Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Largimi nga pushteti i Viktor Orban-it përbën një mundësi të re për raportet Kosovë-Hungari

Picture from Shutterstock.

Më 13 prill, Hungaria përjetoi ndryshimin e parë të pushtetit që nga viti 2010. Lideri opozitar, Peter Magyar, me partinë e tij Tisza, doli fitues në mënyrë bindëse, duke fituar 53% te votës dhe 141 nga 199 ulëset. Hungaria nuk ka sistem ekskluzivisht proporcional dhe partia që fiton shumicën e zonave merr më shumë ulëse.

Pas një periudhe tensionuese mes Orban-it dhe BE-së, me ndryshimin e ri të pushtetit, Magyar-i pritet të ketë marrëdhënie më të mira me BE-në dhe Ukrainën. Së fundmi, BE-ja ka arritur në një dakordim për një hua prej 90 miliard eurove si dhe një pako të re sanksionesh.

Përderisa Brukseli tashmë ka ndier ndryshimin politik në Budapest, ende nuk është e qartë si do të jetë qasja e Magyar-it karshi Kosovës.

Megjithatë, shenjat e para tregojnë se fitorja e Magyar-it hap mundësi për një riorientim të politikës hungareze drejt BE-së dhe NATO-s, duke krijuar shanse që Hungaria të ketë një qasje më konstruktive ndaj Kosovës.

Raportet Kosovë-Hungari pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Hungaria është një nga kontribuuesit më të mëdhenj të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it, duke u renditur e treta pas SHBA-së dhe Italisë për numrin e ushtarëve në Kosovë.

Hungaria gjithashtu kontrollon hapësirën ajrore FL 205–FL 660 si anëtare e NATO-s dhe si anëtare e BE-së, dhe merr pjesë aktive në formësimin e qëndrimeve të përbashkëta të këtyre organizatave ndaj Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Hungaria ka luajtur një rol kryesisht konstruktiv dhe mbështetës.

Ajo e njohu Kosovën vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, hapi ambasadën në Prishtinë dhe kontribuoi në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA, që u bë anëtare në Budapest. Po ashtu, Hungaria e ka mbështetur Kosovën edhe në përpjekjet për anëtarësim në UNESCO, pavarësisht kundërshtimit nga Serbia.

Viktor Orban-i rikthehet në pushtet dhe udhëheq Hungarinë për 16 vjet

Në vitin 2010, Viktor Orban-i u rikthye në pushtet dhe nisi të konsolidojë kontrollin politik brenda vendit, duke ndryshuar kushtetutën dhe duke dobësuar mekanizmat e kontrollit institucional. Kjo shënoi fillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara mes Budapestit dhe Brukselit.

Një tjetër pikë ndarëse erdhi gjatë krizës së migrimit në vitin 2015, kur Orban-i kundërshtoi ashpër politikat e BE-së për pranimin e refugjatëve nga Siria dhe ndërmori masa të njëanshme kufitare.

Me kalimin e kohës, tensionet u thelluan më tej për shkak të përplasjeve mbi sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe standardet demokratike brenda Hungarisë. Përçarja më e fundit dhe më e theksuar u shfaq pas vitit 2022, me luftën në Ukrainë, kur dallimet gjeopolitike mes Hungarisë dhe vendeve të tjera të BE-së u bënë edhe më të dukshme. Sidomos për faktin që Hungaria disa herë pati bllokuar konsensusin për çështje si anëtarësimi i Suedisë në NATO, pakot e sanksioneve ndaj Rusisë apo ndihma ndaj Ukrainës.

Hungaria më nuk sillej si aleat perëndimor, por si vend mes lindjes e perëndimit, edhe pse  institucionalisht ishte brenda NATO-s e BE-së.

Me kalimin e kohës, Hungaria forcoi lidhjet bilaterale me Kinën, Rusinë, Turqinë, Azerbajxhanin, e Turkmenistanin. Në Ballkan, Hungaria forcoi lidhjet me Serbinë dhe entitetin serb në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe ish-kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski.

