Sipas një publikimi të WorldAtlas, Kosova është vendi i dytë më i varfër në Europë, pas Moldavisë. Ky publikim ngjalli reagime të shumta dhe kritika në drejtim të pushtetit për gjendjen e rënduar ekonomike në vend.
Por, në vend të llogaridhënies, ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vendosi t’u përgjigjet kritikëve duke u krenuar me vendin e dytë dhe duke thënë se “Kosova nuk është vendi më i varfër në Europë”.
Ky konstatim dallon dukshëm nga ajo që kishte deklaruar shefi i tij, Albin Kurti, në vitin 2021. Albin Kurti kishte thënë se Kosova do t’i afrohej Kroacisë me rritje ekonomike.
Pra, nga synimi për të konkurruar me Kroacinë, pushteti krenohet që vendi gjendet vetëm mbi Moldavinë.
Së fundmi, gjatë një interviste për KTV-në, kryeministri në detyrë Albin Kurti u pyet për këtë gjë dhe ai u përgjigj me një eufemizëm: “Kemi qenë shumë të varfër, tash jemi pak të varfër”.
Por, numrat nuk janë në favor të kësaj qeverie. Thellimi i varfërisë në Kosovë u pranua nga vetë ministri Hekuran Murati.
Në janar të vitit 2024, Murati kishte bërë njoftimin që mbi 40 mijë familjeve të cenueshme do t’u subvencionoheshin faturat e energjisë elektrike. Në dhjetor të vitit 2025, ai tregoi se numri i familjeve të cenueshme ishte rritur në mbi 90 mijë sosh.
Një nga parullat kryesore politike të Albin Kurtit gjatë periudhës së tij opozitare ka qenë “Nuk jemi të varfër, por të vjedhur”, teksa 6 vjet pas qeverisjes së tij, kosovarët vazhdojnë të mbeten ndër më të varfrit në kontinent.
Sot, gjendja ekonomike në Kosovë është tejet jostabile.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni për muajin prill ka qenë 7.5%. Kosova e ka normën e inflacionit dukshëm më të lartën në Ballkanin Perëndimor.
Kjo tregon për norma shqetësuese të inflacionit, pasi në ekonomi, norma e moderuar është deri në 2% dhe kur çdo muaj po raportohet nivel kaq i lartë, nënkupton që vlera e parasë po humb.
Plani i ekonomik i Qeverisë Kurti ka dështuar të sjellë një përmirësim të qëndrueshëm të mirëqenies socio-ekonomike, të bazuar në zhvillim real.
Këtë e dëshmon edhe numri i qytetarëve që janë larguar nga Kosova. Vetëm në vitin 2024, kanë emigruar mbi 37 mijë qytetarë.
Në vend të një transformimi strukturor të ekonomisë, politikat e ndjekura kanë mbetur të kufizuara në masa afatshkurtra, përmes shtesave, që nuk adresojnë problemet thelbësore të stagnimit ekonomik.
Më 22 maj 2026, Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndajë nga 100 euro të njëhershme për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat që kanë paga nën 1 mijë euro. Vendimi erdhi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Këto shtesa nuk po japin efekt pozitiv ekonomik.
Ndryshe nga investimet në prodhim, punësim apo rritje të produktivitetit, shtesat e njëhershme kryesisht shndërrohen në konsum të menjëhershëm. Kjo rrit kërkesën për mallra dhe shërbime, por jo domosdoshmërisht ofertën, duke krijuar presion shtesë mbi çmimet dhe duke zbehur shpejt përfitimin që qytetarët marrin nga këto mjete.
Madje, këto shtesa nuk janë as të rregulluara me ligj si pjesë e një skeme të qëndrueshme të mbrojtjes sociale, por ndahen me vendime ad hoc të Qeverisë, në periudha të afërta me proceset zgjedhore.
Për më tepër, ato nuk ndërtohen mbi parimin progresiv, sipas të cilit qytetarët me të ardhura më të ulëta do të përfitonin më shumë. Në vend të kësaj, shuma shpërndahet në mënyrë të njëjtë për të gjithë përfituesit brenda kategorive të caktuara, pa marrë parasysh nivelin e nevojës ekonomike.
Pra, pas gjashtë vjetësh qeverisje të Albin Kurtit, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Europë, me inflacion të lartë, emigrim të vazhdueshëm dhe mungesë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Në vend të një strategjie të qartë për rritjen e prodhimit, investimeve dhe vendeve cilësore të punës, Qeveria është mbështetur kryesisht në masa afatshkurtra dhe shpërndarje të njëhershme financiare.































































