Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Një himn për vajin

Një himn për vajin

Duket se qeniet si puna ime që shohin çdo koncept të organizimit të çfarëdoshëm me sy dyshues, më në fund kemi të drejtë ose i jemi afruar asaj që e shohim si të drejtë. Po të shkoj edhe pak më thellë gjithnjë duke ledhatuar egon e rrënimit, mund të mbes fillikat në fushën e anarkisë. Duke e arsyetuar atë që ndodh të shihet nga të tjerët, si diçka e gabueshme. Por kësaj here nuk e kam në mend të shkoj më tutje se kaq dhe nuk e kam ndër mend të ju shqetësoj, duke qenë kundër mendimit tuaj që e mbroni me gjak. Besoj është e mjaftueshme e madje e tepërt ta këndosh psalmin para syve të shkatërrimit. Shenja kimike e lodhjes na është gërryer në ballë. Ta themi atë për të cilën po na djeg shpirti. Ngjarjet e fundit kudo në botë qoftë në terrenin e zjarrtë politik apo në atë religjioz, dëshmojnë epokën dhe kultin e parrëzueshëm të frikës së lashtë trashëguar nga trashëgimtarët e trashëgimtarëve*, e cila e robëron mendjen e njeriut të thjeshtë apo edhe më keq se kaq, e manipulon atë gjithmonë duke shfytëzuar bindjen si mjet. Ajo se çfarë ndodhi në Nicë dhe ajo se çfarë ndodh kudo në botë, qoftë në qafën e një të mituri sirian, qoftë në gjinjët e një gruaje irakiane apo në gjymtyrët e një viktime të mjerë kudo në faqe të dheut, të ngjashme për nga anatomia ideologjike apo egërsia biologjike, është njëra ndër shenjat e shumta se bota po humb ekuilibrin e çfarëdo lirie. Të asaj që na vjen nga jashtë dhe të asaj që e kemi brenda nesh. Jemi të detyruar ta themi këtë. Si pasojë e gjithë kësaj kemi forcën. Si detyrë për ta mbrojtur atë. Ose vetëm njërën prej tyre. Sidoqoftë një liri që është gjithnjë nën pushtetin e kërcënimit dhe për më shumë se kaq, një kërcënimi që nuk e dimë se nga cila anë mund të na qëllojë në kokë, fatkeqësisht nuk i duhet askujt. As dreqit. As birit dhe as mua.

***

Një liri e tillë është një prolog i errët lufte. Një liri të tillë posedojnë kombet e mëdha ndërkohë kombet e vegjël si puna jonë me liritë tona të vogla, rropaten duke ngritur kokën në mënyrë që të shohin atë se çfarë po ndodhë në fushën e lojës. Mbase mund të pajtohemi me mendjet e shëndosha se bota tanimë ka humbur çdo arsye. Dhe sustat shkatërruese në çdo çast, mund të jenë nën pushtetin e gishtërinjëve të pishpirikëve politik. Këtu na vjen natyrshëm një pyetje e dobishme. Por çfarë edhe nëse jemi të vetëdijshëm për këtë. Asgjë hiç. Këtu na vjen natyrshëm një përgjigje tjetër, kësaj radhe e padobishme. Ngase mjerisht edhe vetëdija del të jetë paaftësi për të ndryshuar fytyrën e asaj që është e kundërta e së mirës. Ose edhe vetë ajo, pra vetëdija, është në atë pikë aq sa nuk e duron dot as veten e saj. Duke u ndjerë tmerrësisht e lodhur dhe e panevojshme në mes arës së plleshme të ndjenjave njerëzore me koka të hequra, që flatrojnë në ajrin e bekuar nga perëndi të heshtura.

***

Sado që përpiqem të dal nga honi i paajrosur romantik ku jam katandisur dhe ta shoh lulen në majën e kokës së secilës botë, rrëmbehem nga militantët e kombeve të errëta dhe strukem në qelinë e bugut të vetmisë, duke i dhënë të drejtë pushtetit që vjen nga dhimbja. Do të duhej që ndërgjegja njerëzore të shërohet njëherë e përgjithmonë në mënyrë që parametrat për një jetë të mbarë, më në fund të jenë të besueshme. Por kurrë nuk është e nevojshme ajo që duhet dhe kukamat letrare asnjëherë shpëtimtare. Të ndëshkuar të dridhemi nën hijen e qenieve që e ujisin kopshtin e madh të ligësisë, ne po përjetojmë dëbimin e radhës nga kopsht tjetër i radhës. Në një mënyrë të re. Krejtësisht poshtëruese. Tragjikisht fyese. Mrekullisht moderne.

 

***

Në fund fare sa për ta bërë një përpjekje të hairit. Diçka që është e përditshme nuk na bën të vuajmë, është punë e mençur kur dimë kujt të ja besojmë vajin e shumë e rëndë kur jehona e saj mbetet e shkretë.

 

*sipas José Saramagos.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.