Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Analistët luftojnë Vetëvendosjen

Ilustrimi nga Big Eye.

Para ca kohësh, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte mysafir i një emisioni televiziv në Klan Kosova, ku u diskutua rreth vdekjes së dyshimtë të aktivistit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Pritjet e mia, sigurisht, ishin që i gjithë emisioni do të fokusohet tek vdekja e Astritit. Kjo gjë, mjerisht, nuk ngjau; meqë moderatori i emisionit, Batoni Haxhiu, kishte rezervuar edhe ca pyetje të tjera në fund, të cilat kishin të bënin me mënyrën si është duke qeverisur Komuna e Prishtinës nga ana e Lëvizjës Vetëvendosje. Ndonëse pyetjet e bëra, më duhet të pranoj, ishin korrekte nga ana e gazetarit Haxhiu, një pyetje tërhoqi vëmendjen time në veçanti – pyetja që kishte të bënte me luftën e suksesshme të Lëvizjes Vetëvendosje kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Komunën e Prishtinës.

Përmbledhtas, kjo qe pjesa që tërhoqi vëmendjen time:

Gazetari Haxhiu: “A je ardhë me ndryshim në Prishtinë?”

Kryetari Ahmeti: “Po! Unë mendoj që sot e kemi bërë ndryshimin. Edhe sot mund të thuhet për Komunën e Prishtinës, për shembull, që qeverisë me duar të pastra.”

Gazetari Haxhiu: “Po, a është e mjaftueshme kjo?”

Është apo jo e mjaftueshme të qeverisësh me duar të pastra? – kjo, pak a shumë, besoj, ishte ajo që gazetari Haxhiu përpiqej ta pyeste kryetarin Ahmeti. Sigurisht, ata që përcjellin zhvillimet në Kosovë, nuk kanë si mos ta dinë se ky qëndrim i gazetarit Haxhiu nuk është veç një qëndrim i izoluar. Përkundrazi, është një qëndrim që e përsërisin shumë analistë dhe gazetarë në raport me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

Për shembull, para pak ditësh, më bëri vaki ta dëgjoj Bajrush Morinën duke deklaruar se “fakti që drejtorat e Vetëvendosjes [në Komunën e Prishtinës] nuk janë ma t’pasun ose janë ma t’varfun se kanë qenë nuk asht element që duhet të krenohet Vetëvendosja se vërtet qeverisja në Prishtinë është shembull i mirë. Prishtina [pra] nuk është naj shembull i mirë i qeverisjes në qoftë se e vetmja gjë që [Vetëvendosje krenohet] asht se drejtorët nuk janë pasunu, domethënë s’paskan vjedhë.”

Natyrisht, e bukura e gjithë kësaj që thonë analistët dhe gazetarët është pranimi i faktit se, megjithatë,  Lëvizja Vetëvendosje është duke qeverisuar me duar të pastra në Prishtinë, për dallim nga subjektet e tjera politike që qeverisin Kosovën me duar të ndyta që nga periudha e pas-luftës. Sidoqoftë, ajo që është problematike në atë që pohojnë të përndriturit tanë është tek pjesa kur pyesin nëse është apo jo e mjaftueshme të qeverisurit me duar të pastra.

Sikur ta thoshte këtë gjë dikush tjetër, s’do mend se nuk do t’ia shihja për të madhe. Por meqënëse këtë gjë e thonë pikërisht ata që me vjet të tëra kanë akuzuar Vetëvendosjen se gjoja ajo merret vetëm me tema të mëdha, si bashkimi kombëtar, negociatat me Serbinë, demarkacionin me Malin e Zi, asociacionin serb, e kështu me radhë, e jo me dy problemet kryesore në vend – korrupsionin dhe krimin e organizuar, atëhere ky qëndrim jo vetëm që është problematik, por është edhe kulmimi i hipokrizisë.

Ndryshe, si shpjegohet që në njërën anë analistët deklarojnë se Lëvizja Vetëvendosja është duke u marrë vetëm me tema të mëdha por jo me korrupsionin dhe krimin e organizuar; kurse, nga ana tjetër, thonë se, po, Lëvizja Vetëvendosje është duke qeverisur me duar të pastra Komunën e Prishtinës, por kjo është e pamjaftueshme? Nëse, sipas tyre, pra, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy problemet më të mëdha në vend, pse nuk qenka i mjaftueshëm fakti se Lëvizja Vetëvendosje është duke u treguar e suksesshme në luftimin dhe parandalimin e këtyre “dukurive negative,” siç kanë dëshirë ata vetë t’i quajnë?

Këtu, njëmend, ka një kundërthënie të pazgjidhshme.

Për më tepër, si u bëka që njërën anë të akuzohet Lëvizja Vetëvendosje se nuk është duke u marrë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkaq kur ndonjë përfaqësues/e e Vetëvendosjes e quan ndonjë të korruptuar “kriminel”; ose, kur ndonjëri anëtar/e i/e tyre thotë se “me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes të korruptuarit do të përfundojnë në burg,” këta veç kur t’i sheh duke kërcyer si zorra në prush, thua se vetë kanë për të përfunduar aty.

Po me i luftuar përnjëmend të korruptuarit dhe kriminelët?, – këta paskan nijet me luajtur mendsh, me u shkalluar nga mendja dhe budallallepsur fare.

Së këndejmi, nëse analistët vazhdojnë zakonin e tyre të vjetër, duke mbajtur qëndrime hipokrite në relacion me Vetëvendosjen, s’ma ha mendja se do t’u besojë kush. Edhe pse, personalisht, më duhet ta them, nuk kam kurrfarë shprese a optimizmi në këtë drejtim. Sepse, këta jo vetëm që na kanë dëshmuar se nuk mund të jenë konsistentë kur është në pyetje Lëvizja Vetëvendosje, por as inkonsistentë jo (të qenit qoftë edhe inkonsistent, mendoj, kërkon një lloj formimi teorik, gjë që këta nuk e kanë). E tëra çfarë na kanë dëshmuar është hipokrizia e tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.