpërfill tërësisht këto nuanca. Në vend se të merret me dinamikat e përgjithshme brenda lëvizjes, ai përzgjedh qëllimisht shembuj të izoluar dhe individë që i përshtaten një narrative të paracaktuar, duke mos dhënë reflektim ose dëshmi mbi anën tjetër të tregimit.

Gjithashtu, autori bën tepër përgjithësime mbi përfshirjen e grupeve minoritare dhe spekulon, pa asnjë dëshmi, mbi motivet e protestuesve. Ai argumenton se lëvizja synon të duket “gjithëpërfshirëse” si pjesë e një “solidariteti të rremë” ose e një “performance neoliberale të unitetit”, duke aluduar se pjesëmarrësit e saj, më tepër sesa nga bindjet e tyre, priren nga imazhi.

Për ta mbështetur pretendimin e tij, ai bazohet në një fotografi të vetme, në të cilën shihet një grua boshnjake me mbulesë (hixhab) nga Novi Pazari, duke qëndruar afër një burri serb me kapelë tradicionale (sajkaca). Përdorimi i vetëm një imazhi si dëshmi për “solidaritetin e rremë” të lëvizjes injoron diversitetin e pjesëmarrësve dhe motivet e tyre, duke sugjeruar se, në vend të kësaj, ky diversitet paraqet imitim e jo solidaritet të vërtetë.

Një person nuk mund të gjykojë solidaritetin ose qëllimet e tjerëve sepse motivet e njerëzve janë komplekse dhe të formësuara nga përvoja dhe vlera të ndryshme. Solidariteti mund të marrë forma të ndryshme dhe nuk mund të kuptohet nëpërmjet paraqitjes së jashtme. Supozimi i së kundërtës rrezikon keqkuptimin e veprimeve të njerëzve dhe shtrembërimin e qëllimeve të vërteta të tyre. Ky lloj arsyetimi përbën një gabim logjik, problem i cili do të duhej të vërehej gjatë rishikimit të parë editorial.

Studentët serbë janë etiketuar si nacionalistë, si nga regjimi i Beogradit, ashtu edhe nga disa analistë ndërkombëtarë. Megjithatë, kur ata tregojnë solidaritet dhe unitet, SNS-ja i quan tradhtarë, teksa komentuesit si Qerka-Gashi i nënvlerësojnë veprimet e tyre si pretencioze, duke i akuzuar ata për progresivizëm të rremë dhe solidaritet fals. Është e qartë se të dyja vlerësimet nuk mund të jenë të sakta.

Në realitet, pjesëmarrja e minoriteteve në protesta pasqyron veprime të vërteta të solidaritetit, që shkojnë përtej gjesteve simbolike dhe fotografive. Studentët e Universitetit Shtetëror të Novi Pazarit, shumica e të cilëve boshnjakë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shfaqur mbështetje për kolegët e tyre nga Beogradi, Novi Sadi dhe Karagujevci. Ata mbajtën me krenari flamurin e tyre kombëtar përkrah kolegëve serbë, gjest ky që u kritikua nga regjimi i SNS-së, teksa vendasit ofruan ushqim dhe akomodim, përfshirë këtu edhe vakte hallall. Këto veprime pasqyrojnë solidaritet të vërtetë dhe respekt të ndërsjellë brenda shoqërisë.

Është i vërtetë pretendimi për mospjesëmarrjen e shqiptarëve në protesta, por arsyetimi është i gabuar. Ndryshe nga Novi Pazari, qytetet me shumicë shqiptare në Serbi nuk kanë universitete. Gjithashtu, shumë të rinj shqiptarë vendosin të studiojnë në Prishtinë, Tiranë apo Shkup, ku studimet ofrohen në gjuhën shqipe.

Mund të luajë rol edhe zgjedhja personale. Për shembull, grupet e tjera minoritare, siç janë hungarezët dhe boshnjakët, kanë marrë pjesë vazhdimisht, por komuniteti shqiptar mund të mos e ketë ndier nevojën për t’iu bashkangjitur protestës. Cilado që mund të jetë arsyeja, lëvizja studentore vazhdimisht ka theksuar se çdonjëri, pa përjashtim, është i mirëseardhur.

Etiketimi i studentëve serbë si nacionalistë injoron një vit përpjekjesh dhe guximi qytetar nga ta. Studentët serbë nuk janë nacionalistë dhe, ku shfaqet nacionalizmi, refuzohet shpejt. Në vend të mbështetjes së betejës demokratike të studentëve, kritikët, me sulmet ndaj tyre, rrezikojnë të minojnë një nga lëvizjet popullore të rralla që në Serbi s’është parë për dekada të tëra. Këta studentë janë katalizatorët e vërtetë të ndryshimit në Serbi.

E vërteta nuk është kurrë e thjeshtë dhe narrativat në internet e në media shpesh nuk arrijnë t’i prekin kompleksitetet më të thella. Detyra jonë si autorë dhe aktivistë është të informojmë, jo të shtrembërojmë; t’i sfidojmë supozimet, jo t’i përforcojmë ato. Çdo storie duhet të trajtohet me kujdes, kureshtje dhe respekt, duke mbajtur mend se qindra-mijëra njerëz nuk mund dhe nuk duhet të reduktohen brenda një narrative të vetme.

Artikulli i Kosovo 2.0 nis me pyetjen: “Çka në të vërtetë do të thotë solidariteti?” Në pikëpamjen time, do të thotë të tregosh empati dhe respekt për ata që po luftojnë për një të ardhme më të mirë. Ndonëse jo perfekte, protestat e fundit në Serbi kanë shfaqur shkëndija të solidaritetit të vërtetë, që meritojnë të njihen dhe të mbështeten.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.