Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si po i vardiset Kina botës myslimane

Pekini ka ndezur sharmin (dhe fondet zhvillimore) për t’i ikur fajit për trajtimin e ujgurëve.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), organizata më e madhe shumëpalëshe që pretendon të përfaqësojë Umanë globale, ishte nikoqir i një takimi virtual në fillim të shkurtit për nder të Ditës së Solidaritetit me Kashmirin. Përfaqësues nga Pakistani, Turqia, Arabia Saudite, Nigéri dhe Azerbajxhani, shprehën mbështetjen e tyre “të palëkundur” për lëvizjet e vetëvendosjes myslimane në rajonin e Himalajeve ku katër prej gjashtë rajoneve më të populluara kontestohen nga India dhe Pakistani.

Për habi, atyre nuk iu shkoi ndërmend dënimi i qeverisë së Kinës. Pekini është përgjegjës për administrimin e provincave lindore të Kashmirit dhe momentalisht është i zënë me internimin në kampe të përqendrimit të më shumë se tre milionë ujgurëve.

Kur është puna te çështja në fjalë të politikave ekstreme të Kinës ndaj myslimanëve ujgurë, tash i quajtur gjenocid nga administrata amerikane, OIC-ja jep rregullisht lëvdata të drejtpërdrejta shtetit përgjegjës. Në fakt, në një deklaratë të korrikut 2019, rreth 12 shtete anëtare të OIC-së nënshkruan një letër në të cilën “lavdëronin arritjet e Kinës në fushën e të drejtave të njeriut.” Megjithëkëtë, mërgata ujgure po arrestohet dhe deportohet anëmbanë Lindjes së Mesme, ndërsa Turqia momentalisht pritet të finalizojë traktatin e ekstradimit, të cilin e ka përpiluar me Kinën në dhjetor, që do t’i ekspozonte afër 100 mijë mërgimtarë ujgurë ndaj rrezikut të madh të deportimit dhe vdekjes.

Është e lehtë të merret vesh faktori pas standardit të dyfishtë e të rrezikshëm të OIC-së: paraja. Nisma “Rrip dhe Rrugë” [Belt and Road Initiative – BRI] (komponentë jozyrtare e së cilës është përpjekja për të asgjësuar dhe nënshtruar ujgurët) planifikon të investojë më shumë se $8 miliardë dollarë në një “rrip” transkontinental korridoresh tokësore ekonomike. Ky “rrip” dhe “rruga” ujore që korrespondon me të, do të inkorporojë një pjesë të madhe të kombeve myslimane të botës, që prej Sudanit te Indonezia. Me rënien e madhe ekonomike që pritet pas pandemisë, bashkë me jostabilitetin afatgjatë politik dhe zhvillimin e dobët përgjatë botës myslimane, shumë shtete janë të uritura për një copë tortë të BRI-së, pa marrë parasysh koston morale.

Përfitimi financiar është vetëm njëra anë e medaljes. Ashtu siç koordinohen diktaturat si Rusia, Kuba dhe Koreja e Veriut, me Kinën në skenën ndërkombëtare, në mënyrë që të normalizojnë autoritarizmin, ashtu edhe administratat përgjatë botës myslimane kërkojnë të nxjerrin përfitimet e njëjta. Përderisa aventurat e NATO-s në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi shpesh kanë përfshirë përpjekje për të zbatuar demokracinë dhe ndryshimin e regjimit, Kina nuk ka fare ambicie të tilla. Përkundrazi, pothuaj kolonializmi i Mbretërisë së Mesme po i ndihmon përforcimit të regjimeve ekstreme që dominojnë botën islamike, e jo kompromentimit të tyre. Tash, Pekini është investitori i huaj më i madh në rajonin e gjirit persik dhe vetëm Bahrejni mbetet potencial për partneritet strategjik. Duke ndenjur jashtë luftërave në Siri, Libi dhe Jemen, Kina ka qenë në gjendje të luajë lojën e angazhimit afatgjatë dhe të inkorporojë në perandorinë e saj të BRI-së rivalët e ashpër si Irani dhe Arabia Saudite. Këto shtete janë më shumë se të gatshme të pajtohen me diplomacinë e Pekinit, për sa kohë që të vazhdojnë të qarkullojnë paratë për zhvillim.

