Fishta thotë se: “perkthimet klasike janë fort të vshtira edhè nder gjûhë të mdhá europjane, të zhvillueme gjatë qinda e qinda vjetsh; shka nuk kan me kênë per gjûhë shqype, e cilla, si gjûhë letrare, të thuesh, ká lé dje?”. Këte vështirsi, sikundër e pranon edhe Fishta, gjuha shqipe mundet me e përballue, posë aftësisë teknike të përkthyesit, edhe falë ujdisë me mjetet e thjeshta “plot gjallnì e jetë”, të cilat gjinden bollshëm në repertor të Gjuhës Folun, rrafshue e plazmue mot pas moti prej veprimit të kohës e prestigjit të trashigimisë letrare.
Afërmendsh as burokratishtja, alias kodi standart, e as veç gjuha e shkrueme, nuk mund t’ja dalin me bartë sot në shqip melodinë, ekspresjonin dhe gjallninë e t’shprehunit. Këte sot pak-kush e ven n’dyshim. Në vitet e diktatit të standartit mbi letërsinë, pas 1972-shit, u arrit, ma s’shumti, n’at përkthim qi quhet politicamente corretto, po gjithsesi larg s’qenit artistikisht i përkryem. E pikërisht ky diktat e pat heqë me pahir vëmendjen prej formës tuj’e thjeshtue punën veç te fabula; kështu folën njilloj në shqipen bashkëkohore Diderot dhe Eluard pamvarsisht shekujve q’i ndajnë, apo Ibsen nga Levi ndonëse njena dramë, pra gjuhë e konceptueme për me u recitue, e tjetra roman, pra për me u lexue në heshtje. E poashtu vijojnë sot me u përkthye fiks me të njejtën shqipe b. fj. Machiavelli me Dan Brownin. Gjithkund po ajo formë! Ku vetëm fabula a subjekti i ban të dallueshëm mes tyne. Tue arsyetue mbi parimet e strukturalizmit e të formalizmit në letërsi, rezulton se forma artistike në shkrimet shqipe ka shpërnjoftë e po shpërnjef thellsinë vertikale të kuptimsisë’ mjeteve t’saj, ka shpërnjoftë faktin se kjo kuptimsì, si repertor të shenjuemish, rron e përçohet prej traditës folun, aty ku edhe gjallon organikisht, e e patjetërsueme psika kolektive e konsumatorve të teksteve tona të shkrueme, pra shqipfolsvet. Po t’qe mbajtë parasysh ky habitat i vërtetë i shenjave të universit shqipfolës, atëhere të shenjuemit kishin me kërkue gjithsecili shenjuesit e vet, e kështu përdorimi i shqipes nuk do t’i kish bjerrë as larushinë, as saktësinë e as përkulshmëninë (fleksibilitetin) e vet jetike.
Në këto dekada janë shtrue me të drejtë pyetjet: A përnjimend asht e kufizueme fuqia e shqipes sot? Apo asht njohja jonë mbi repertorin e mjeteve të saj qi po vijon me qenë e cekët? Apor mbi zgjedhjet tona të shprehjes randojnë endé pasojat e gjymtimevet qi i janë bâ limfës’ trashigimisë tonë gjuhore, e për të cilat ende nuk ka nji mea culpa? Dhe mâ tej akoma, a asht shqipja sot nji gjuhë e plotë? Dilema të tilla shqetsojnë shumkend, madje, për paradoks, lexuesit e shqipes janë edhé mâ të shqetsuem se shkruesat e saj.
Ndaj pra, në këte rravgim mbi “Faustin” e Gjeçit, nuk kam me cekë shllimin (idenë) se ç’përfaqëson Fausti a Mefistofeli, pasi kjo vepër nuk asht hera e parë qi vjen n’shqip, por kam me shqyrtue mënyrën sesi i bartë Pashko Gjeçi, pikërisht ate mënyrë qi, me nji lojë mahije, e shndërron hardhucën në dinozaur.
