Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dialogu me Serbinë dhe pse duhet hequr dorë nga dramatizimi i tepruar

Para pak ditësh u mbushën katër vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit ndërkohë që mbështetja publike për dialogun është në nivelin më të ulët që ka pasur ndonjëherë në Kosovë. Dialogu me Beogradin në Bruksel gjithmonë ka pasur kundërshtarë, mirëpo klima e tensionuar prej provokimeve serbe gjatë fillimit të këtij viti bëri që kundërshtimet të intensifikohen dhe kurorëzohen me rezolutën e miratuar nga parlamenti për ndërprerjen e negociatave. Zvarritja e zbatimit të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, ndërtimi i murit në Mitrovicë, treni rus dhe rinxjerrja e mandateve ndërkombëtare të arresteve ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së që çoi në përpjekjet për ekstradimin e ish-kryeministrit Haradinaj bëri që numri i zërave kundër dialogut të shtohej dhe të kulmohej me rezolutën në fjalë.

Pikësëpari duhet parë historia e vendeve të tjera që ka kaluar në situata të ngjashme për të kuptuar atë që na ndodhë neve. Duhet kuptuar se në pothuaj çdo proces negocimi ka nga ata që janë kundër arritjes së një marrëveshje dhe që në terminologjinë e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare quhen “prishës” (spoilers). Pothuaj gjithmonë ka individë që mendojnë se një negociatë apo marrëveshje paqe ka lëshuar ndaj palës kundërshtare më shumë se sa duhej. Këta prishës të proceseve të paqes mund edhe të ndërmarrin veprime të dhunshme ekstreme për ta ndalur procesin e paqes sikurse ishte vrasja e kryeministrit izraelit Jitzhak Rabin gjatë procesit të paqes me Palestinën. Historia bashkëkohore njeh edhe raste të tjera kur liderët që kanë guxuar të nënshkruajnë paqen të vriten nga ekstremistët e krahut të tyre. Kështu Michael Collins, lideri i IRA-s, u vra nga vartësit e vet në 1922 pasi e konsideruan tradhëtar për shkak se nënshkroi marrëveshjen me anglezët; Mahatma Gandhi u vra në vitin 1948 nga ekstremistë hindu pas marrëveshjes për shkëputjen paqësore të Pakistanit; Anuar Sadat, presidenti egjiptian, u vra nga ushtarakët e tij në vitin 1981 si hakmarrje,n për paqen që nënshkroi me Izraelin në vitin 1977. Me pak fjalë negociatat për paqe nuk janë asnjëherë të lehta pasi kanë të bëjnë me bërjen e kompromiseve që shpesh janë të vështira për t’u gëlltitur, arritjen e një konsensusi të gjerë për një veprim jopopullor dhe ndërtimin e mirëbesimit të ndërsjelltë me ish-armiq.

Argumenti që u përdor nga rezoluta parlamentare ishte: nuk mund të dialogosh me një vend i cili bën kësilloj veprimesh dhe qëndrimesh agresive sikurse po bën Beogradi, dhe është deri diku i kuptueshëm. Mirëpo e vërteta është që ky dialog nuk duhet trajtuar me emotivitet sepse nuk bëhet ndërmjet partnerëve apo palëve që kanë dashamirësi ndaj njëri-tjetrit por mes dy palëve që kanë një armiqësi që zgjat prej 14 dekadash dhe që kanë lënë pas një konflikt që ende i ka plagët të hapura. Një pjesë e mirë e negociatave për të zgjidhur konfliktet nëpër botë bëhen shpesh mu në mes të konfliktit pa patur fare armëpushim. Negociatat që sollën marrëveshje për paqe në vende si Zimbabve, Guatemala apo Mozambik  u bënë paralelisht me luftën e pavarësisht prej instinkteve të urrejtjes dhe hakmarrjes që shkaktonin betejat. Rasti më klasik i zhvillimit të negociatave në mes të luftës është ai i Vietnamit, kur bisedimet mes amerikanëve dhe vietkongëve vazhduan edhe gjatë fushatave më të rënda të luftës. Në periudhën 1964-1972 ka pasur të paktën pesë propozime domëthënëse për paqe në Vietnam dhe pafund komunikime konfidencale mes palëve luftuese.

