Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Trekëndëshi i suksesit: integrimi i strukturave paralele, dialogu social me serbët dhe çështja e Asociacionit

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Pas konsolidimit të institucioneve të reja në Prishtinë, sfida kryesore për Kosovën nuk është më vetëm ruajtja e pozicionit në dialog, por ndërtimi i një strategjie të qartë, proaktive dhe të koordinuar ndërinstitucionale, që e orienton procesin drejt rezultateve konkrete.

Veçse ekziston një parakusht politik për anëtarësim në Këshill të Europës, që është dërgimi i Draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) në Gjykatë Kushtetuese. Kosova ka dy rrugë përpara: të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë dhe të ofrojë zgjidhje konkrete, apo ta zgjedhë bllokimin.

Në vend të një qasjeje reaktive, Kosova duhet ta përdorë dialogun si instrument për forcimin e shtetësisë dhe avancimin e saj ndërkombëtar, dhe anëtarësimi në KiE do të ishte një hap jashtëzakonisht i madh drejt afirmimit ndërkombëtar.

Kjo strategji duhet të mbështetet në tri shtylla kryesore, të cilat nuk janë të ndara, por e plotësojnë njëra-tjetrën: integrimi i strukturave paralele, zhvillimi i dialogut social me serbët e Kosovës dhe trajtimi i çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Fillimisht, integrimi i strukturave paralele në veri dhe në zonat me shumicë serbe duhet të jetë një prioritet i pakthyeshëm institucional. Kjo nuk duhet parë vetëm si çështje teknike apo administrative, por si një proces politik i integrimit të komunitetit serb në ombrellën institucionale të Kosovës, si dhe shtrirjes së sovranitetit.

Në këtë fazë, fokusi duhet të kthehet drejt arritjes së këtij qëllimi përmes zhvillimit të një dialogu social të drejtpërdrejtë me serbët e Kosovës. Një qasje e tillë nënkupton afrimin gradual me komunitetin, ndërtimin e besimit dhe krijimin e kanaleve të qëndrueshme të komunikimit në nivelin lokal dhe qendror.

Kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional, përfshirje të akterëve lokalë, si dhe adresimin e shqetësimeve të përditshme të qytetarëve, si: siguria, shërbimet publike, zhvillimi ekonomik dhe hallet e tjera që shqetësojnë komunitetin serb.

Përmes komunikimit të hapur dhe të rregullt, institucionet e Kosovës mund të zvogëlojnë hendekun e besimit dhe të krijojnë kushte për integrim më të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Dialogu social me serbët e Kosovës është ndoshta elementi më i nënvlerësuar deri më tani, por me potencial të madh transformues. Në vend që dialogu të mbetet ekskluzivisht një proces ndërmjet elitave politike në Bruksel, Kosova duhet të zhvillojë një dialog të brendshëm dhe të investojë në ndërtimin e besimit me qytetarët serbë.

Kosova duhet të ndërtojë një strategji të qartë dhe të artikuluar mirë në opinionin publik vendor dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Në vend të refuzimit të përgjithshëm, Kosova duhet të përcaktojë vijat e kuqe të saj, se çdo formë e AKS-së duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, pa kompetenca ekzekutive që cenojnë funksionalitetin e shtetit.

Konkretisht, nevojitet zbatim në të njëjtën kohë me Serbinë i Marrëveshjes së Ohrit. Fillimisht, duhet kërkuar plan të zbatimit të marrëveshjes të pajtuar reciprokisht me Serbinë. Gjithashtu, duhet t’u kumtohet palëve se AKS-ja do të jetë kompromisi final i Kosovës në dialog, në mënyrë që të evitohen kompromise të reja.

Në të njëjtën kohë, Kosova mund të propozojë një model alternativ që adreson shqetësimet legjitime të komunitetit serb. Ky model mund të përfshijnë forcimin e mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe garantimin e një përfaqësimi më efektiv në nivelin lokal dhe qendror.

Një qasje e tillë e zhvendos debatin nga një proces reaktiv, i dominuar nga presioni ndërkombëtar, në qasje proaktive, duke e pozicionuar Kosovën si palë konstruktive që ofron zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme.

Përfundimisht, Kosova duhet ta shfrytëzojë dialogun si mjet për avancimin e aspiratave të saj ndërkombëtare. Kjo kërkon një afrim më të madh me akterët kyçë ndërkombëtarë, por edhe një ndryshim të qasjes në negociata me Serbinë, duke qenë më e përgjegjshme, më serioze dhe më strategjike.

Një qasje e tillë do të ndikonte pozitivisht, duke ndërtuar besim dhe duke krijuar ura bashkëpunimi për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.