Ndërmjet përkthimit në shqipen standarte të “Faustit” dhe përkthimit të lirë të Gjeçit ndihet po ai dallim qi vërehet mes përkthimit të standardizuem të “Iliadës” dhe shqipes madhshtore të Shllakut. N’fakt kurrkush nuk kish me e besue për pa e dijtë mâ parë, se të dyja këto variante i ka përkthye praktikisht i njejti individ: Gjon Shllaku. Të parin nji Gjon i varguem prej kodit artificial të ’72-shit dhe t’dytin nji ndorues i lirë i koinesë gege. E ndërsa n’përkthimin e parë lufta e Trojës ndihet si me qenë sekuencë e ndonji filmi vizatimor, në t’dytin mbërrihet me u dhanë troshima qi shkakton shkapetja e botëve t’lashta (ngase pamvarsisht sebepit t’Helenës, shkuemja e Akejve në Trojë kish at’herë impakt ende mâ të madh se mbërritja sot e Amerikës n’Irak). E ky impakt, dhanë prej asaj gegnishtje, ka përmasë universale edhe për faktin se ai ligjërim ruen dukshëm transhendencën historike. Këtu nuk kemi parasysh gegnishten e Mjedjes dhe as ate neovernakularen e Fishtës, por at’ shtresë të hollë mbrendë korpusit letrar gegë, at’ idiomë, në daçim me e quejtë kështu, qi përfaqësohet prej Koliqit e Gjeçit, prej Shllakut e Ndojës, pra at’ idiomë elitare qytetëse qi deri vonë rrokej me vesh në midis të Pjacës a në labirintet me ngrehina neoklasike te Giuhadolit.
Shì njikjò shtresë efemere, kjo vëmesë gjuhore, vjen e bâhet këtu dishmitare e lavrimit të kahershëm e të vijuem të gegnishtes, e cila, mbas kësaj pikasje, na paraqitet si nji shkollë plot rryma e jo si nji rrymë plot shkolla. E bâjmë këte dallim mbasi të gjithë lavruesit e vehikulës letrare gege ushqeheshin prej së njejtës landorsí, porse zhvillonin individualitetet e tyne në mënyra fort të ndryshme, tue krijue ksodore edhe dishepuj. Kështu, në gegnishten e këtij “Fausti” lexuesi s’ka me gjetë Koinenë Letrare Gege të gramatikëzueme simbas gjithë kanuneve e parametrave, por nji variant të sajin. E në këte variant, Pashko Gjeçi ka zgjedhë mjetin e vet për me i prûe në shqip ndjesitë e Gëtes. I vetëdijshëm se këto vargje janë shkrue kasten për me u recitue, ai, me ç’duket i asht përmbajtë me dashje parimit horacian të declamatio-s poetike, tuj përdorë për këte gjâ kryesisht kodin e folun. Po e ilustrojmë këte fakt me do shembuj:
“Âsht e vertetë se dij diçka mâ teper (11 rrokësh)
se ‘j msues, shkrimtar, doktor, a prift i vjeter”; (11 rrokësh)
apo
“Ah, gjith kjo botë lumnije m’shkoi n’thërrime! (11 rrokësh)
A ka se si qi ‘j pamje kaq sublime;” (11 rrokësh)
Vërehet bukur mirë se Gjeçi e reciton me mend vargun e vet përpara se me e shkrue. E afërmendsh, nuk i numron vlerat e zanorevet, të cilat në nji shkrim klasik do të dilnin si rrokje m’vedi; tingullima e t’folmes, qi ai ka n’vesh posaqi shkruen, i njeh ato si diftongje aty ku n’deklamimin poetik ato përngjiten vetvetiu. Kësisoj nuk duket asfare se po lexohet nji vepër qi lind e shkrueme, por krijohet mbresa e nji epi lirik të kënduem, t’cilin dikush mandej e ka zbardhë me besnikì tingull mbas tingulli. Prozodia asht këtu diadema e këtij përkthimi! E tue zgjedhë me shkrue formën e folun, Gjeçit i vjen kaq natyrshëm kjo prozodì, sa vështirë me besue se ai i ka numërue varg për varg e rrokje për rrokje strofat e shqipënimit të tij. Besohet se ai i asht dorëzue me dishirë muzikalitetit të gjuhës vet amtare, pa e trysë ate ndër forma të shtërngueme ortografike, qofshin këto edhe ortografì të vetë gegnishtes.