Kthesa hungareze ndaj Kosovës: nga aleat konstruktiv, në pengesë

Kthesa e Hungarisë ndaj Kosovës erdhi bashkë me kthesën e saj ndaj BE-së.

Në kuadër të integrimit europian të Kosovës, Hungaria kishte qenë kundër heqjes së masave të Bashkimit Europian, të cilat i janë vendosur Kosovës në qershor të vitit 2023. Komisioneri hungarez Oliver Varhelyi kishte propozuar rivlerësimin e Kosovës në liberalizimin e vizave.

Në rastin e sulmit paramilitar në Banjskë, Orban-i ishte shprehur në mbrojtje të çdo lloj sanksioni ndaj Serbisë përmes vetos dhe e kishte quajtur sulmin paramilitar serb si “përgjigje e provokimeve të Prishtinës”. Këto qëndrime ishin të gjitha kundër vijës së vendeve njohëse të Kosovës brenda BE-së.

Qasja e Hungarisë ndaj Kosovës u bë e qartë në prill të vitit 2024, kur ajo u pozicionua kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Hungaria ishte i vetmi vend njohës që votoi kundër Kosovës, ndërsa në avancimin e statusit të Asamblesë Parlamentare ishte i vetmi vend i NATO-s që votoi kundër në votimin e njëjtë ku vendet mosnjohëse abstenuan.

A do ta ndryshojë Peter Magyar-i qasjen e Hungarisë ndaj Kosovës?

Me fitoren e Magyar-it, Hungaria pritet të jetë më shumë në vijë me vendet e BE-së e të NATO-s. Magyar-i tashmë është shprehur që nuk do të lejojë që Hungaria të bëhet një vend ku mblidhen kriminelët e kërkuar ndërkombëtarisht, duke aluduar edhe në azilin politik të  Nikola Gruevski-t, për të cilin Hungaria më herët nuk i ishte përgjigjur kërkesës së Maqedonisë së Veriut për ekstradim.

Ndërsa, sa i përket Serbisë, Magyar-i kishte thënë se në marrëdhënien e Orban-it, Fico-s dhe Vuçiq-it, ai e di se kush është patroni i tyre, duke aluduar në presidentin Putin. Gjithashtu, Magyar-i, në të njëjtën konferencë për shtyp, tha se incidenti i gazsjellësit TurkStream ishte i orkestruar mes Orban-it dhe Vuçiq-it.

Me këto ndryshime mes Magyar-it dhe Vuçiq-it është vështirë e imagjinueshme që Magyar-i do ta mbajë pozicion të ngjashëm ndaj Serbisë sikurse Orban-i.

Në këtë rast, Kosova duhet të punojë me qeverinë e re hungareze që ajo gradualisht të ndryshojë qasje ndaj Kosovës.

Fitorja e Peter Magyar-it hap mundësinë për një rikthim gradual drejt një politike më koherente euroatlantike ndaj Kosovës, ku ndikimi i aleancave problematike rajonale të qeverisë së kaluar hungareze do të ishte më i kufizuar.

Duke pasur parasysh edhe rolin konkret të Hungarisë në KFOR, si dhe rrezikun që destabiliteti në Kosovë paraqet për vetë trupat e saj, një qasje më konstruktive ndaj Kosovës nuk është vetëm çështje parimore, por edhe interes i drejtpërdrejtë strategjik për Budapestin dhe Prishtinën.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të synojë sigurimin e përkrahjes hungareze për avancimin e statusit të saj si kandidate për BE-në, si dhe mbështetjen për anëtarësimin në Këshillin e Europës. Njëkohësisht, thellimi i marrëdhënieve ekonomike do të përbënte një hap të rëndësishëm dhe të dobishëm në këtë drejtim.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.