Mjafton të shikohet rasti i Sirisë për të kuptuar që dialogu mund dhe duhet të vazhdojë mu në mes të luftës. Prej kur kjo luftë civile ka nisur gjashtë vite më parë janë ndërmarë një sërë iniciativash për bisedime mes palëve luftuese, si ato të nisura nga Liga Arabe, nga Rusia, apo ato të ndërmarra në Vjenë, Gjenevë, Astana etj. Ndërkaq, mbi 400 000 civilë janë vrarë e shumë të tjerë vriten çdo ditë, por palët ende vazhdojnë bisedimet. Kjo do të thotë dialogu vazhdon në luftë e sipër e jo më në kushtet e Kosovës, që luftën me Serbinë e ka ndërprerë në qershor të vitit 1999.

Me të njëjtën vijë vendimi disa kundërshtues të dialogut të Brukselit thonë se dialogu kurrsesi nuk duhet të bëhet pa patur disa parakushte dhe pa disa veprime të vullnetit të mirë nga Serbia. Kuptohet që idealja do të ishte që paraprakisht Serbia të ishte e vetëdijesuar moralisht, pastruar nga mbeturinat shoviniste të së kaluarës dhe të kishte pasur kurajon që të pranonte përgjegjësinë dhe të kërkonte falje, e mandej të niseshin negociatat. Mirëpo a e ka luksin Kosova që të presë sa Serbia të evropianizohet e demokratizohet në atë masë sa të pendohet për të kaluarën e të kërkojë falje. Ky proces mund të zgjas dekada sepse nuk ka garanci që do të ndodhë së shpejti, por ndërkaq kemi pasur shumë çështje delikate që kërkojnë trajtim imediat mes dy shteteve. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, kandidati i vetëm që pati kurajën të fliste për njohjen e Kosovës mori vetëm 1.14% të votave.

Ka nga ata në Kosovë që përmendin sjelljen e Kroacisë në marrëdhënie me Serbinë si model që duhet të ndiqet nga Kosova. Kroacia në dekadën e parë të pas luftës ka mbajtur një qëndrim kokëfortë përkundrejt jo vetëm Serbisë, por edhe komunitetit ndërkombëtar. Zagrebi refuzoi për një kohë të gjatë që të dorëzonte gjeneralët e saj Ante Gotovina e Janko Bobetko në Tribunalin e Hagës. Mirëpo Kosova është shumë larg pozicionit komod të Kroacisë që është bërë anëtare e OKB-së që prej majit të vitit 1992. Kosova është shumë më e brishtë dhe e varur ndërkombtarisht, shumë më e varfër ekonomikisht dhe shumë më e dobët nga aspekti i sigurisë, dhe nuk mund t’ia lejojë vetes të sillet si Kroacia. Në konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe në përpjekjet për forcimin e pozicionit të saj ndërkombëtar nuk ka vend për ngarkesë emocionale, urrejtje apo dëshirë për hakmarrje, sepse këto sfida kërkojnë që të veprohet me realizëm, gjakftohtësi dhe pragmatizëm.

Një tjetër argument që përdoret dendur kundër dialogut me Serbinë është fakti që shumë qytetarë të Kosovës po manifestojnë padurim dhe indinjohen që kanë kaluar gjashtë vite nga fillimi i negociatave dhe ende nuk është arritur njohja nga Serbia, madje shpesh ka edhe provokime nga Beogradi. Mirëpo e vërteta e hidhur është se marrëveshjet e paqes marrin shumë kohë për t’u realizuar. Marrëveshja që u firmos vitin e kaluar në Kolumbi me guerilasit e FARC-ut kishte që në vitet 60-të që ka pasur iniciativa negociatash. Revolta e popullsisë moro në Filipine po ashtu ka nisur në vitin 1969 dhe u arrit një marrëveshje në vitin 2014, vetëm pas mbi 40 raunde bisedimesh në mbi tre dekada negociatash të pesë presidentëve filipinas njëri pas tjetrit. Pra, negociatat kërkojnë durim e këmbëngulje dhe fakti që nuk arrijnë brenda një kohe të shkurtër rezultatet e pritura, nuk do të thotë të hiqet dorë prej tyre. Palestinezët dhe izraelitët kanë që nga vitet 70-të në tentativa të panumërta për të gjetur një zgjidhje definitive, pëkundër avancimeve të shumta ende çështja nuk është zgjidhur plotësisht.