Marrim gand nji strofë, ku alternimi i rrokjeve të vargjevet qi rimojnë a/b/a/b ka dhanë me ç’duket, metrikë e trok të rregullt, falë faktit se përkthyesi ka transkriptue lirisht deklamimin e folun të saj:
“Të bajmë edhe nji hap der te njaj gur, (10 rrokësh)
atje le të pushojmë mbas ksaj shetije! (11 rrokësh)
Sa herë jam ulë vetar, kokën ndër duer, (10 rrokësh)
lodhë lutjesh, agjinimi dhe urije”. (11 rrokësh)
Kritika letrare europiane i studjon të tilla shmangie për hir të formës, e poashtu gjuhësia i çmon ato si mjete të randësishme të krijimtarisë gjuhore; ato emnohen shmangie realiste. Gjithë tue ju referue literaturës, themi se kjo mënyrë shmangie shkon përtej nji refuzimi të thjeshtë të tyne. Kush shkruen kështu, ka zgjedhë me qellim dishmitë autentike tue i paraqitë ato si dishmi kulturore e socijale. Pranë djalektevet shfaqen zhargonet, pranë gjuhës qytetëse shfaqet (me qellim) gjuha e periferisë, tue përfshî edhe shamjet e namjet, e ndonjiherë edhe eufemizmat e mënyrat popullore të t’shprehunit të shpresavet apo dishiravet. Shmangie kësodore janë nji burim i mirë i përtrimjes gjuhore, ngaqi zgjedhin, veçojnë dhe paraqisin pa paragjykim nji pjesë të randësishme të ligjërimeve tona t’përditshme (të ndigjueme e të foluna), të cilat mund t’i ngadalësojnë deri diku humbjet e vazhdueshme leksiko-semantike.
Thjeshtia me t’cilën Gjeçi përkthen autorët klasikë shtyn me hetue përtej dhantive të tij, mbasi në natyrshmëninë me t’cilën shqipja e vet ndërron vend me gjuhët shtatnalta, qendron diçka tejet mâ e madhe se dhantia e individit qi përkthen; qendron nji fenomen transhendental: marrveshja historiko-gjuhore e krejt nji bashkësie shqipfolëse, e cila afërmendsh nuk ka rrojtë e ngujueme në ndonji skutë, por ka marrë e ka dhanë lirshëm me tjera bashkësì fqinje, edhe ato me marrveshjet e tyne historiko-gjuhore. Pra duket se qendron vetë KOHA te kjo thjeshtì, a mâ drejtë te kjo zhdërvjelltì këmbyeshmënie qi sot na vjen, gadi-gadi, si nji koreografì vallzimesh mesjetare.
Por a asht sot shqipja në t’njejtën pozitë për me u ndërkëmbye hajthshëm me gjuhët shtatnalta? A janë të njejta fuqitë e saj faktike? Sot këto pyetje i ban kushdo, porse në shqipnimet e traditës, deri në t’hyme të vitevet Shtatëdhetë, nuk shtrohej asfare çashtja në qenë përkthye hijshëm a jo; sharti estetik për to qe kusht sine qua non. Profesionistat nuk e venin theksin mbi korrektesën estetike, por mbi do kritere tjera, te t’cilat do ndalemi me i përshkrue në vijim, e qi tekembrama synonin me i dhanë dorë larushisë së shqipes përbashkët letrare (si tharm kumtesh semantike e njiherit si mjet artistik). Me fjalë tjera ata ndihmonin përsdrejti në zgjanimin e kësaj vehikule kombëtare. Por kjo ndihmesë nuk mundej me u krye në kushtet e nji gjuhe të diktueme. Lidhun me aksionin ideopolitik qi regjimi i Hoxhës ndërmori ndaj Koineve Letrare për me ia nënshtrue ato Kodit Standart, gjâ qi ia ka ulë prestigjin gjuhës, tue i shndërrue ato në mjete pa vend e pa kohë, A. Vehbiu shkruen se “në të vërtetë, në rrethanat e shtrirjes gjithnjë e më kapilare të sundimit komunist në shoqërinë shqiptare, shteti nuk mund të konsiderohej më si partner komunikimi normal, përkundrazi; po kthehej me shpejtësi marramendëse në model për t’u ndjekur e në autoritet për t’iu bindur pak a shumë verbërisht. […]Jo vetëm që gegërishtja letrare u degradua si “gjuhë e armikut të klasës”, por edhe toskërishtja e Naimit dhe e Konicës, që më pas do të sanksionohej si standard, u shndërrua forcërisht në formë të ligjëratës totalitare, duke humbur fuqinë shprehëse, përkulshmërinë, ritmin, ëmbëlsinë. Nuk është e rastit që në vitet ‘50 letërsia shqipe pothuajse dha shpirt në krahët e propagandës – për t’u ringjallur pastaj si formë e nacionalizmit post-68-ësh e më tutje”.