Përdorimi dinak i relativizmit moral është në zemër të kësaj ujdie. Kur merren me demokracitë e stilit perëndimor, përfaqësuesit e OIC-së janë natyrisht të lumtur të përdorin gjuhën e të drejtave liberale të njeriut. Kur negociojnë me autokraci të tjera dhe kur merren me punë të brendshme, këto parime nuk duken askund. Në këtë prizëm duhet të shihet edhe kundërshtimi agresiv që kryeministri pakistanez Imran Khan i bëri planeve të presidentit francez Macron për të luftuar radikalizmin islamik, krahasuar me refuzimin e tij të vazhdueshëm për të njohur gjendjen e mjerueshme të ujgurëve, pale çështjet shumë problematike të vendit të tij. Në të njejtën mënyrë, kundërshtimi i politikave kineze nga Erdogani u braktis, sapo Kina i ofroi Turqisë $1 miliard më 2019.

Sido që të jetë, kjo gjendje cinike sigurisht s’ka datë skadimi. Një raport i Asia Times në dhjetor zbuloi se si mosefikasiteti dhe korrupsioni i madh i autoriteteve financiare kineze i detyroi ata që të ndërprejnë ndihmat financiare për Pakistanin, e as nuk mund të thuhet se është kjo ndonjë lëshim i rrallë në nismat e Pekinit brenda dhe jashtë vendit. Për më tepër, Bloomberg ka raportuar së fundmi se Pakistani ka diskutuar joformalisht lehtësimin e termave të pagesës për një mori termocentralesh, duke sugjeruar që Kina është e gatshme të pësojë gjakderdhje të bilancit të gjendjes, për hir të kthimit afatgjatë të investimeve në rajon. Vetë Kina po ndryshon gjithashtu. Shumë ekspertë e shohin rrjetin e saj gjigant të shtypjes dhe punës së detyrueshme si përgjigje ndaj kërkesave në rritje për paga që kërcënojnë avantazhin e saj konkurrues në prodhimtarinë me kosto të ulët. Por, kjo nënkupton se gjendja e pakicave në Kinë me gjasë do të përkeqësohet para se të përmirësohet.

Njohja e gjenocidit në Xinjiang nga Uashingtoni është fillim i mirë, por është e pakuptimtë nëse nuk përcillet me vepra të tjera. Mundësitë do të vijnë shumë shpejt: samiti i zgjeruar G7 në qershor, në të cilin do të marrin pjesë edhe Korea e Jugut, Australia dhe India, do të jetë vend i përsosur për të nisur një aleancë të fortë të demokracive, të gatshme për të bashkëpunuar rreth këtyre çështjeve. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë ende financuesit parësor edhe të Bankës Botërore, edhe të Kombeve të Bashkuara. Përkrah hetimeve të brendshme rreth bashkëfajësisë e korporatave, duhet të bëhet e qartë se më nuk do të ketë financim direkt ose jodirekt të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Kina përmes institucioneve globale. Sidoqoftë, këto manovra do të jenë të besueshme vetëm nëse nënvizohen nga shprehja e brengës dhe veprimit të përbashkët lidhur me të gjitha shkeljet globale të të drejtave të njeriut, pa marrë parasysh se a shkakton kjo tension në marrëdhëniet e Amerikës me shtetet e OIC-së, si Arabia Saudite dhe Pakistani. OIC-ja i ka bërë të qarta interesat e saj, dhe vetëm duke ndjekur strategji financiare dhe duke paraqitur vizion alternativ për të drejtat e njeriut, Uashingtoni do të mund t’i qaset me besueshmëri dështimeve morale të Kinës.

***

Artikulli origjinal në The National Interest, më 13 shkurt 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.