Madje përvoja ndërkombëtare tregon se është e nevojshme që negociatorët të maten mirë para se ta nënshkruajnë marrëveshjen sepse një marrëveshje e gabuar apo e dështuar mund të përkeqësojë situatën e konfliktit për të cilin është nënshkruar. Pas dështimit të Akordeve të Arushës të vitit 1993 nisi gjenocidi famëkeq i Ruandës ku brenda 100 ditëve u masakruan mbi 800 000 civilë. Akordet e Paqes së Parisit  të vitit 1991 që u përpoqën t’i jepnin fund luftës civile në Kamboxhia dështuan dhe u pasuan nga luftë edhe më të përgjakur se konflikti që synuan të ndalnin. Po ashtu për konfliktin e Angolës u nënshkruan dy traktate paqe, Marrëveshja e Bicesse-s në 1991 dhe Protokolli i Lusakës në 1994, mirëpo lufta rinisi dhe shkaktoi mbi 300 000 civilë të vrarë, një shifër kjo shumëfish me e lartë se e viktimave para marrëveshjeve. Kuptohet që konteksti i konfliktit të Kosovës me Serbinë është ndryshe, por ajo që vlen të theksohet është se çdo aspekt i marrëveshjes së paqes ka rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj ia vlen që të tregohet durim, kujdes e këmbëngulje.

Ka mandej disa zëra kritik ndaj dialogut aktual që thonë se ky dialog me Serbinë duhet bërë dypalësh e nuk duhet bërë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Cili do të ishte interesi i Serbisë të negocionte me Kosovën po mos të kishte kushtëzimin e Brukselit? Që të futet në dialog bilateral, Beogradi duhet të ketë një interes konkret e nuk mund të pritet ta bëjë këtë gjë për vrasje ndërgjegje për çka ka bërë. Si dhe me çfarë do ta kushtëzonte apo shtrëngonte për të garantuar zbatimin e marrëveshjes pasi të nënshkrohej? E vërteta është që studimet krahasimore tregojnë se pothuaj 90% e konflikteve moderne që janë përfunduar me ujdi paqe pas negociatave janë bërë me mediatorë ndërkombëtarë. Pra, mediatorët dhe multilateralizmi është praktika dominuese se si zgjidhen konfliktet në botën e sotshme. Madje edhe kur bëhet fjalë për konflikte të natyrës ekonomike e tregtare dhe për vende të fuqishme të botës, përzgjidhen platformat shumëpalëshe për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Kështu për shembull SHBA me Kinën, çështjet tregtare nuk i trajton në nivel dypalësh por nëpërmjet organizatash si OBT apo forumesh si samiti i G8. Akoma më absurde është pretendimi që Prishtina të dialogojë me pakicën serbe brenda territorit, kur dihet sa të kontrolluar janë ata prej Beogradit.

Ajo që duhet thënë për dialogun është se pavarësisht pritshmërive të ekzagjeruara apo zvarritjes së zbatimit të disa prej marrëveshjeve, bilanci i dialogut është shumë pozitiv për Kosovën në shumë fusha. Së pari në fushën e sigurisë ka mundësuar vendosjen e kontrollit të sovranitetit territorial të shtetit duke vënë në kontroll pikat kufitare të veriut, duke çuar drejt shkrirjes të strukturave paralele si dhe duke integruar komunitetin serb të katër komunave të veriut në jetën institucionale të shtetit. Dialogu ka shkrirë akujt mes Kosovës dhe Serbisë duke vendosur zyra ndërlidhëse diplomatike në kryeqytetet respektive, duke vendosur reciprocitetin në shumë sfera duke mundësuar një njohje de facto shtetërore. Kjo e fundit ilustrohet edhe nga menaxhimi i integruar i kufijve shtetërorë dhe funksionalizimit të doganave të Jarinjës dhe Bërnjakut. Po ashtu marrëveshjet e Brukselit kanë mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, njohjen reciproke të sigurimit të automjeteve, të certifikatave fitosanitare dhe të diplomave, kthimin e kadastrave dhe regjistrave të gjendjes civile. Së fundmi mundësoi shtrirjen e sistemit kosovar të drejtësisë, zgjidhjen e çështjes së urës së Ibrit dhe sigurimin e kodit telefonik ndërkombëtar. Njerëzit kanë harruar se si ka qenë situata në Kosovë para dialogut për këto çështje që tani i marrin për të mirëqena.  Por të gjitha këto arritje të dialogut kanë pasur një impakt të drejtëpërdrejtë të konsiderueshëm pozitiv në gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Mirëpo impakti nuk ka të bëjë vetëm me konsolidimin e brendshëm të Kosovës, por mbi të gjitha me konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar. Kosova ndryshoi imazhin e saj ndërkombëtar në sytë e vendeve skeptike duke u transformuar nga një vend burim krize në një burim stabiliteti duke u shpërfaqur si një shtet model që problemet e së kaluarës i zgjidh nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit. Imazhi që Kosova projektoi ndërkombëtarisht ishte ai i një vendi paqedashës me sjellje të pjekur e konstruktive që synon fqinjësinë e mirë. Dialogu solli ndryshime pozitive në mbarë rajonin e sidomos duke lehtësuar Preshevën nga tensioni ndër-etnik të mëparshëm. Ai hoqi bllokadën serbe nga anëtarësimi i Kosovës në forume rajonale dhe tanimë jemi si palë të barabarta në tryezat e së paku 15 organizata rajonale me Serbinë si SEECP, RESPA, MARRI, WB6 etj.

