Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Çdo i shenjtë është fajtor derisa të dëshmohet e kundërta

Çdo i shenjtë është fajtor derisa të dëshmohet e kundërta

Çdo i/e shenjtë duhet të gjykohet për të fajshëm deri sa të dëshmohen për të kundërtën, por jo të gjithë i nënshtrohen të njëjtit test”, – thotë George Orwell në esenë e tij “Reflektime mbi Gandin”. Orwell zbërthen figurën e Gandit ashtu sikurse njihet dhe prezantohet në mas-kulturë. Duke mos ia mohuar të mirat dhe virtytet evidente dhe kontributin politik e njerëzor, ai vë në pah edhe aspekte të tjera të personalitetit dhe veprimeve të Gandit që e bëjnë atë thjeshtë njerëzor dhe jo domosdo të shenjtë.

Ai thekson predikimet e Gandit rreth rëndësisë së ‘forcës shpirtërore’ dhe vegjetarianizmit në Indinë e mbipopulluar, të vuajtur dhe të uritur; parimin e abstenimit nga kënaqësia seksuale për “çiltërsi të plotë” dhe që seksi të jetë vetëm për qëllime riprodhuese. Po ashtu, Orwell shpjegon se si Gandi kishte përkrahje të dyfishtë në kohën kur India ishte nën pushtimin e Perandorisë Britanike; pasi që ishte nacionalist, Gandi konsiderohej armik i britanezëve, por parimet e tij kundër dhunës nënkuptonin parandalimin e veprimeve efektive dhe kjo i bënte britanezët që ta konsideronin Gandin ‘në anën e tyre’.

Shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan dhe mbështetja e madhe e burrave dhe grave për të si simbol krenarie e kombit shqiptar dëshmon subjektivitetin nacional të Nënë Terezës, e njohur si e jona Gonxhe Bojaxhiu. Disa krenohen me të si humaniste, disa e vlerësojnë si grua, por ajo që e dëgjon më së shpeshti është mburrja se ajo është shqiptare. Kjo është e kuptueshme dhe mirë që gjejmë hapësirë për mburrje kolektive në kohën kur konsumohemi me fakte rreth korrupsionit dhe keqqeverisjes në vend. Por është e domosdoshme që diskursi publik rreth figurave ‘të shenjta’ të merr kahje kritike dhe jo të pranohet verbërisht.

Nëna Terezë ka kaluar pjesën dërmuese të jetës së saj në Kalkutë të Indisë. Ajo u ka qëndruar afër të varfërve, të sëmurëve, dhe hapi, ndër tjerash, strehimore për njerëzit që ishin pranë vdekjes të mund të vdisnin me dinjitet. Edhe sot, ku mirëqenia njerëzore dhe të drejtat e njeriut po shkelen mizorisht, ku njerëzit ende vdesin nga uria dhe mjerimi, ajo përmendet si frymëzim dhe çmohet si figurë kyçe e altruizmit. Vizualisht, Nënë Terezën e shohim kryesisht të kërrusur si shenjë e përkuljes me duart në formë lutjeje.

Nëna Terezë ka qenë misionare fetare dhe jo vetëm një humaniste apo filantropiste. Misionin e saj e ka udhëhequr për shkak të përkushtimit për Kishën Katolike Romake, bindjen ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj Jezu Krishtit si “flijues i mëkateve tona”. Por, përderisa për shumëkë Nëna Terezë mund të jetë simbol i altruizmit dhe përkushtimit të plotë ndaj njerëzimit, një pjesë tjetër i  sheh veprimet e saj si egoiste dhe në linjë me agjendën e Kishës Katolike.

Në vizitat e saj në lagjet e varfra e të mjera në Indi, me shtatzëni e lindje fëmijësh pa kontroll, Nëna Terezë me bashkë-misionaret e saj i kanë sugjeruar grave jo vetëm ta pranojnë mjerimin e tyre, por të ndjehen krenare dhe të vlefshme sepse vet Zoti e ka zgjedhur atë jetë për to. Si predikuese e Kishës Katolike Romake, ajo ishte kundërshtare e madhe e kontraceptivëve, abortit dhe lirisë riprodhuese. Në fjalimin e saj për Çmimin Nobel për Paqe në 1979, ajo tha që shkatërruesja më e madhe e paqes është nëna që aborton.

