Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë hapa konkretë karshi çmimeve të larta në treg

Ilustracija: BigEye.

Në një përpjekje për ta frenuar inflacionin në Kosovë, Qeveria Kurti pati miratuar në nëntor 2022 Ligjin për “Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”. Ky Ligj përmbante kufizime si:

– Kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar;
– Ndalimi i largimit nga shitja e produkteve themelore;
– Caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë.

Me fjalë të tjera, këto ishin disa masa të përkohshme, për një periudhë të caktuar kohore, për t’u përballur me periudhën post-COVID-19. Megjithatë, këto masa nuk do ta zgjidhnin problemin afatgjatë të rritjes së çmimeve në Kosovë.

Përveç kësaj, problem tjetër ishte përmbajtja e ligjit. Për opozitën, kjo ndërhyrje e shtetit në treg ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e dërgoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstatoi se ligji ishte në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës, që e përcakton Kosovën si ekonomi e tregut të lirë.

Por, në vend se të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës, Lëvizja Vetëvendosje e përdorte këtë vendim në vazhdimisht që të akuzonte opozitën sa herë që temë ishte rritja e çmimeve.

Prej nëntorit të vitit 2022, Qeveria Kurti nuk kishte ofruar asnjë alternativë për ta zgjidhur problemin. Kjo gjë reflektohet edhe nga ngritja e çmimeve në treg.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit ishin rreth 5.1% më të larta në muajin tetor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Tashmë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, mirëpo qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me çmime dhe inflacion të lartë. Për qeverinë në ardhje të Kosovës, për ta zbutur krizën, janë të domosdoshëm këta hapa:

Largimi i TVSH-së për produktet themelore

Largimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet themelore, si: mielli, gruri, buka, vezët, orizi, sheqeri, mes të tjerash, do të kishin ndikim direkt në uljen e çmimeve. Për një vend të varfër si Kosova, ky vendim do të kishte ndikim të menjëhershëm.

TVSH-ja është një taksë mbi konsumin për mallra dhe shërbime. Për momentin, TVSH-ja në Kosovë për produktet themelore është 8%. Nëse kjo taksë hiqet për produktet themelore, çmimi final do të duhej të ulej në përpjesëtim me taksën e hequr. Për shembull, nëse një produkt themelor ka kushtuar 1 euro, pa TVSH do të kushtonte 92 centë.

Po ashtu, heqja e TVSH-së për produktet themelore krijon një avantazh të menjëhershëm konkurrues për prodhuesit vendorë, pasi ul çmimin final për konsumatorin dhe rrit kërkesën për produktet e tregut të brendshëm. Për shembull, një furrë që blen grurë vendor pa TVSH, do të ketë mundësinë të shesë bukën me çmim më të lirë.

Dhurimi i kuponëve me vlerë

Shtesat prej 50 apo 100 eurosh nuk konsiderohen politika adekuate sociale dhe janë të pamjaftueshme për të ndihmuar në mënyrë efektive qytetarët dhe bizneset në fazën afatgjatë. Ato jo vetëm që krijojnë varësi qytetare ndaj Qeverisë, por nuk dihet gjithashtu ku do të përdoren. Me fjalë të tjera, nuk ka garancë se ato para do të shpenzohen në Kosovë, rrjedhimisht te prodhuesit vendorë.

Në këtë drejtim, dhurimi i kuponave me vlerë, për t’u shfrytëzuar në blerjen e produkteve themelore (si: buka, mielli dhe vaji), do të siguronte që paratë të shpenzohen aty ku janë të destinuara. Tutje, kuponët do të përdoreshin vetëm te produktet vendore, gjë që do ta eliminonte mundësinë e largimit të kapitalit jashtë vendit.

Kuponi do të funksiononte sikur llogari bankare, e cila do përkthej në cash për bizneset. Një kupon do kishte vlerë 100 euro dhe do të ndahej çdo tre muaj për familje dhe individë që jetojnë vetëm.

Ndëshkimi adekuat ndaj bizneseve që kurdisin çmime

Një tjetër përpjekje do të ishte përmes Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK), për të hulumtuar tregun dhe për të gjobitur kurdisjen e çmimeve në treg përmes marrëveshjeve të kurdisura mes bizneseve për rritjen paralele të çmimeve.

Në mënyrë që kjo politikë të ketë sukses, ndëshkimi do të duhej të përfshinte shifra të konsiderueshme financiare, në mënyrë që të dekurajohen kurdisjet e çmimeve. Gjithashtu, kjo do të mundësonte zbatimin më efektiv të politikave të reja, siç janë largimi i TVSH-së për produktet themelore dhe dhurimi i kuponëve me vlerë.

Si përfundim, ekonomia është komplekse, sepse sfidohet nga dinamikat e tregut të brendshëm e të jashtëm dhe, duke qenë e tillë, problemet e saj nuk zgjidhen me ligje që kontrollojnë çmime, siç u tentua në vitin 2022.

Ky kombinim politikash do të mundësonte që bizneset të përfitonin nga rritja e konsumit të konsumatorëve dhe do ta merrnin lëndën e parë me çmim më të lirë. Në anën tjetër, qytetarët do të përfitonin nga ndihma e Qeverisë, duke i shpenzuar paratë aty ku janë të destinuara.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.