Duhet patur gjithashtu se dialogu i Kosovës nuk lidhet vetëm me përfitimet që vijnë në forcimin e vendit, por edhe në përmirësimin e pozitës sonë përkundrejt marrëdhënieve që kemi me Brukselin. Si shpërblim për sjelljen konstruktive Kosova mori një mbështetje edhe më të fuqishme nga aleatët që e lehtësojnë dhe mbështesin këtë dialog duke mundësuar nënshkrimin e MSA-së, e cila është kontrata e parë me BE-në. Gjithashtu hymë në lidhje zyrtare me NATO-n dhe siguruam mbështetjen e aleatëve tanë për t’u futur në shumë organizata shumëpalëshe. Prej vitit të kaluar me ndihmën e tyre jemi anëtarësuar në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Konventën e Apostiles, Grupin Egmont, Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, FIFA, UEFA etj.

Prandaj kur vjen puna tek dialogu, ne nuk kemi të bëjmë vetëm me Serbinë por edhe me Brukselin dhe aleatët e tjerë, që do të thotë se sjellja jonë përkundrejt dialogut ndikon tek marrëdhënia jonë me Brukselin. Brukseli ka interesin e vet në këtë çështje – që është mbyllja sa më shpejtë e kapitullit të konfliktit dhe vendosja e paqes së qëndrueshme. Duke u angazhuar seriozisht në dialog Kosova dëshmohet si partner i besueshëm në konsolidimin e paqes, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në Ballkan dhe për rrjedhojë meritore për mbështetje të mëtejshme. Duke mos marrë pjesë në negociata nga inati i Serbisë, në mënyrë ironike ne e forcojmë pozicionin e serbëve përkundrejt perëndimorëve pasi i nxjerrim ata si konstruktiv ndërkohë që ne dalim si destruktiv. Në sytë e Brukselit ata thonë që janë të gatshëm për dialog por shqiptarët nuk pranojnë, prandaj kushtëzimi me kapitullin 35 është i padrejtë e duhet hequr.

Dialogu nuk është fushë me lule dhe ka ende probleme. Për shembull, Serbia ende nuk ka përmbushur obligimin e dalë prej Marrëveshjes së Energjisë që do të mundësonte funksionalizimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është financuar nga Gjermania, por nuk është vënë ende në punë. Përpos kësaj nevojitet sjellje më e përgjegjshme e Serbisë, ndaj marrëveshjes për diplomat, çka po bllokon integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucione shtetërore, dhe paraqet pengesa edhe për serbët në Kosovë.

Nga ana tjetër Kosova ka obligimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe për të përmbushur. Ka ende tema të tjera që do duan kohë që të trajtohen, si demarkacioni, çështjet e pensioneve, depozitat bankare e trashëgimia kulturore, deri sa të shkohet në një traktat final paqe mes dy shteteve. Dialogu me Beogradin do të vazhdojë të jetë një proces i vështirë dhe i ndërlikuar, por kjo nuk është arsye për të hequr dorë prej tij. Zgjidhja e problemeve të kaluara, të tashme apo të ardhshme nëpërmjet negociatave të vështira me palë që kanë interesa tjera ndodh rregullisht në arenën ndërkombëtare anembanë globit. Prandaj, dialogu me Serbinë as duhet marrë lehtë dhe as nuk duhet dramatizuar me tone fataliste sikur të ishte fundi i botës. I duhet dhënë rëndësia që meriton por kurrsesi s’duhet të përdoren tonet tragjike që dëgjohen sot, sepse duhet kuptuar se nuk jemi as të parët dhe as të fundit që kalojmë në kësilloj procesesh të ndërtimit të paqes nëpërmjet negociatave të ndërmjetësuara nga palë të treta. Dialogu dhe negociatat duhen parë si normalitet sepse janë pjesë e natyrshme e të qenit shtet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.