Ekspresjoni gjuhor u rrudh dhe larushia artistike u reduktue në teknicitet. Për rrjedhojë, forma, pra gjuha, në përkthimet e sotme shfaqet pa kurrfarë ermimi historik; kjo ngase përkthyesit, ku prej mosnjoftjes trashigimisë e prej autocensurës, druhen me u përballë me traditën e shqipes, e sidomos me traditën e saj gege. Por le t’u kthehemi kriterevet qi cekëm pak mâ nalt.
Çka thuhet se merr përsipër nji përkthyes? Ta çojë lexuesin tek shkruesi, ta çojë shkruesin tek lexuesi, gjithë kjo me mëdyshjen se po i shërben e po i tradhton njiherit të dy padronët. Barthes mendon se ky rrezik shmanget kur lexuesi bahet jo dhe aq nji konsumator i tekstit, por mâ fort nji prodhues i vetë tekstit. Këte stad lexuesi e mbërrin vetëm po u aftësue me ndërmarrë zbërthimin e plotë semanto-formal të gjuhës’ veprës. E kur kjo vepër asht nji përkthim, lypet patjetër qi “shtati” i saj t’ketë mbetë ai i origjinalit, pamvarësisht mblojës e veshës. Tuj gjykue kësisoj, kemi shprehë pakashumë të njejtin mendim me Witgensteinin, i cili thotë se “gjuhë të ndryshme janë petka të ndryshme qi i mvishen të njejtit shtat”. Në fakt, ky do të ishte sot-për-sot edhe vizioni mâ i mirë i globalizmit kulturor. Kjo do të qe edhe sfida për çdo gjuhë qi kërkon me vû në provë fuqinë e vet faktike, pa e ndry at’ fuqi ndër kthina të lagështa, ndërtue prej mendësish të vjetrueme prohibicioniste qi s’kanë kurrgjâ t’përbashkët me lirinë e shprehjes artistike; me at’ liri të formës qi asht parakusht për nji vepër letrare, aq mâ fort nëse kjo e fundit asht përkthim i nji vepre t’madhe të letërsisë botnore, e si e tillë forma e saj gjuhore, petku i saj, s’mundet mos me qenë e lirë. Lidhun me këte bashkëpërkim të lirive gjatë përkthimit Walter Benjamin shkruen: “Ashtu si tangentja e prek rrethin flurthi në nji pikë të vetme e mandej, jo pika e pjekjes, por kjo pikëpjekje, i përcakton tangentes rrugëtimin e saj të drejtë e t’pacak, ashtu edhe përkthimi e prek origjinalin po kaq flurthi, mu aty në pikën tejet të vogël t’kuptimsisë, për të vijue mandej rrugën e vet sipas ligjit të besnikisë, në lirshmëni të plotë gjuhore”.
“Fausti” i Pashko Gjeçit asht, po, nji shqipnim i lirë, qi pret me u këndue e shijue prej lexuesish po kaq të lirë. Por, sa lexues të tillë, sa dekodues brendagjuhsorë të aftë ka sot në Shqipnì, të cilët mbrrijnë me dekodue e me shijue njiherazi? Procesi i dekodimit zen fill s’parit nga përkthimi endolinguistik, qi gjithsecili lexues joshet me i bâ formës qi ka vepra, pra gjuha e saj. Mundemi me e dhanë këte koncept me fjalët e Williard O. Quine-it se “përkthimi rranjësor, ai i vërteti, nis në shtëpi”. Sa i aftë asht sot lexuesi shqiptar me ndërmarrë në shtëpi, e vetmevete, nji përkthim endoliguistik – pra me interpretue shenjat gjuhore me anë tjera shenjash gjuhore po të s’njejtës gjuhë? E në mos u shtriftë kënaqshëm performanca e ligjërimit të tij, sa hapsinë rrok kompetenca e tij ligjërimore, shkalla e tij e njoftjes mbi REPERTOR TË SHQIPES? Gjithkush, edhe për pa qenë gjuhtar, mundet me iu përgjegjë kësaj pyetje, mjaft me pâ zbraztinë e botimevet me ligjërim alternativ – posë atij standart, burokratik – e sidomos mjaft me u gjetë i pranishëm në vështirsinë e madhe qi has lexuesi i ri ballë tekstesh letrare në Koinenë Gege.
