*Përgatiti: Ridona Berisha
Autobusi i agjencisë turistike “Polluzha Tours” nuk është sulmuar në afërsi të Nishit në Serbi, ashtu siç u raportua nga disa media, mirëpo ishte goditur nga një shpend derisa ishte në lëvizje.
Më 5 janar 2024, “Klan Kosova” publikoi lajmin me titull: “Udhëtari thotë se autobusi kosovar është sulmuar afër Nishit”, ndërsa në përmbajtje të artikullit ishte i përfshirë prononcimi i një pasagjeri, i cili ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur shpendi kishte goditur autobusin.
“Në hyrje të Nishit na kanë gjuajtur me gurë, ku na kanë thyer xhamin përpara, e tash jemi duke e pritur autobusin tjetër”, ka thënë ai.
Lajmi i njëjtë u shpërnda edhe nga portale të tjera, si: “Zëri.info”, “Kosova.info”, “Reporteri.net”, “Ballkani.info”, “Bota Sot”, “Gazeta Aktuale”, “Fiks.al”, “Periskopi”, duke vendosur edhe tituj, si: “Huliganët serbë sulmojnë autobusin kosovar në Nish”.
Por, pronarë të agjencisë i mohuan këto pretendime, teksa sqaruan situatën se pse udhëtarëve u është kërkuar që ta ndërrojnë autobusin.
Selim Hoti, njëri prej pronarëve të kompanisë, deklaroi se s’bëhet fjalë për sulm. “Gjatë kalimit nëpër autostradë, xhamin e autobusit e ka goditur një shpend, zog apo hut”, tha ai, ndërsa shtoi se pas këtij dëmtimi autobusi nuk ka qenë në gjendje teknike për të vazhduar tutje në destinacion.
Pas sqarimit të situatës nga pronarët e kompanisë, “Klan Kosova” publikoi një artikull tjetër, nëpërmjet të cilit demantoi se xhami i autobusit të “Polluzha Tours” nuk është thyer nga serbët në Nish të Serbisë, duke e transmetuar versionin e njëjtë me atë të pronarëve.
Publikimi i lajmeve të tilla të cilat nuk verifikohen paraprakisht nga të gjitha burimet mund të shkaktojnë shqetësim te qytetarët që kalojnë nëpër territorin e Serbisë, duke pasur parasysh edhe faktin se bëhet fjalë për dy vende ku ka ende tensione.
Verifikimi i fakteve gjatë raportimit është një element shumë i rëndësishëm për të siguruar saktësi dhe besueshmëri në informacion.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”