Këtë e tha virgjëresha e përbetuar që kurrë nuk lindi fëmijë, nuk u përball me shtatzëni të padëshiruara dhe me mungesën e opsioneve për të zgjedhur jetën e dëshiruar, për tu bërë prind apo jo, nuk u përball me përdhunim dhe me vështirësi të tjera që gratë përjetojnë vetëm pse janë femra.

Shkrimtari dhe kritiku fetar Christopher Hitchens e quajti Nënën Terezë jo mike të të varfërve, por mike të varfërisë. Sipas tij, misioni i saj nuk ishte ta shuante apo ta reduktonte varfërinë por roli i saj ishte t’u rrinte afër atyre për t’u treguar që Zoti nuk i ka harruar. Edhe kritikë të tjerë po ashtu theksojnë bashkëpunimin e Nënës Terezë me figura kontradiktore politike. Një nga ta ishte edhe presidenti amerikan Ronald Reagen, i cili me politikat djathtiste i përkrahte të pasurit duke i ulur taksat për biznese dhe duke ndikuar kështu në ndarje të mprehtë klasore dhe shoqërore.

Të mos harrojmë që Nëna Terezë ishte ajo që vuri lule në varrin e Enver Hoxhës në vitin 1990, diktatorit që mbajti Shqipërinë të mbyllur e të izoluar dhe shkeli të drejtat themelore të njeriut përmes regjimit komunist. Enver Hoxha përmes sistemit të tij totalitar e kishte ndaluar edhe fenë dhe si rrjedhojë kishte burgosur priftërinj për aktivitete fetare. Një prej tyre ishte edhe Atë Zef Pllumi i cili u burgos me 23 vjet. Fakte të tilla të bëjnë të mendosh se si ka mundësi që një individ që i kushton jetën misionit fetar të mos solidarizohet dhe të mos përkrah grupin e vet, por sunduesin e pamëshirshëm të tyre. Nderimi i Enver Hoxhës nga Nëna Terezë është edhe më i pakuptimtë kur konsiderohet fakti që kërkesa e saj për të vizituar varrin e nënës dhe të motrës në vitin 1970 u refuzua nga po i njëjti regjim.

Sot, më shumë se kurrë po avokohet kundër fundamentalizmit fetar, pra kundër fundamentalizmit mysliman dhe misionit shkatërrues e dominues të organizatave terroriste. Por në fakt, katolicizmi romak është po ashtu fundamentalizëm fetar. Me histori të rëndë si institucion totalitar me hierarki absolute, me skllavëri, abuzim të fëmijëve, kundër barazisë gjinore dhe homoseksualitetit, kundër abortit dhe zgjedhjes së lirë, kundër ateizmit dhe formave të tjera të besimit, Kisha Katolike Romake dhe figurat e saj të shenjta qëndrojnë për çka do tjetër përpos të drejtave të njeriut, barazisë sociale dhe lirisë.

Asnjë individ nuk është i paprekshëm, asnjë veprim i tyre i padiskutueshëm, dhe asnjë mision fetar krejtësisht i çiltër. Është e mundur që të mbajmë fotografinë e Nënës Terezë dhe figurave të tjera që admirojmë, dhe në të njëjtën kohë, t’i analizojmë personalitetet dhe veprimet e tyre në kontekste të caktuara analitike. Kjo na ndihmon t’i kuptojmë më mirë rrethanat shoqërore, politike dhe ekonomike të periudhave kohore kur këta individë kanë jetuar dhe vepruar dhe si kanë ndikuar ato rrethana në qëndrime dhe veprime të tyre.

Për më shumë, origjina shqiptare nuk do të duhej të shërbente si preteksti i vetëm për të ngritur në qiell individë që fitojnë famë botërore. Mënyra se si flasim dhe e shkruajmë historinë për ta na definon si etni e komb shqiptar më shumë sesa lëvdatat sipërfaqësore të personaliteteve që i njohim pjesërisht përmes mas-kulturës dhe mas-medieve.

_____________________

Foto: Gisela Giardino / Flickr Creative Commons [CC by 2.0]

 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.