Duket kjartë se mbi vetëdijen tonë gjuhore randon endé, si zgjatim nga kohë e keqe, qarkorja e dikurshme e kryeministrit M. Shehu, e cila urdhënonte qi “drejtshkrimi i hartuar në bazë të Rezolutës së Kongresit të zbatohet detyrimisht në të gjitha botimet si dhe në institucionet kulturore të teatrove, të estradave, të kinematografisë e të radiotelevizionit që kanë të bëjnë edhe me trajtën e folur”. Tashmâ e dijnë të tanë, edhe mbrojtsit mâ të rrebtë të Standartit në letërsi, se nji masë e tillë detyruese asht absurde të ushtrohet mbi nji gjuhë letrare e cila ka shpallë prej s’parit se asht mbështetë mbi PARIMIN FONETIK. Absurde dhe damtore, mbasi farkonte nji “shqipe të re” përtej traditës, e cila barabiste vlerat e lashta shpirtnore me “zakonet prapanike”, tue kalue gjithshka vetëm përmes sitës ideologjike. Me t’drejtë A. Vehbiu konstaton se “mjerimi leksikor i shqipes standard s’ka lidhje aq me mangësitë e përfolura të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, sesa me ngushtimin qëllimisht të horizontit të ligjërimit të shkruar e të folur shqip nga regjimi komunist, nëpërmjet përjashtimit policor të përmasës fetare-spirituale dhe, paralelisht, të traditës së shkrimtarëve gegë të Veriut që asaj përmase i referohej”.
Sot shtrohet përsëri pyetja: shqiptarët kanë nevojë për nji “shqipe të re” e të cungueme në laborator apo për nji gjuhë të plotë qi ngërthen traditën e vijueme historike? Si i bahet sot me e rritë shkallën fuqisë faktike të shqipes?
Para s’gjithash kjo shkallë duhet njoftë në gjendjen e vet natyrale (mjedisi ku kryhen e marrin jetë përditë miliona akte komunikimi) në mënyrë qi shkenca jonë mbi gjuhën t’mos mbetet robinë e hamendjevet ditunore, mbasi bashkësia shqipfolse nuk përbahet veç prej gjuhëtarësh e shkrimtarësh. Njoftja dhe përcaktimi i shkallës aktuale të fuqisë faktike të shqipes mbetet nji kusht i nevojshëm për me ndërhy në strukturë të saj, për me e ndryshue ate e me hedhë mandej bazat e nji politike gjuhsore qi mbështet zhvillimin kulturor të shoqërisë, pa krijue lexuesa të privilegjuem apo të përjashtuem prej zhvillimesh social-kulturore. Lidhun me ndërhymjet për rritjen e fuqisë faktike të gjuhës, citojmë dy prej kritereve qi T. De Mauro rendit si parësore; njeni kriter asht “vetëdija historiko-identitare e përdorimit dhe ecurisë së një gjuhe brenda bashkësisë së saj. Kjo vetëdije duhet nxitur e krijuar sa më shumë, sidomos në nivelin e arsimit të lartë” ; ndërsa tjetri i referohet “traditës së prestigjit kulturor dhe intelektual të asaj popullate e cila identifikohet dhe bashkohet në një gjuhë të dhënë; do të qe shumë gabim të nënvlerësohej ky faktor”, përmbyll De Mauro.
