Që nga viti 2014, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë gëzuar pensionin e veteranit vetëm me kushtin që të mos jenë të punësuar.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2016, kjo qasje ndryshoi. Atëbotë u përcaktua se pensioni nuk duhet të ndalet për veteranët që punojnë në sektorin privat, por vetëm për ata që janë të punësuar në sektorin publik.
Edhe pse ligji u ndryshua, mënyra se si vepruan institucionet mbeti e njëjtë. Departamenti i Pensioneve brenda Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) vazhdoi refuzimin e pensionit pothuajse të gjithë veteranëve që figuronin të punësuar, pa dallim se ku punonin, duke shkelur ligjin.
Një veteranit të UÇK-së iu ndërpre pensioni në vitin 2021, sepse figuronte i punësuar në Shqipëri. Personi në fjalë u ankua tek organet kompetente, fillimisht te MFPT-ja, e cila ia refuzoi ankesën. I njëjti, më pastaj, e dërgoi rastin në Gjykatën Themelore dhe Gjykatën e Apelit dhe u refuzua në të dyja rastet. Kështu, rasti arriti në Gjykatën Supreme.
Në vitin 2025, Gjykata Supreme vendosi se sipas ligjit në fuqi kriteri vendimtar nuk është akti i punësimit, por burimi i pagës, duke i dhënë fund kësaj shkeljeje ligjore.
Gjykata Supreme sqaroi se pyetja kryesore nuk është nëse veterani punon apo jo, por nëse paguhet nga buxheti i Kosovës. Meqë veterani në fjalë punonte jashtë institucioneve publike të Kosovës, Gjykata ia njohu sërish të drejtën e pensionit dhe shfuqizoi vendimin e MFPT-së.
Edhe pse kjo përbën një fitore ligjore për veteranët, ligji nuk përfshin ata të cilët janë të punësuar në sektorin publik. Ky fenomen krijon trajtim të pabarabartë mes vetë veteranëve.
Problemi është se pensioni në Kosovë është aq i vogël sa mund të shihet sikurse lëmoshë. Pensioni mujor i veteranit luftëtar varion nga 120 deri në 250 euro, varësisht nga kategoria, duke filluar nga 250 euro për kategorinë e parë, 204 euro për kategorinë e dytë dhe 120 euro për kategorinë e tretë.
Pensioni i veteranit është njohje dhe respekt ndaj kontributit dhe sakrificës së dhënë në luftë, e cila nuk mund të paguhet me asnjë çmim.
Thënë shkurt, paga që një veteran merr aktualisht është kompensim për punën që kryen, ndërsa pensioni i veteranit është një njohje për kontributin ndaj vendit. Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen.
Ky dallim në trajtim kërkon zgjidhje urgjente.
Legjislatura e 10-të e Kuvendit duhet menjëherë pas formimit të komisioneve parlamentare të iniciojë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Veteranët e Luftës së UÇK-së, në mënyrë që edhe veteranët e punësuar në sektorin publik të gëzojnë pensionin.
Kuvendi duhet të iniciojë ndryshimet ligjore për të siguruar që edhe veteranët e punësuar në sektorin publik ta gëzojnë pensionin, në përputhje me parimin e trajtimit të barabartë.
Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e korrigjon këtë pabarazi përmes ndryshimeve ligjore, çështja mund të adresohet në Gjykatën Kushtetuese.






























