Po si asht sot marrdhania e përdoruesve të shqipes me traditën, e sidomos me traditën gege? Krejt e verbët dhe aspak e lirë; redaktorët e shkrimeve shqipe, për efekt të autocensurës qi bunon nga marrdhania e mekun me traditën, priren me lanë ndër shkrime turlì huazimesh apo ardhurizmash – saku rendin m’anë tjetër “të normojnë” me ngut çdo shenjues gegë. E natyrisht ky nuk asht faji i redaktorvet, por i nji mendsie institucionale të prapambetun e cila vijon mos me u çlirue prej praktikës së APARTEJDIT GJUHSOR kur asht fjala për gegnishten; e nji politike gjuhsore si kjo jona qi mëton përditë me e përthâ limfën e shqipes, e qi Primo Shllaku, në analizë të M. Camajt, e asgjëson veç me pyetjen e thjeshtë se “mos vallë atyne që ndërtuen kongrese e miratuen drejtshkrime, ky Camaj, i derdhun në fonderitë e gegnishtes së paftueme në festën e gjuhës së shqiptarëve, ua hjedh në erë me tritol mu në mesditë argumentin, atëherë e sot qesharak, se e folmja e veriut na qenka “e paevoluar”, arkaike dhe letrarisht shterpë?”.
A nuk asht mjerim i gjallë sot me ngulmue në dyshimin e mbrapshtë mbi prestigjin e kësaj koineje të madhe të shqipes – mjerim qi nuk kursen as nji pjesë të mirë të intelektualëve të sotshëm nga trevat gege? Tashmâ produkti letrar rezulton nji kufî i mirfilltë i emancipimit shoqnor të gjindjes sonë, mbasi në kuptimin e vet modern, nëse ai shndrrohet në nji produkt të lirë si tek “Fausti” i Pashko Gjeçit, ai mund ta sjellë vetiu erën e lirisë në shkrimet shqipe.
Letërsia, në kompleksitetin e vet strukturor, ushtron mbi gjuhën nji fuqi shumë mâ të naltë se vetë gjuhsia. Pra letërsia ka vërtet të drejtë me thirrë fort quia ego nominor leo. Këte tagër ja jep fuqia e dyfishtë, gjuhore e artistike, qi letërsia ushtron mbi konsumatorët e vet. Umberto Eco pyet: “Për çfarë shërben kjo pasuni jolandore që e quejmë letërsi? Ajo kryen nji mori funksionesh në jetën tonë vetanake dhe shoqnore. Letërsia para s’gjithash e mban në stërvitje gjuhën si trashigimi kolektive. Mandej letërsia, tuj ndihmue formësimin e gjuhës, krijon njiherit identitet e bashkësi”. Kjo vlen për çdo gjuhë, e vlen aq mâ fort për shqipen; por për me e ushtrue njimend këte Funksion Liberator, letërsia shqipe lypet me u sendërtue e lirë dhe me formësue në rrugë të natyrshme shkollat dhe regjistrat e saj ligjërimore.
Kështu pra, vlefta e këtij përkthimi të pashfaqun asht bash tek kjo gegnishte qi rishfaqet në shekullin e Njizetenjitë, në plotninë e limfës e të ermimit t’saj të andshëm. E kjo gegnishte, gjithë forcë e jetë, nuk shfaqet sot për me u kundrue si nji anije liburne, qi i takon muzeut e jo detit; gegnishtja e Pashko Gjeçit, qi udhton në nji vektor me artin e Gëtes, u vjen sot shqipfolsve, posë tjerash, edhe me ua rritë atyne pikpjekjet me amzën e shqipes. Ajo u jepet sot shqiptarëve – t’mdhej e t’vogjël – jo thjesht me synim edonistik, po për me e ndorue. E duke u epë, mëton rritjen e spektrit të shqipes dhe ushqen njiherit fugullarin alkimik të Shqipes së Sotme Metropolitane.
Le t’shërbejë pra kjo përshfaqje letrare, kjo gegnishte brenda Gegnishtes, kjo shqipe brenda Shqipes, le t’shërbejë me i ndërgjegjësue gegëfolsit për pajën amtare qi ata kanë e qi duhet ta përdorin; me i ndërgjegjsue shqipfolsit për zgjedhjet e shumta gjuhore qi ajo u ofron e qi duhet t’i njohin; e sidomos le t’shërbejë me ju rikujtue edukatorëve të breznive se Shqipja asht gjuhë e plotë – njilloj me simotrat e saj, e si e tillë duhet përdorë edhe prej nesh.